Kulturë

Instituti Albanologjik s’i duron reshjet, pret zgjidhje me 144 mijë euro

Në sallën e konferencave, aty ku prej vitesh janë mbajtur mbledhjet, ligjëratat e prezantimet shkencore, në ditët me shi, tri kova të mëdha plastike qëndrojnë në qendër të tapetit të kuq duke mbledhur ujin që pikon

Në sallën e konferencave, aty ku prej vitesh janë mbajtur mbledhjet, ligjëratat e prezantimet shkencore, në ditët me shi, tri kova të mëdha plastike qëndrojnë në qendër të tapetit të kuq duke mbledhur ujin që pikon

Objekti i Institutit Albanologjik të Prishtinës që mbrohet edhe si monument, në prag të gjysmëshekullit prejse u ndërtua s’u bën ballë reshjeve e në ditët me shi, kova e kavanoza për ta pritur ujin janë bërë pamje e zakonshme. Kanë pësuar edhe disa eksponate. Përkundër kërkesave të kahershme, tek tash IAP-ja ka marrë përgjigje. Procedurat e tenderit kanë përfunduar, për “Renovimin dhe rivitalizimin e kulmit dhe ulluqeve të brendshme vertikale në Institutin Albanologjik”, siç është titulli i kontratës, janë 144 mijë euro në dispozicion

Tash e sa vjet Instituti Albanologjik i Prishtinës punon nën një tavan ku kërkimi shkencor përditë përballet me betejën me lagështinë. Sa herë që reshjet marrin intensitet, kulmi i objektit nis t’i dorëzohet ujit, që depërton nëpër pllakat e tavanit e përfundon në dysheme. Në salla, zyra e korridore, ato pllaka tashmë janë hequr prej kohësh. Të tjera hiqen herë pas here, sa herë që ndonjë shi i madh godet objektin. Kova e kavanoza poshtë pikave të ujit janë bërë pamje e zakonshme e Institutit, një ritëm absurd i ditës së punonjësve që ndërrojnë enët sa herë që pikat fillojnë të shpejtohen. Por thirrjes së shumëpritur për ndërhyrje në kulm, i është përgjigjur Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.  

Kontrata “Renovimi dhe rivitalizimi i kulmit dhe ulluqeve të brendshme vertikale në Institutin Albanologjik”, tashmë është nënshkruar. Vlera e saj është 144 mijë e 95 euro. Është përzgjedhur operatori me çmimin më të ulët për kontratën e parashikuar në vlerë prej 175 mijë eurosh. Gjysma e shtatorit kishte qenë afati i fundit për pranimin e tenderëve. Ishin pranuar katër tenderë, dy prej të cilëve të përgjegjshëm. Tenderuesi i pasuksesshëm kishte ofertuar me çmim prej 157 mijë e 872 euro. Sipas njoftimit për nënshkrimin e kontratës, 15 muaj është kohëzgjatja e saj. 

Trashëgimia materiale është bartur për një kohë të pacaktuar në bufenë e institucionit. Kornizat me kostume e tekstile tradicionale kanë mbetur të varura para paneleve të improvizuara aty

Salla e eksponateve, dikur hapësira kryesore e prezantimit të trashëgimisë materiale, është boshatisur thuajse plotësisht: vitrinat janë të hapura, dyshemeja e zhveshur, e në disa vende shihen kova të vendosura për të mbledhur pikat. Trashëgimia materiale që ka përbërë muzeun etnologjik të Institutit është bartur për një kohë të pacaktuar në bufenë e institucionit. Kornizat me kostume e tekstile tradicionale kanë mbetur të varura para paneleve të improvizuara aty. Njollat e zverdhura të lagështisë në tavan tregojnë qartë se koleksioni etnologjik është ruajtur vetëm me kujdesin e stafit. Fustanet e punuara me dorë, jelekët, përparëset, çorapet e vjetra, veglat e drurit e enët e amvisërisë janë grumbulluar pranë njëra-tjetrës, të detyruara të tërhiqen nga pozicionet e tyre muzeale për t’u shpëtuar pikave të ujit.

Thirrjes së shumëpërfolur për ndërhyrje në kulm, i është përgjigjur më në fund Ministria e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Punimet pritet të nisin së shpejti.

Disa prej dhomave ngjajnë si të braktisura, e jo si pjesë të një institucioni kërkimor që ka bartur dekada punë shkencore

Adil Olluri, sekretar shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, ka thënë se problemet me kulmin janë të vjetra dhe se situata ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në hapësira të rëndësishme të institucionit.

“Telashet me ujë për shkak të reshjeve në Institut nuk janë të tashme, janë prej mbi katër vjetësh, por tash është një lajm i mirë, sepse Ministria ka aprovuar, kanë përfunduar procedurat e tenderit, është shpallur fituesi dhe Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve veç e ka dhënë pëlqimin me ia nisë punës. Është lajm i mirë që më në fund po kryhet një punë e mirë”, ka thënë ai për KOHËN.

Ai ka treguar se lagështia ka dëmtuar muret, zyrat dhe një pjesë të eksponateve, por dëmet ende janë të rikuperueshme.

“Ka qenë një fazë e vështirë për Institutin, ka pasur dëmtime të mureve, dëmtime të zyrave të punonjësve, dëmtime të një pjese të eksponateve, të cilat mund të rigjenerohen, sepse dëmtimet nuk e kanë kaluar atë fazën më të pariparueshme. Shpresojmë që shumë shpejt do ta hapim muzeun etnologjik në kuadër të Institutit Albanologjik, në momentin kur kulmi riparohet”, ka shtuar Olluri.

Lagështia ka dëmtuar muret, zyrat dhe një pjesë të eksponateve, por dëmet ende janë të rikuperueshme

Korridoret paraqesin një gjendje edhe më të rëndë. Pllakat e tavanit janë hequr, sipërfaqe kanë mbetur të nxira nga lagështia, vërehen plasaritje të mëdha dhe hapësira të zbuluara ku duken edhe kabllot elektrike. Disa prej dhomave ngjajnë si të braktisura, e jo si pjesë të një institucioni kërkimor që ka bartur dekada punë shkencore.

Në sallën e konferencave, aty ku prej vitesh janë mbajtur mbledhjet, ligjëratat e prezantimet shkencore, në ditët me shi, tri kova të mëdha plastike qëndrojnë në qendër të tapetit të kuq duke mbledhur ujin që pikon. Portretet e albanologëve e studiuesve të tjerë të brezave të kaluar, të vendosura përgjatë murit, duken si dëshmitarë të heshtur të degradimit që po ndodh poshtë tyre.

Shpresat për një rikuperim të institucionit, sipas Ollurit, lidhen me nisjen e premtuar, të menjëhershme të punimeve.

“Ka telashe me kulmin, prej kulmit të prishur ka hyrë uji brenda në zyrat e kolegëve. Po shpresoj që ky telash po merr fund, është çështje javësh kur të nisë faza përfundimtare e ndërtimeve”, ka thënë sekretari shkencor.

Ajo skenë me pamje të një vendi të braktisur pret vazhdimisht edhe studiues të huaj, të cilët vijnë për të prezantuar kërkime shkencore, me mendimin se ky është një institucion që ka vlera të larta shkencore. I atillë edhe synon të jetë, mirëpo pa kushte minimale infrastrukturore. Olluri ka thënë se problemi nuk ka qenë vetëm infrastrukturor, por edhe institucional.

“Vazhdimisht kemi bërë kërkesa e thirrje, por është plan se qysh funksionojnë institucionet tona, me një ngadalësi vrastare, që s’u bëhet vonë për asgjë, prandaj është rast i çuditshëm”, ka thënë ai.Instituti është objekt në Listën e monumenteve nën mbrojtje të përkohshme, listë që rigjenerohet çdo vit nga Ministria e Kulturës, por gjendja e dëmtuar e hapësirave ka treguar se vetë statusi i mbrojtjes nuk ka mjaftuar që ndërhyrjet të ndodhin me kohë.

Korridoret paraqesin një gjendje edhe më të rëndë. Pllakat e tavanit janë hequr, sipërfaqe kanë mbetur të nxira nga lagështia, vërehen plasaritje të mëdha dhe hapësira të zbuluara ku duken edhe kabllot elektrike

Me nisjen e punimeve, stafi i Institutit pret që ta rikthejë normalitetin e punës kërkimore dhe t’i rikthejë në funksion sërish sallat e ekspozitave, duke i shpëtuar koleksionet nga çdo rrezik i mëtejmë. Por gjurmët e lagështisë, pllakat e hequra të tavanit dhe vitrinat e boshatisura mbeten dëshmi se degradimi ka vazhduar për vite të tëra në një prej institucioneve më të rëndësishme shkencore të vendit, një institucion që, ndërkohë që ka ruajtur kujtesën kolektive, ka pritur gjatë për kujdesin institucional që vetë e ka merituar.
Objekti i Institutit Albanologjik të Prishtinës që shtrihet përgjatë bulevardit “Eqrem Çabej” në Prishtinë, sipas shënimeve, u projektua nga arkitekti Miodrag Peciq në vitin 1974 dhe përfundoi së ndërtuari në vitin 1977. IAP-ja, themeluar në vitin 1953 në një ndërtesë tjetër, me arkitekturë të thjeshtë të tipit të shtëpisë me kulm katërujor, pas peripecive të mbylljes dhe rihapjes së tij, vendoset në lokacionin ku gjendet edhe sot.

“Sipas të gjitha gjasave, projekti për ndërtesën e Institutit Albanologjik është projekt i përzgjedhur nga një konkurs i mbyllur. Këtë e dëshmon edhe projekti ideor i arkitektit Georgi Konstantinovski, i cili është i projektuar në vitin 1974. Në këtë vit fillon ndërtimi i ndërtesës së re, të arkitektit Miodrag Peciq, dhe ndërtimet zgjasin deri në vitin 1977”, shkruan arkitekti Arbër Sadiki në librin “Arkitektura e ndërtesave publike në Prishtinë: 1945–1990” , botuar më 2020. Sipas përshkrimit arkitektura e ndërtesës së Institutit Albanologjik paraqet një pamje masive, të një strukture të mirëdefinuar dhe me një shtrirje horizontale.

“Pak a shumë e definuar sipas modelit të Le Corbusier, ku dritaret duhet të jenë të shtrira në horizontale dhe pa ndërprerje, në këtë rast në pamjen e përgjithshme, ndërtesa e Institutit Albanologjik e përcjell ritmin e tillë gradualisht në disa anë të fasadës së saj”, shkruhet aty.