Gjithçka kishte nisur në Konviktin numër 3 në Prishtinë, një pikë kthese që pastaj solli shumë zhvillime. 40 vjet nga protesta e vitit 1981, është vështirë të faktohet gjithçka që ndodhi më pas, por interpretimet janë të llojllojshme – prej atyre për organizim spontan e nga Shqipëria komuniste – deri tek ato për instrumentalizim nga shërbimet serbe e sovjetike të kohës
Prishtinë, 11 mars – Qendra Studentore shihej me admirim nga nacionalistët e me drojë nga komunistët e kohës. Konviktet nuk ishin vetëm strehimore për studentët. Tashmë ishin kthyer në vatër për krijimin e grupeve dhe organizatave ilegale për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Kishte prej atyre që besonin edhe në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Të ndryshme ishin edhe planet për jetësimin e pikësynimeve.
Të gjithë i bashkonte mensa jashtë konvikteve. Aty edhe do të besatoheshin për manifestimin e revoltës në 11 marsin e vitit 1981. Gjithçka nisi me përplasjen e pjatave.
Ali Lajçi, atëherë student i letërsisë, ishte njëri prej të revoltuarve. Pas dyzet vjetësh është kthyer në Mensën e Studentëve, ku edhe nis të rrëfejë krejt zhvillimet e atëhershme.
“Ne zakonisht mendonim se duhet të ketë protesta kështu, por kishte ardhur rasti dhe për këtë natë u mendua kështu, sepse zakonisht në këto radhë pritej një orë”, thekson Lajçi, ulur në rendin e tretë të tavolinave të Mensës.
Njëherësh, studentët vijnë e marrin ushqimin të paketuar për ta ngrënë në dhoma të konvikteve për shkak të masave të pandemisë së koronavirusit. Ndryshe prej kohës së parapandemisë, tani nuk ka radhë.
Edhe
Organizatorët e protestave të ’81-s thonë se me to lëkunden themelet e ish-Jugosllavisë
Të gjithë i bashkonte Mensa jashtë konvikteve. Aty edhe do të besatoheshin për manifestimin e revoltës në 11 marsin e vitit 1981. Gjithçka nisi me përplasjen e pjatave
“Dhe studentët prisnin këtu në radhë të gjata dhe kishte lodhje dhe në ndonjë rast kishte edhe ndonjë që i binte të fikët, por rrallë. Por kryesisht kishte vështirësi në pritje se numri ishte mjaft i madh. Kushtet atëherë ishin më ndryshe, kuptohet, dhe se protesta atëherë ishte e planifikuar të ndodhte, por erdhi rasti i 11 marsit në mbrëmje”.
Studentët do të nisnin të shprehnin revoltën e tyre me kushtet në qendrën studentore. Nisi hedhja e pjatave. “Dhe disa i kemi gjuajtur tabakët”, kujton Lajçi, duke shtyrë me dorën e majtë tabakun me oriz.
Pakënaqësia studentore shumë shpejt do të merrte udhë rrugëve të Prishtinës. Thirrjet e studentëve do të rroknin vëmendjen. Do të marshonin edhe nëpër rrugë. Lajçit i ishte kërkuar të mbante një fjalim mu në udhëkryqin para Mensës së Studentëve në orët e vona.
“Përpara”
“Përpara”, ishte shprehja që do ta përsëriste Lajçi në fjalimin mbi trafostacionin elektrik përballë shkallëve të Mensës.
Shkaqet e shpërthimit ishin të ndryshme.
Historiani Atdhe Hetemi, i cili ka doktoruar në Belgjikë me studimin e lëvizjeve studentore të viteve ‘68, ‘81 dhe ‘97, përmbledh disa prej arsyeve të demonstratave të ‘81-shit. Ndjenja e pabarazisë ndërmjet aktorëve që prireshin të dominonin skenën politike të kohës.
“Në njërën anë kanë qenë studentët të mbështetur nga grupet të ndikuara nga ana e Republikës së Shqipërisë”, thekson Hetemi. “Në anën tjetër kanë qenë elitat komuniste që, si të themi, i kanë shërbyer ideologjisë, le të themi titiste”.
Në nivel rajonal, thekson ai, Shqipëria enveriste mundohej të ndikonte në Kosovë, përderisa Republika e Serbisë po mundohej të merrte dhunshëm kontrollin e Jugosllavisë ende pa kaluar një vit nga vdekja e Josip Broz Titos.
“Republikë, kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë!”, ishte njëra prej brohoritjeve të studentëve më 1981.
Lidershipi komunist i kohës nuk do të fliste publikisht për kërkesat e studentëve. Madje në mbledhjen e Lidhjes Komuniste të Kosovës, më 13 mars 1981, Mahmut Bakalli ngulmonte në të tijën se dy ditë më parë u protestua vetëm për kushte më të mira, kujton Azem Vllasi në librin “Kosova: Fillimi që nuk harrohet” diskutimet e atëhershme. Megjithatë, revoltës së 11 marsit, të cilën do ta përcillte për së afërmi, i referohet si “Fillimi i madh me incident të vogël”.
Ai përshkruan hollësisht se si kishte përcjellë nga afër krejt zhvillimet e natës së 11 marsit. Madje përshkruan edhe përplasjet verbale me demonstruesit. Njëri prej tyre, shkruan Vllasi, i kishte folur me admirim për diktatorin shqiptar Enver Hoxha. “EHo, EHo”, ishte njëra prej thirrjeve të përshkruara, si referencë për inicialet e liderit komunist të Shqipërisë.
Në konvikte studentët po përgatiteshin tinëz për ta befasuar mbarë Jugosllavinë në ditën e 26 marsit, kur në Prishtinë do të mbahej ceremonia e së ashtuquajturës “Stafeta e rinisë”, që gjithkush i referohej si “Stafeta e Titos”.
Lajçi thotë se ishte menduar që të shkruheshin edhe parulla për bashkim kombëtar, porse slogani “Kosova Republikë” do të rrëmbente zemrat e shqiptarëve nën ish-Jugosllavi. Ai do ta lexonte tekstin në oborrin e Qendrës Studentore me qindra studentë pjesëmarrës.
Lidershipi komunist i kohës nuk do të fliste publikisht për kërkesat e studentëve. Madje në mbledhjen e Lidhjes Komuniste të Kosovës, më 13 mars 1981, Mahmut Bakalli ngulmonte në të tijën se dy ditë më parë u protestua vetëm për kushte më të mira, kujton Azem Vllasi në librin “Kosova: Fillimi që nuk harrohet”, botuar nga Botime KOHA
Lidhja Komuniste do të zihej në befasi edhe në ditën e 26 marsit. Vllasi i referohet demonstratës në Qendrën Studentore si “hallakamë”.
Citon fjalët e Mahmut Bakallit, derisa përshkruan detaje diskutimesh ndërmjet kryekomunistëve të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës.
“Asgjë nuk guxon të ndodhë si më 11 mars, ngase do të kuptohet si demonstratë kundër Titos dhe Jugosllavisë. Në Beograd tashmë e dinë se çka ndodhi më 11 mars. Bëhet faqja e zezë!” – përshkruan Vllasi fjalët e Bakallit.
Gishti i fajit drejtohej kah grupet marksiste-leniniste të ndikuara nga propaganda e Shqipërisë.
Edhe
43 vjet nga demonstratat e vitit 1981
Historia “e ndërlikuar” e organizimit
Studiuesi Hetemi insiston se është e ndërlikuar historia e zanafillës së organizimit të demonstratave, ku kërkesat varionin prej statusit të Republikës në kuadër të Jugosllavisë, deri te bashkimi me Shqipërinë.
“Pas organizmit të demonstratave duhet pranuar se ajo që ka përfituar kushtimisht goxha shumë prej kësaj është edhe Serbia, kthimi i çizmes ushtarake serbe në Kosovë dhe marrja në dorë e organeve të sigurisë për Krahinën e Kosovës atëherë”, thekson Hetemi, duke shtuar se njëherësh nisi edhe ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës pas demonstratave të shqiptarëve në diasporë në mbështetje të kërkesave të demonstruesve në Kosovë. “Një gjë duhet thënë patjetër: Situata ka qenë shumë komplekse”, ngulmon Hetemi.
Në librin e tij shkruan edhe për përfitimet që mund të ketë pasur ish-Bashkimi Sovjetik. U referohet edhe disa dokumenteve e takimeve që inkriminonin edhe përfshirjen e kryeministrit komunist të Shqipërisë, Mehmet Shehu, pa dijen e diktatorit Hoxha. Madje, thotë Hetemi, amerikanët e kishin njoftuar Hoxhën për rolin e Shehut, për nxitjen e grupeve ilegale dhe për të ashtuquajturin takim i Stambollit, ku besohet se ishte marrë vendimi për revoltën studentore në Kosovë.

Shtypja e dhunshme e demonstratës së 26 marsit do t’i jepte hov pakënaqësisë mbarëpopullore që do të përshkallëzohej e shtypej dhunshëm nga forcat speciale policore e ushtarake të Jugosllavisë më 2 e 3 prill. Beogradi shpalli gjendje të jashtëzakonshme në Kosovë, duke i përdorur edhe aeroplanët luftarakë MiG.
“Nuk është dashtë me u mbajtë, sepse qajo demonstratë na e ka marrë Kushtetutën e ’74-s”, thekson Isan Salihu, ish-fotoreporteri i gazetës “Rilindja”, që do të dokumentonte zhvillimet e jashtëzakonshme të pranverës së fillimviteve tetëdhjetë. “Nuk ka pasur nevojë me u mbajtë se e hupëm Kushtetutën, e kur e hupëm Kushtetutën, kurrkush më fjalë nuk bani”.
Policia e ushtria vranë pesë nxënës të shkollave të mesme, një student, dy punëtorë fabrikash e një pensionist, në qytete të ndryshme të Kosovës.
Më 2 prill në Prishtinë ishin vrarë: Naser Hajrizi, Asllan Pireva, Xhelal Maliqi dhe Salih Abazi; më 3 prill në Ferizaj, Rizah Matoshi dhe Sherif Frangu; në Vushtrri në të njëjtën datë Salih Zeka dhe Ruzhdi Hyseni; në Prekaz më 13 maj ishin vrarë Nebih e Tahir Meha, në betejën e zhvilluar me policinë serbo-jugosllave; në Gjakovë më 16 korrik Nesimi Dervishdana; dhe në Ferizaj më 3 prill 1982 (në përvjetorin e demonstratave të vitit 1981) Afrim Abazi, shkruan veprimtari Selatin Novosella në librin “Dëshmorët e Pranverës Shqiptare ‘81”.
Gjykata Supreme e Kosovës ndëshkoi pastaj 21 studentë, me gjithsej 223 vjet burgim.
Në konvikte studentët po përgatiteshin tinëz për ta befasuar mbarë Jugosllavinë në ditën e 26 marsit, kur në Prishtinë do të mbahej ceremonia e së ashtuquajturës “Stafeta e rinisë”, që gjithkush po i referohej si “Stafeta e Titos”
Dy anët e pasqyrimit mediatik
Në kohën kur po përgjakeshin rrugët e Kosovës, “Rilindja”, organ zyrtar i Lidhjes Komuniste, kishte zgjedhur heshtjen.
“Si redaksi kemi dalë dhe krejt ngjarjet i kemi përcjellë, edhe shumë fotografi janë botu. Tekst ka pasë shumë ma pak se fotografia ka treguar atë masivitetin”, thekson Salihu. “Ti mundesh me shkru, por nëse lexuesi nuk i sheh fotografitë.... edhe mandej qato fotografi i kanë pa edhe jashtë, edhe shumëkush”.


Thuajse krejt hapësirën “Rilindja” ua kushtonte qëndrimeve denoncuese e linçuese të liderëve komunistë. Në javën e parë të prillit dominonin fotografitë e krerëve komunistë. Më 3 prill, kryeartikull kishte deklaratën e “shokut” Xhavid Nimani, kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës: “Kundër veprimtarisë armiqësore do të ndërmarrim të gjitha masat përkatëse”. Anash tekstit kryesor të ballinës ishin tituj e reagimeve prej organizatave e ndërmarrjeve të ndryshme, që dënonin demonstratat: “Masa konkrete për pengimin e demonstratave”, “Punonjësit dhe qytetarët nga mbarë Kosova dënojnë rreptë demonstratat”, “Jemi të vendosur për luftë kundër armikut që organizoi demonstratat” ose “I gjykojmë veprimtaritë armiqësore”. Në një kënd të vogël të një faqeje të brendshme njoftohej me disa fjali se ishte vënë ora policore.
“Luftë energjike kundër dezinformimit dhe interpretimit nacionalist”, ishte vetëm një prej titujve me përmbajtje pak a shumë të ngjashme në “Rilindjen” e 5 prillit.
Një pasqyrim tjetër u bëhej zhvillimeve të ‘81-s prej mediave të huaja, edhe pse të huajve u ishte ndaluar të hynin në Kosovë. Agjencitë e fuqishme të lajmeve, Reuters e AFP, u kishin kushtuar demonstratave hapësirë të konsiderueshme, megjithëse nuk kishin mundësi dërgimi të gazetarëve në Kosovë, sepse ishin prerë lidhjet e komunikimit me jashtë. Gazetat më të fuqishme amerikane, britanike, gjermane, franceze, italiane e të tjera shkruanin për Kosovën.
Në kohën kur po përgjakeshin rrugët e Kosovës, “Rilindja”, organ zyrtar i Lidhjes Komuniste, kishte zgjedhur heshtjen
“Christian Science Monitor” më 7 maj të vitit 1981 kishte tekstin e titulluar: “Kosova po shkakton një spastrim jugosllav?”
David Binder i prestigjiozes “New York Times” më 19 prill të vitit 1981 shkrimin e titulluar “Një stuhi kaloi, por të tjera po mblidhen në Jugosllavi” e niste: “Josip Broz Tito nuk ka një vit që ka vdekur, por ‘vëllazërim-bashkimi’, që e kishte ushqyer për 35 vjet, tashmë është copëtuar në anën e ndjeshme, në Krahinën e Kosovës të banuar kryesisht me shqiptarë”.
Edhe
Sot bëhen 41 vjet nga demonstratat e vitit 1981
Prestigjiozja amerikane u tregonte lexuesve se si Universiteti i Prishtinës me 48 mijë studentë më 1981 ishte prej më të mëdhenjve në Jugosllavi.
Atëherë dhe pastaj, pos rolit parësor të shkollimit, do të shërbente si çerdhe e lëvizjeve paqësore. Edhe të armatosurës në vitet ’90, pasi Jugosllavia e Milosheviqit do t’i dëbonte nga objektet universitare. Në liri organizatorët e demonstruesve të ‘81-tës do të ktheheshin në Qendrën Studentore për t’ua treguar fëmijëve e nipave dhomat ku tinëz kishin shkruar parullat “Kosova Republikë”.Vinjeta: Shtypja e dhunshme e demonstratës së 26 marsit do t’i jepte hov pakënaqësisë mbarëpopullore që do të përshkallëzohej e shtypej dhunshëm nga forcat speciale policore e ushtarake të Jugosllavisë më 2 e 3 prill. Beogradi shpalli gjendje të jashtëzakonshme në Kosovë, duke i përdorur edhe aeroplanët luftarakë “MiG”