Kosova është shteti më i ri në Evropë me vetëm pak vite jetë politike të mëvetësishme, por i ndërtuar mbi një realitet etnik, politik, historik e kulturor ndër më të lashtët në Gadishull.
Dhe si çdo shtet ka nevojë imediate të përvijojë edhe shtratin simbolik identitar, në afirmim të rrënjësisë historike të shoqërisë kombëtare shqiptare që ka në themel të tij.
Një nga elementët e rëndësishëm të këtij afirmimi dhe krijimi të fytyrës identitare, është dhe simbolika figurative që arredon apo duhet të arredojë mjediset urbane të saj.
Rrënjësia historike e shtetit të ri
Është e ditur se deri pak vite më parë, në mungesë të mëvetësisë politike, Kosova e kishte të pamundur të pasqyronte në hapësirat publike të saj atë identitet kombëtar, historik e kulturor që i përket. E tash që mëvetësia politike e lejon, vërehet vërtet një “aksion” për ta plotësuar këtë mangësi të theksuar të afirmimit identitar në aspektin figurativ në mjedisin urban. Por cilat ishin dhe janë tendencat në drejtim të këtij afirmimi, dhe a duket ndonjë vizion programor apo ndonjë projekt përgjithësues që ka si qëllim afatgjatë të krijojë një fizionomi simbolike mirëfilli identitare?
Që në fillesë u vu re prirja për të simbolizuar përmes paraqitjes figurative në mjedisin urban elementët që ngjizën këtë shtet të ri, Republikën e Kosovës. Kjo u shpreh në ansamblin skulpturor “NEWBORN”, apo edhe në iniciativat për të përkujtuar dhe përjetësuar në objekte skulpturore urbane protagonistët e luftës së fundit, komandantë apo luftëtarë të UÇK-së, liderë politikë të kohës së sotme, apo edhe figura ndërkombëtare që kontribuuan në këtë kthesë të madhe historike.
Në vështrim parësor kjo dukuri mbart logjikën e natyrshme të faktit dhe shpreh pikën themelore identitare të këtij shteti të ri, pasi simbolizon aktin dhe protagonistët që çuan drejt këtij shtetformimi të ri. Por në një analizë më të thelluar, kjo simbolikë përbën vetëm një anëpamje të kujtesës identitare të Kosovës, atë të njësisë politike të krijuar prej rrethanash historike bashkëkohore. Anëpamje të tjera të rrënjësisë historike të shoqërisë kombëtare, të trashëgimisë politike, qytetërimore e kulturore të këtij populli që zhvillon jetën e tij në këtë territor prej dhjetëra shekujsh, ende nuk po shihet të rimerren për të plotësuar atë shtrat të nevojshëm për arsyen ekzistenciale të këtij shteti të ri me shoqëri të vjetër kombëtare. Ndërkohë që është nevojë imediate që kjo të afirmohet edhe përmes simbolikës skulpturore urbane./ Bujar Vani
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në Shtojcën për Kulturë të numrit të sotëm të Kohës Ditore)