Romani më i ri i Ibrahim Kadriut, “I mbeturi në Beograd” nuk është veç shpërfaqës i historisë personale të shqiptarit të përndjekur në Serbi, Azem Jetush Behluli, por edhe tregues i gjendjes së shqiptarëve në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore e deri te vitet ’80, si veprime të urrejtjes nacionale. Vepra – të cilën e sjell Botimet KOHA, e përuruar të premten në kafe-librarinë KOHA – nëpërmjet fatit individual, dokumenton fatin kolektiv të shqiptarëve përballë represionin serb
Në përballje të parë me librin, është titulli ai që intrigon. Kureshtjen për përmbajtjen e tij e shton edhe më skica e lehtë e hotelit “Prag” dhe e një djaloshi para saj. Shfletimi në kapitullin hyrës zbërthen peripecitë e një gazetari në periudhën e demonstratave studentore, por ngjarja nuk mbaron veç në hallkat e raportimit.
Bekim Përroi merr urdhër nga redaktori i tij që të shkojë në Beograd për të gjetur një burrë shqiptar, i cili është fëmijë kaçaku dhe ka histori familjare të represionit nacionalist. Në jetën e kryeprotagonistit të këtij rrëfimi, Azem Jetush Behluli, përndjekja është sinonim jetësor. Dhe kjo nis që në moshën 4-vjeçare, atëherë kur bashkë me motrën e tij dhe me mijëra fëmijë shqiptarë e dërgojnë në kampin e Zajeçarit të Serbisë.
Por ky nuk është epilogu i ngjarjes që shënoi kthesën jetësore të Behlulit, por është veç fillimi i historisë në 152 faqe rrëfim të Ibrahim Kadriut. Dhuna e represioni ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi, detyrimi i jetesës në Beograd, martesa me një serbe e harresa e gjuhës amtare shqipe janë disa dimensione të romanit “I mbeturi në Beograd”, i përuruar të premten në kafe-librarinë KOHA.
Vepra më e re e Kadriut nuk është veç shpërfaqëse e një historie personale e cila del në dritë si temë nëpërmjet raportimit të gazetarit Përroi dhe ballafaqimit me të, por edhe treguese e gjendjes së shqiptarëve në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore dhe e veprimeve që ndodhin si shkak i urrejtjes nacionale. Rrëfimi vjen sa nga gazetari Përroi, e sa nga vetë protagonisti Behluli. Mirëpo autori kujdeset që të mos ketë veç njërën anë të peshores. Me personazhe dytësore brenda romanit jep edhe mesazhin e dashurisë njerëzore përtej paragjykimeve etnike.
Për romanin e tij të redaktuar nga Zenun Çelaj, autori qe fjalëpak. Në përurim ka thënë më të vështirë e ka të flasë para vetë lexuesve, e që shumica prej tyre janë vetë shkrimtarë, sesa në krejt procesin e shkrimit.
“Është çështje e traditës historike. Jam në ata binarë të gjetjes së temave historike dhe tash shumicën e veprave i kam të bazuara në faktografi historike. Edhe imagjinata është në shprehje”, ka thënë ai për veprën.
Me këtë roman ai ka pranuar se tenton të shpalosë dy linja kohore: urrejtjen e serbëve ndaj shqiptarëve në atë kohë dhe të tanishmen kur “nuk ka pengje, por ka të vdekur”.
“Jam përpjekur ta zbardhi në atë mënyrë (që të shpalos) dy kahe: kohën kur kanë ndodhur këto demonstrata dhe kohën para 50-60 vjetëve kur xhandarmëria ka bërë masakra te shqiptarët”, ka thënë Kadriu.
I ndarë në 18 kapituj, secili prej tyre i ngjan një rrugice që kompleton hapat e autorit nëpër këtë rrugëtim letrar. “Me zhurmën e trenit mbi binarë”, “Përballë syrit të shtetit”, “Në hotelin ‘Prag’, “Shqiptari që nuk dinte shqip”, “Vështirë është të jesh shqiptar”, “Dashuri e dhunshme”, “Grushtet jashtë ringut” janë veç disa nga to që e rritin kureshtjen për të gjurmuar nëpër libër.

Flaka Surroi, drejtoreshë menaxhuese e Grupit KOHA, ka thënë se ky është libri i gjashtë i autorit që botohet nga Botimet KOHA.
“Romani më i ri i Ibrahim Kadriut (është) me një titull shumë intrigues, i cili tregon përafërsisht se figurën të cilën e ka zgjedhur ta paraqesë është njeriu që falë rrethanave të ndryshme, kryesisht politike, mbetet atje. Dhe është një gazetar i cili merr detyrë nga redaksia të shkojë dhe ta gjejë në Beograd, kalon në shumë peripeci dhe më në fund aty e zbulojmë rrëfimin e gjithë asaj që ka përshkruar Ibrahimi në librin e tij”, ka thënë Surroi.
Labinot Berisha, recensent i romanit, ligjërues në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”, ka vlerësuar se në këtë vepër nëpërmjet individit shpaloset drama e shoqërisë. Ka theksuar se “I mbeturi në Beograd” është vëzhgim për ngjarjet që u kanë ndodhur shqiptarëve të Kosovës nga serbët, duke filluar nga Lufta e Dytë Botërore e deri te vitet ’80.
“Shkrimtari Kadriu e ka shprehur jetën e Azem Behlulit në dy aspekte. I pari lidhet me vuajtjet dhe pësimet e vijueshme, arrestimin dhe dërgimin në burgun famëkeq, ‘Goli Otok’, pastaj me pamundësinë e takimit me babanë dhe njerëzit e farefisit, vdekjen e motrës, harrimin e gjuhës amtare, mbetjen në Beograd”, ka thënë ai teksa ka lexuar recensionin e tij.
Aspekti i dytë sipas Berishës, ndërlidhet me ëndrrën për rikthim në vendlindje, e që kjo është kushtëzuese e së parës.
“Edhe vetë gazetari, Bekim Përroi, i cili vihet në kërkim të ndriçimit të jetës së Azem Behlulit gjatë udhëtimit për në Beograd, përjeton si shqiptar, të papritura me çka dëshmohet se shqiptarët pa marrë parasysh profesionin dhe moshën, ishin ndjekur dhe ndiqeshin dhe ndaj tyre bëhej dhunë nga njerëzit e pushtetit, sidomos nga policia”, ka thënë Berisha.
Për të, Kadriu ka arritur të shpalosë një histori sa të trishtë aq të dhimbshme, që e mban lexuesin gjatë gjithë leximit.
Ardian Haxhaj, recensent i librit, ka thënë se në këtë roman, Kadriu ka arritur të pasqyrojë periudhën e represionit serb në Kosovë, “ku secili shqiptar ishte i mbikëqyrur nga milicia, që rezulton me keqtrajtime të qëllimshme në relacionin pushtues - i pushtuar”.
“Shqiptari i Kosovës së atëhershme maltretohej edhe vetëm pse lexonte libra të botuar në gjuhën shqipe, siç është rasti me shprehjen e dyshimit të milicisë pse protagonisti Bekim Përroi e lexonte në gjuhën shqipe një libër – roman të botuar në Shqipëri”, ka thënë Haxhaj, shkrimtar e studiues.
Sipas Haxhajt, çdo rrëfim rrethanor i karaktereve të tjera e plotëson mesazhin e veprës.
“Fati i Azem Behlulit është fat dokumentar i qindra e mijëra familjeve shqiptare të internuara nëpër Serbi si pengje detyruese për dorëzim të nacionalistëve që i pretendonin ata”, ka thënë ai.
Romani për të depërton edhe më thellë se shfaqja e urrejtjes nacionaliste të serbëve. Përmes relacionit të gazetarit Përroi dhe serbes Zdenka jepet mesazhi i dashurisë njerëzore dhe respektit përtej gjykimeve e urrejtjeve.
“Në letërsinë shqipe rrallë është trajtuar tema e të internuarve të familjeve shqiptare në Serbi dhe tema e mbajtjeve të pengjeve. Prandaj ky roman e sforcon edhe më shumë obsesionin krijues të shkrimtarit Kadriu në letrarizimin e dokumentaritetit”, ka thënë Haxhaj.
Ibrahim Kadriu ka punuar si gazetar e redaktor në gazetat “Rilindja” “Zëri”. Ka qenë kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ndërkaq tash është nënkryetar i PEN Qendrës së Kosovës. Ka shkruar mbi 80 libra, 37 prej tyre romane. “Vdekja e Anilës”, “Misioni rus”, “Pjella e dreqit”, “Përtej binarëve” janë disa nga veprat e tij. Është i përkthyer në më shumë se dhjetë gjuhë, duke përfshirë serbokroatishten, greqishten, turqishten, arabishten, anglishten, norvegjishten, italishten dhe të tjera. Me “Misionin rus” mori shpërblimin “Rexhai Surroi” për romanin më të mirë, më 2016. Përveç çmimeve të shumta letrare, është laureat i Çmimit për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në vitin 2019.