Kulturë

“Hyjneshat...” e shtetit të izoluar në Shtëpinë e Evropës

“14 vjet rrugëtim drejt BE-së, ‘Hyjneshat’”, është ekspozita me të cilën Arjeta Miftari në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë solli një transformim pamor e kuptimor të ikonës të cilën ndër vite e ka sjellë në skulpturë, “Hyjneshës në Fron”. Në prag të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës zbërthen fatin ironik të kufizimit të lëvizjes së lirë të kosovarëve

Ikonave identifikuese të trashëgimisë kulturore ua ka hequr ndër vite pluhurin historik. I ka shndërruar në personazhe reale të jetës së përditshme, duke u dhënë emocione e role në skulpturat e saj nëpërmjet rikrijimit artistik. Por, kësaj radhe ato i ngriti në një rrafsh krejtësisht tjetër – atë të vendimmarrjes.

Izolimin e kosovareve Arjeta Miftari e ka portretizuar nëpërmjet të njohurës “Hyjneshës në fron”. Në prag të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ajo zbërthen fatin ironik të kufizimit të lëvizjes së lirë të kosovarëve dhe me theks të veçantë, penalizmin e artistëve për shkak të mosliberalizimit të vizave.

“14 vjet rrugëtim drejt BE-së, ‘Hyjneshat’” është ekspozita me të cilin Miftari në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë solli një transformim pamor e kuptimor të ikonës, të cilën ndër vite e ka sjellë në skulpturë në versione të ndryshme, por që ruajnë linjat e artefaktit neolitik.

“Jo”, “Ndoshta”, “S’ka shans”, “Afirmative”, “S’jam i sigurt” nuk mbesin vetëm disa nga përgjigjet të cilat Kosova i merr për mundësinë e përfshirjes në Bashkimin Evropian e rrjedhimisht edhe lëvizjen e lirë.

Në veprat e Miftarit ato janë pjesa kryesore që përçojnë mesazhe. Në rrethin e bardhë janë të vendosura hyjneshat, të cilat të punuara nga poliesteri, vijnë me dukje e madhësi të ndryshme. E përbashkëta e secilës prej tyre është shalli, si pjesë e pandashme edhe e jetës artistike të vetë autores. Teksa përpara secilës hyjneshë, në letër shkruhen përgjigjet, ajo e kryesuesit është e mbyllur. Dhe kjo jo rastësisht, por me qëllim që publiku ta zbulojë vetë duke e kthyer prapa. Miftari bëhet optimiste dhe jep sinjalin e gjelbër, duke qenë kjo shpresa e kamotshme e banorëve të Kosovës. Ngjyrat janë ato që i japin edhe më shumë fuqi mesazhit. Nuk mungon e kaltra dhe e verdha, si simbolikë e shtetit të Kosovës, por edhe e flamurit të Bashkimit Evropian.

Image
Duke e parë ekspozitën e tanishme si të pandarë nga rrugëtimi i mëhershëm, ka ekspozuar edhe versionin e printuar të ciklit të hyjneshave të “Rrugëtimit”

Mirëpo, skulptorja nga Peja nuk ka dashur të shpalosë vetëm finalizimin e veprave. Publikut ia ka sjellë edhe prapaskenën e gjithë këtij rrugëtimi. Ka ekspozuar 30 fotografi të procesit të punës, në të cilat shihet në atelienë e saj. Kështu ka dhënë edhe mesazhin se transformimet, qofshin ato edhe të politikës ndërkombëtare, ndodhin veç me punë.

Ndërkaq duke e parë ekspozitën e tanishme si të pandarë nga rrugëtimi i mëhershëm, ka ekspozuar edhe versionin e printuar të ciklit të hyjneshave të “Rrugëtimit”, që pati fatin ta shpalosë edhe në Gjermani, Francë e disa vende të tjera. “Hyjnesha e rrëmbyer”, “Hyjnesha mendimtare”, “Hyjnesha e errësirës” e “Hyjnesha e përkulur” janë disa nga 12 veprat të cilat kanë mbetur nga ajo kohë që rikthehen në një medium tjetër.

“Meqë jemi në prag të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës e kam parë të nevojshme të bëj një ndërlidhje midis tradicionales dhe modernes”, ka thënë Miftari për KOHËN.

“14 vjet rrugëtim drejt BE-së, ‘Hyjneshat’” ka qenë plan i kamotshëm i saj, por që gjeti realizim tek tash.

“Ngjyra e kaltër është karakteristikë e kësaj ekspozite – e që më herët nuk kam realizuar vepra përveç ngjyrës së rezinës – duke pasur parasysh flamurin e Kosovës dhe të BE-së”, ka thënë ajo.

Për gjithë procesin e punës ka thënë se është rrugëtim periodik dhe i vështirë, e “nuk është veç finalja që e ekspozojmë” . Përdorimin e shallit e ndërlidh edhe me aspektin emocional, lidhjen e saj me nënën dhe përdorimin nga ana e saj, për të cilën thotë ta ketë frymëzim jetësor.

“Është shalli që e paraqes në çdo punë sepse kur kam pasur nevojë e kam larguar nga koka dhe e kam përdorë si mjet pune”, ka thënë Miftari.

Në hapjen e ekspozitës mbrëmjen e së hënës, ajo tregon të jetë veshur me rrobat e punës.

Image
Publikut ia ka sjellë edhe prapaskenën e gjithë këtij rrugëtimi. Ka ekspozuar 30 fotografi të procesit të punës, në të cilat shihet në atelienë e saj

“Sepse nëpërmjet punës mund të arrijmë në BE sepse ne jemi ata të cilët dimë më së miri të prezantojmë artin, kulturën e vlerat tona” , ka thënë ajo.

Ka edhe simbolika të tjera, që fshihen në skulptura.

“Unë e kam paraqitur edhe një femër që është me barrë. Edhe ajo është pjesë e tryezës, është interesante sepse unë nuk kam bërë asnjëherë përjashtime, sepse duhet të jenë pjesë e procesit”, ka thënë Miftari për njërën nga skulpturat, të cilat i ka sjellë në format më të vogël se zakonisht.

Për këtë ekspozitë shtysë ka qenë edhe gjendja e artistëve në raport me pjesëmarrjen në organizime jashtë Kosovës. Kjo për shkak se, sipas saj, artistët më shumë duhet të merren me dokumentacione sesa me vetë veprat.

“Derisa ne duhemi që të merremi me procesin e krijimit të veprave, duhet të merremi edhe me procedura të cilat Kosova jonë nuk ka na falur këtë mundësi. Unë kam pasur fatin e mirë që Tirana ma ka dhënë shtetësinë shqiptare dhe ma ka lehtësuar rrugëtimin. Por përndryshe as unë nuk do të mund të rrugëtoja nëpër ekspozita në vende të ndryshme sepse është shumë e vështirë”, ka thënë ajo duke shtuar se bartja e veprave jashtë vendit është “prapaskena” e ekspozimit jashtë vendit. “Lëre që është shumë e kushtueshme, por edhe duhet dokumentacion si të jetë njeri”, ka thënë artistja.

Miftari mbetet me shpresën se këtë vit gjërat do të shkojnë në favor të Kosovës dhe uron që artistët të kenë më shumë mundësi të prezantimit të vlerave të tyre.