Kulturë

“Hotel Grand” në bunkerin e kujtesës midis frikës dhe absurdit

“Hotel Grand” në bunkerin e kujtesës midis frikës dhe absurdit

Skenat e ndryshme në shfaqje nxjerrin në pah edhe gjendjen psikologjike të njerëzve në izolim. Absurdi është i pashmangshëm në rrethana të tilla. Brenda pak metrave katrorë dyshja Qena e Smajli kanë sjellë ndjesitë e qëndrimit në bunker

Projektin e tyre teatror e kanë përshkruar si një lojë e histori imagjinare, absurde, të tensionuar dhe poetike për kujtesën, ikjen, pushtetin e mbijetesën. Personazhet e “Hotel Grandit” janë në tension të vazhdueshëm. Mundohen të disponohen me ndonjë lojë, por s’iu ecën. Loja e tyre psikologjike është baza e shfaqjes. Ambienti është pika më e fortë. Janë ditë të errëta kur u shkon mendja ngado. Çdo ditë e tyre mund të jetë e fundit. Rebeka Qena e Armend Smajli nëpërmjet shfaqjes “Hotel Grand” kthejnë kohët e vështira. Ato të bunkerëve

Rrëfimet e qytetarëve të Prishtinës, por edhe të krejt Kosovës për qëndrime të gjata në bodrumet e shtëpive gjatë luftës së fundit janë të shumta. Por, shpeshherë janë sipërfaqësore duke u përmendur vetëm koha e qëndrimit e ndonjë ndodhi më e rëndësishme. Por, ndokush që ka mbajtur ndonjë ditar prek lexuesit me anën psikologjike të krijuar në ato ambiente. E kjo anë preket për rreth një orë në shfaqjen e dyshes Rebeka Qena e Armend Smajli. “Hotel Grand” mban titullin shfaqja me tekst e regji të dyshesh. Premiera dhe repriza e parë janë dhënë pikërisht në ambientet e hotelit, emri i të cilit është përzgjedhur për ta titulluar këtë projekt teatror. 

Hoteli “Grand” deri diku është shndërruar në njëfarë bunkeri. Ndërtesa dikur me nam e Kosovës, si pjesë e ish-Jugosllavisë gjatë viteve ’90, s’iu bënte nikoqirllëk shqiptarëve. Ishte zaptuar nga pushteti serb. Ishte njëfarë bunkeri i pushtetit të dhunshëm. E pas luftës së fundit është njëfarë bunkeri në sipërfaqe i historisë më të re të Kosovës, privatizimit, abuzimit, shpalljes monument e çka jo tjetër. 

Në një qoshe të qendrës “Barabar”, që funksionon në katin e katërt të njësisë jugore të “Grandit”, ka zënë vend edhe shfaqja. Hapësira është rregulluar sikurse një bunker. Dritaret mbahen të veshura me najlon të zi e ambienti përreth e bëjnë tamam bunker. Dyshja e aktorëve “izolohet” aty. Frikën e kanë të madhe, aq sa nganjëherë frikësohen edhe nga njëri-tjetri. Ushqimet e konservuara, një tip transistori i vogël e detaje të tjera zhysin audiencën prej 20 vetash në historinë që shpaloset. Aty s’ka vend për ëndrra të tjera, pos shpëtimit. Armend Smajli është personazhi që bart konspiracionet. Por, nganjëherë edhe i dalin të sakta. Dyshja sjell detaje nga jeta në izolim. Projektin e tyre teatror e kanë përshkruar si një lojë e histori imagjinare, absurde, të tensionuar dhe poetike për kujtesën, ikjen, pushtetin e mbijetesën. Janë në tension të vazhdueshëm. Mundohen të disponohen me ndonjë lojë, por s’iu ecën.

Loja e tyre psikologjike është baza e shfaqjes. Ambienti është pika më e fortë. Janë ditë të errëta kur u shkon mendja ngado. Çdo ditë e tyre mund të jetë e fundit. Përderisa tensioni psikologjik iu shtohet, shpesh ngjajnë me njerëz që po e humbin arsyen. Nevojat fiziologjike i bëjnë të frikësohen nga njëri-tjetri. Janë nën tension të vazhdueshëm. Shfaqja e tyre e ka bazën në dramën e britanikut Dennis Kelly, “After the end”. Në këtë dramë, që u dha premierë më 2005, Louise zgjohet në një strehë nëntokësore kundër sulmeve bërthamore. Mark i thotë se e ka shpëtuar nga shkatërrimi i një sulmi bërthamor dhe e ka sjellë në siguri në strehën e vjetër në kopshtin e tij. Në këtë shfaqje ajo zbulon se ai e ka mbushur hapësirën me ushqim të konservuar me spec djegës. Të izoluar nga bota, përpiqen të luajnë së bashku dhe beteja psikologjike përshkallëzohet me kalimin e ditëve. 

Dyshja Qena dhe Smajli këtë rrëfim e ka përshtatur me kohët e rënda në Kosovë. Lojërat nuk iu ecin. Shndërrohen në tip minjsh duke simbolizuar efektet psikologjike që ka një jetë e tillë. Simbolika tregon edhe tjetërsimin që u bën lufta njerëzve e po ashtu edhe si i detyron e i shndërron ata në lloj kafshësh.

Përtej situatave të para më shumë se çerekshekulli, shfaqja komunikon edhe me disa kriza e luftëra që sot janë aktive në botë. Rrëfimet për mbijetesë nëpër bunkerë në Ukrainë – prej vitit 2022 kur filloi lufta me Rusinë – janë të shumta. E qytetarët izraelitë futjen në bodrume shkaku i alarmeve për sulme e kanë të shpeshtë. Këto ditë sulmet ajrore midis Izraelit dhe Iranit kanë marrë hov. Rrëfimi i dyshes Qena e Smajli u shkon për shtati edhe tregimeve e ndjesive të popujve që tash janë në luftë. Prekin momente psikologjike dhe i bëjnë ato të gjalla përpara audiencës. Loja e tyre është histori e trishtë, që duket qartë se tek ata që e kanë përjetuar pasojat do të jenë aktive gjatë gjithë jetës. Informacionin e kanë thuajse joekzistent. Nëpërmjet transistorit pak merret vesh. E biçikleta ndihmon për prodhim të energjisë që të mos merret vesh se aty banon dikush. Përplasen për gjëra krejt të panevojshme. Prekin kufijtë e çmendurisë. Shfaqja është edhe një lloj homazhi për kujtesën që deri diku është venitur. Për ditët e vështira të njerëzve që s’kishin punë me pushtet a ideologji, por ruanin kokën e tyre. 

Aktorja Rebeka Qena derisa ka folur për shfaqjen ka thënë se në jetë ka ngjarje që të formojnë, edhe pse shpesh nuk e kupton në atë moment. 

“Për mua, një prej atyre periudhave formuese ishin vitet '90. Nuk isha e vetëdijshme atëherë që ajo kohë po më linte gjurmë. Por sot me distancën që ta jep koha e shoh më qartë veten, gjeneratën time, sjelljet tona, dhe pamundësinë për të ndikuar në ndryshimin e rrethanave”, ka thënë ajo. Sipas Qenës, kur nuk mund ta ndryshosh realitetin, ikja bëhet mekanizëm mbijetese.

“Iknim në imagjinatë, krijonim rregulla brenda një bote që e shpiknim vetë. Nevoja për këtë shfaqje lindi nga dëshira për të treguar një rrëfim për njerëzit që, për shkak të rrethanave sociale apo politike, humbin aftësinë për t’i identifikuar ndjenjat dhe nevojat e tyre”, ka thënë ajo. Ka sqaruar se e kanë rivizituar atë të kaluar të imagjinuar, ku dy personazhe, të shtyrë nga nevoja për të shpëtuar dhe për t'u shprehur, përfundojnë në një botë absurde. 

“Sepse ndonjëherë, absurdi është forma e vetme e ndershme për ta treguar të vërtetën”, ka thënë ajo. 

Aktori Armend Smajli ka treguar se ideja për këtë shfaqje ka ardhur nga muhabetet me kolegen Rebeka Qena. 

“Paslufta si pasojë dhe traumë më e madhe i ka eklipsuar traumat dhe vitet para saj. Andaj ju futëm një lloje fragmentimi të viteve ’90, por edhe ’80, si një pasqyrim i një demence sonë.  Edhe privatisht kur flasim për kohen para luftës sikur kemi gjysmë kujtime, gjysmë memorie. Edhe donim të shpërfaqnim mbase në mënyrë imagjinare personazhe të kohës, të cilët nuk kanë përfaqësuar asnjë ideologji të caktuar”, ka thënë ai. 

Sipas Smajlit, bëhet fjalë për një histori imagjinare, absurde dhe diku-diku thellë gjysmë kujtime të një gjenerate që jetoi në kohë të çuditshme. 

“Rrjedhimisht edhe teksti doli si i tillë. I çuditshëm në absurditetin e tij të kohës”, ka thënë ai. 

Dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë se ishte një shfaqje krejtësisht e veçantë, mirë e konceptuar në atë ambient jokonvencional. 

“Ambienti skenik ishte i shkëlqyeshëm, krejtësisht bindës, deri edhe klaustrofobik, që i shërbente mirë temës së shfaqjes. Ishte prandaj goxha e vështirë për lëndën dramaturgjike, për përmbajtjen, t’i bënte karshillëk atij ambienti skenik kaq të fuqishëm”, ka thënë Neziraj. Ka folur edhe për spontanitetin. 

“Më pëlqeu ‘spontaniteti tematik’ dhe ajo ‘liria’ gati e shfrenuar për të prezentuar e përtypur skenikisht tema e çështje që shpesh nuk kishin të bënin fare me njëra-tjetrën, madje na përplaseshin arbitrarisht e madje edhe dhunshëm”, ka thënë ajo.

Skenat e ndryshme në shfaqje nxjerrin në pah edhe gjendjen psikologjike të njerëzve në izolim. Absurdi është i pashmangshëm në rrethana të tilla. Brenda pak metrave katrorë dyshja Qena e Smajli kanë sjellë ndjesitë e qëndrimit në bunker me produksionin e fondacionit “La Rremë”, i themeluar së fundmi, duke përdorur atë që ishte “nickname” i një prej pionierëve të skenës teatrore në Kosovë, Muharrem Qena.