Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Hot Blood” me hakmarrje, krim e tradhti mat pulsin e audiencës

Seriali “Hot Blood” i ka hapur rrugë depërtimit nëpër ekranet televizive në vend e më gjerë. Në ekranin e madh, premiera e një versioni që kapërthen pjesë nga dhjetë episodet, ka qenë vetëm një matje pulsi përballë audiencës. Për pjesëtarët e ekipit: kurorëzim i një pune jo pa sfida gjatë dy vjetëve. Nëse ia kanë dalë, testi më i mirë do të jetë kur të nisë të shfaqet në ekrane të vogla. Hakmarrje, krim, tradhti, shumë ngjarje, aksione e drama shtrihen në kapitujt e këtij produksioni me jo pak pretendime.

Për Jack Tahirin, regjisorin dhe jo vetëm, njashtu sikurse dhe për skenaristin

Për Fidan Tahirin, premiera në “Cineplexx” ka qenë emocion më vete edhe për shkak të rrethanave personale me të cilat janë përballur derisa është realizuar seriali. Jack Tahiri ka pasur edhe rolin e producentit, montazherit, kameramanit, aktorit, tenistit. Ka shkruar edhe një pjesë të skenarit, bashkë me të vëllanë Fidan Tahiri. Në vlugun e punës për “Hot Blood”, i ati i tyre përballej me sëmundje të rëndë. Skenari u shkrua në oborr të spitalit. Babai i tyre ishte në sallën e operacionit.

“Kam qenë vetja aty dhe ai që kam dashur të jem pasi kam pasur emocione të mëdha gjatë të shkruarit. Derisa kam pritur të marrim lajme të mira nga spitali dhe frika nga ana tjetër, unë kisha fuqi të shkruaja që këta të punojnë”, ka thënë skenaristi Tahiri. Megjithatë, për nga ana profesionale ka thënë se seriali ka të bëjë me një version të ri për kinematografinë, të paktën për atë kosovare. I emocionuar është shprehur edhe regjisori Jack Tahiri.

“Kam bërë provat në orën tetë, në nëntë, dhe jam detyruar të hip në aeroplan, në dy të natës me shku te baba që e kemi pasë të sëmurë me kancer”, ka thënë ai. Për KOHËN ka thënë se ka qenë një punë me shumë ngarkesë dhe se është ndier se ka hequr një barrë shumë të madhe nga vetja.

“Jam munduar që brenda 45 minutave ta bëj një vijë dramaturgjike që të kuptohet, sepse në sallë është dukur më shumë si film sesa si pjesë e serialit. Është i bazuar në ngjarje të vërtetë, por disa gjëra janë hiperbolizuar për ta mbajtur vijën dramaturgjike ose të lidhet skena me tjetrën dhe të ketë kuptim ajo histori e vërtetë”, ka thënë regjisori Tahiri për versionin e shfaqur në kinemanë “Cineplexx” të premten mbrëma.

Që në fillim të versionit të shfaqur tashmë, bëhet e ditur se personazhi kryesor, Trimi, që luhet nga aktori i ri Lirim Topalli, është futur në telashe. Në burg është skena hapëse.

“Në momentin që kam dalë në setin e parë të xhirimit kam pasur shumë emocione dhe kemi kaluar shumë mirë. Kemi pasur pengesa dhe gjithçka, por mund të them se nuk do të mund ta harroj për gjithë jetën”, ka thënë Topalli në një prononcim për KOHËN. Për aktorin 23-vjeçar është roli i parë

Sekuenca e parë pas intros së serialit zhvendoset në një pijetore. Krah Trimit qëndron Enveri, rolin e të cilit e luan aktori Veton Osmani. Ai paraqitet si personi i besueshëm i personazhit kryesor, derisa prapa shpinës së tij bashkëpunon me mafinë, e cila e kishte shtyrë drejt telasheve që e kishin futur në burg.

Para publikut, aktori Osmani ka thënë është bërë punë e madhe dyvjeçare. “Xheki ka bërë një kombinim të hatashëm, janë disa të rinj që kurrë nuk kanë dalë para kamerave, por do të krijoni përshtypje shumë të mira për ta. Ata kanë arritur të jenë në nivel po aq profesional sa jemi ne me më shumë përvojë”, ka thënë Osmani para fillimit të shfaqjes së premierës.

Njëri prej aktorëve me përvojë është edhe Vedat Haxhiislami. Në serial udhëheq grupin kundër Trimit. Zëri i Pavarottit me “La donna è mobile” prej “Rigolettos” dëgjohet në prapavijë derisa përgatitet komploti.

“Është vështirë, boll. Por një nga gjërat që mua më ka pëlqyer në këtë serial ka qenë që regjisori Jack Tahiri ka marrë guximin të punojë me 80 për qind të aktorëve që nuk kanë qenë të këtij profesioni”, ka thënë aktori Haxhiislami.

Skenat e serialit papritmas bëhen dramatike. Trimi vendos të ballafaqohet me organizatën me të cilën ishte hasmëruar. Do të marrë hak.

“Hot Blood” sjell dhimbjen nga e kaluara mes kujtimesh. Përçon porosinë për falje. Por rrëfimin e plotë i mbetet publikut që ta zbardhë.

Artikuj të ngjashëm