Kulturë

Historitë për emigrantë nga Kosova dhe për gjakmarrjen takohen në Danimarkë

“Një përrallë poetike, prekëse, ku dokumentimi i realitetit takon realizmin magjik”, është përshkrimi që i është bërë dokumentarit “Wake Up on Mars” nën regji të Dea Gjinovcit, që përcjell peripecitë e një familjeje nga Kosova që kërkon azil në Suedi. “Reconciliation” i regjisores sllovene Marija Zidar është një dramë epike për urrejtjen dhe faljen. Dokumentari i saj i përkrahur edhe nga Qendra Kinematografike e Kosovës trajton fenomenin e gjakmarrjes në Shqipëri

Dy drama që në një formë apo tjetrën kapin copëza nga jetesa e shqiptarëve, në vendlindjen e tyre a në mërgim, do ta plotësojnë mozaikun e dokumentarëve që janë pjesë e edicionit të sivjetmë të “Copenhagen International Documentary Film Festival”. Bëhet fjalë për filmin “Wake Up on Mars”, nën regji të regjisores Dea Gjinovci nga Kosova, dhe projektin filmik “Reconciliation”, nën regji të Marija Zidar bashkëproduksion i Sllovenisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Dokumentari i Dea Gjinovcit, regjisores së lindur në Zvicër, është pjesë e kategorisë jogaruese, “Highlights”. Qëllimi i kësaj kategorie është mbledhja e hiteve të festivalit dhe rrëfimeve që duhet të zënë ballinat.

“Filma të mrekullueshëm, histori të mrekullueshme dhe karaktere të mrekullueshme”, është shkruar në ueb-faqen e festivalit.

Ndërsa “Reconciliation” i regjisores nga Sllovenia, që ka një bagazh edhe si gazetare, është pjesë e garës zyrtare. Dokumentari nën regji të Zidarit është pjesë e kategorisë “Next: Wave Award”, që bën bashkë filmbërësit në ardhje nga e gjithë bota.

“Copenhagen International Documentary Film Festival”, që ndryshe njihet si “CPH:DOX”, është një nga më të rëndësishmit në botë sa i përket filmit dokumentar. Edicioni i sivjetmë në vend që të mbahej në mars është shtyrë. Mbahet prej 21 prillit deri më 2 maj. Për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, festivali do të mbahet në formatin hibrid. Në tërësi programi garues është i përbërë nga 64 filma, mes tyre 47 premiera botërore, 9 kombëtare dhe 6 evropiane.

Drejtoresha e “CPH:DOX”, sipas një komunikate të Festivalit, citohet të ketë thënë se kanë pritur me padurim që të prezantojnë programin e sivjetmë.

‘’Në mes të një pandemie globale dhe pas gati një viti në izolim, domosdoshmëria e jonë për të shikuar filma që na zgjerojnë horizontin, është më e madhe se kurrë. Programi i sivjetmë përqendrohet në tema të rëndësishme si dominimi i gjigantëve të teknologjisë, lëvizjet e reja demokratike, dekolonizimi dhe ndryshimi i klimës”, është cituar të ketë thënë Tine Fischer. Sipas saj, kanë bërë një përzgjedhje filmash që synojnë të luftojnë paragjykimet, të ofrojnë perspektiva të reja dhe të zhyten më thellë e në forma të ndryshme në konflikte të njohura.

“Filma që ofrojnë zgjidhje dhe u japin zë zërave të papërfaqësuar, të cilët në kushte normale do ta kishin të vështirë të dëgjoheshin”, ka shtuar tutje ajo.

Dokumentari “Wake Up on Mars” siç është përshkruar në ueb-faqen e Festivalit është një realizëm magjik për ëndrrën e një 10-vjeçari që përplaset me realitetin e ashpër në një film prekës e poetik që ka në fokus një familje rome nga Kosova që jeton në Suedi.

Furkani ëndërron që të ndërtojë një anije dhe të largohet nga jeta e të rriturve. Është e kuptueshme kur familjes së tij i është refuzuar azili dhe dy motrat e tij kanë rënë në komë për shkak të “sindromit të tërheqjes traumatike”.

“Jashtë në pyje, aty ku pemët shtrihen drejt qiellit në të cilin ai dëshiron që të venitet, Furkani vazhdon të ndërtojë anijen e tij kozmike gjersa familja shpreson të mbajë gjallë shpresën. Një përrallë poetike, prekëse ku dokumentimi i realitetit takon realizmin magjik”, vazhdon tutje përshkrimi i Festivalit për filmin në kategorinë “Highlights”, që këtë vit ka në fokus gjithsej 16 dokumentarë.

“’CPH:DOX’ është një nga festivalet me të mira dhe më inovative në botë sa u përket dokumentarëve, kështu që jam shumë e nderuar nga kjo përzgjedhje që do të sjellë më shumë njohje dhe shfaqje për një publik me të gjerë për ‘Wake U pon Mars’ dhe fatin e familjes Demiri, veçanërisht në vendet skandinave”, ka thënë Gjinovci. Ka shtuar se familjes Demiri ende nuk i është miratuar azili në Suedi dhe se ata kanë riaplikuar.

Regjisorja Dea Gjinovci u bë e njohur me dokumentarin e saj të shkurtër “Sans le Kosovo”, kur në vitin 2017 fitoi çmimin për filmin më të mirë kombëtar në “DokuFest”. E dokumentari i saj debutues i gjatë “Wake Up on Mars”, premierën kosovare e pati në gusht të vitit të kaluar në festivalin e filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”. Bëri histori. Për herë të parë një film i një regjisoreje kosovare u bë pjesë e garës ndërkombëtare për dokumentarë të gjatë. ”DokuFesti”, për shkak të pandemisë, u mbajt online prej 7 deri më 25 gusht.

Në anën tjetër “CPH:DOX”, ka shkruar se “Reconciliation” nën regji të Marija Zidarit është një dramë epike për urrejtjen dhe faljen. Njëkohësisht, në përshkrim shtrohet pyetja se a mund falja ta thyejë rrethin vicioz të një gjakmarrjeje në malet e Shqipërisë?

“Një 19-vjeçare është vrarë nga një plumb që ishte gjuajtur për të vrarë babanë e saj, në kulmin tragjik të një grindjeje të hidhur familjare midis babait të saj dhe kushëririt të tij, i cili tani është burgosur për vrasje. Apo vdekja e saj është vetëm një kthesë tjetër në një sagë të gjakmarrjes?”, është përshkrimi për filmin nën regji të Zidar. Shkrimi tutje zbulon detajet për dokumentarin e mbështetur edhe nga Qendra Kinematografike e Kosovës në vitin 2017.

“Në malet e Shqipërisë sundon ligji i lashtë fisnor, Kanuni. Edhe pse vrasësi është prapa grilave, fjala e fundit në këtë çështje nuk është thënë. Autoritetet fetare dhe ligjore – si dhe familjet e përfshira – kanë interesat e tyre të fuqishme dhe konfliktuale në ligjin e diskutueshëm, i cili është një tabu si në kishë ashtu edhe në shoqërinë moderne. Sidoqoftë, pyetja është nëse babai i gruas së re mund të gjejë besimin jo vetëm që ta falë kushëririn e tij, por edhe të pajtohet me të dhe të thyejë rrethin vicioz njëherë e përgjithmonë”, vazhdon tutje shkrimi. Aty zbulohet se drama epike e Marija Zidarit e njohur për dokumentaret “Govoreče glave” (2009) dhe “Otrostvo” (2010), është filmuar për më shumë se pesë vjet në Shqipëri.

“Në një botë kokëfortë patriarkale, në pragun e kohëve moderne. Një mal perëndimor nga bota e vjetër, nga gjërat e tragjedive antike”, vazhdon tutje përshkrimi.

Bashkëproducenti nga Kosova i “Reconciliation”, Latif Hasolli, ka thënë se dhënia e premierës botërore në një festival që konsiderohet si njëri ndër më të mirët sa u përket filmave dokumentarë, është një vlerësim që i është bërë punës së regjisores, por edhe stafit.

“Dokumentari është observues dhe ne kemi përcjellë jetën e këtyre personazheve qe një kohë të gjatë. Regjisorja ka kryer mbi katër vjet punë në terren e i gjithë hulumtimi është përthekuar brenda 6-7 vjetëve”, ka thënë Hasolli. Ka shtuar se gjatë filmit janë munduar më shumë që të merren me fenomenin.

“Kur kemi filluar ta trajtojmë këtë projekt me regjisoren, nuk është se jemi fokusuar shumë në diçka ekzotike, në gjakmarrje ose traditë, por më shumë jemi fokusuar te fenomeni e që kjo ka ndodhur dy orë larg Parisit. Aty ku nuk funksionon ligji njerëzit e marrin drejtësinë në dorën e vet, pra është një fenomen dhe ne jemi fokusuar në anën njerëzore të njerëzve dhe pse ata vijnë deri në një gjendje të caktuar”, ka thënë ai. Dymbëdhjetë projekte filmike janë pjesë e kategorisë “Next: Wave Award” e në kategorinë kryesore të festivalit “Dox: Award” janë 15 filma, 10 prej të cilëve janë premierë botërore.

{gallery}