Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Historia e krahasuar e letërsisë shqipe si nevojë e ditëve të sotme

Studiueset Dhurata Shehri dhe Persida Asllani, duke pasur për bazë librin e tyre “Për një histori të krahasuar të letërsisë shqipe”, kanë ligjëruar në edicionin e sivjetmë të Seminarit. Shehri dhe Asllani në veprën e tyre trajtojnë probleme të shumta të mungesës së librave që merren me historinë e krahasuar të letërsisë shqipe, japin shembuj se si mund të krijohet një histori e tillë krahasuese dhe gjithashtu ngrenë shumë pikëpyetje shumë të rëndësishme dhe më se të nevojshme për shkencën e letërsisë shqipe.

“Kjo vepër lidhet me një kërkim relativisht të gjatë, i cili në fund të fundit ka nxjerrë si rezultat këtë botim për histori të letërsisë shqipe. Është një botim i cili lidhet me mundësinë e parë të letërsisë shqipe jo si një areal nacional, por i lidhur natyrisht me karakteristikat nacionale të letërsisë shqipe me historinë e letërsisë botërore me pikëtakimet, me përthyerjet dhe me rrezatimet e letërsisë botërore”, nisi shpjegimin e përmbajtjes së saj Shehri.

Tutje ajo ka shpjeguar para të pranishmëve edhe arsyen se pse ky libër mbaj një titull të tillë dhe cili është synimi që ka ky libër.

“Ky projekt kërkimor që ka qenë zhvilluar me kolegen Asllani është më shumë sesa një rezultat. Është një vektor i cili do të çonte te një ftesë për një histori të letërsisë shqipe. Kjo çon edhe te titulli ‘Për një histori të letërsisë shqipe’ pra nuk është një histori e letërsisë shqipe, por është një propozim dhe mundësi tjetër të shqyrtimi të letërsisë shqipe”, shpjegoi ajo para të pranishmëve.

Nisur nga fjalët e saj, një propozim i tillë nuk është i pari i kësaj natyre, por “Për një histori...” është një mundësi integrale për të parë të gjithë historinë shqipe si një histori të letërsisë së huaj.

“Ka pasur tentativa herë të suksesshme, herë të pasuksesshme për ta parë historinë e letërsisë shqipe në bashkëpërkim me historinë e letërsisë botërore, në periudha të ndryshme nga autorë të ndryshëm. Por, ajo që ne tentojmë është që të bëjmë një lexim sistematik të përthyerjeve dhe rrezatimeve të letërsisë shqipe, duke e konsideruar këtë një vektor të brendshëm një mundësi lëvizëse”, ka thënë Shehri.

Çështja e dytë që kjo vepër trajton ka të bëjë me mundësinë e një shqyrtimi historiografik të letërsisë shqipe. Sipas saj, në literaturën shqipe ende mungon një studim krahasimtar sistematik në diakroni dhe sinkroni.

“Derisa zhvillimet bashkëkohore të letërsisë së krahasuar kanë kaluar tashmë nga teorizimi te projektet konkrete të lidhura kryesisht me traduktologjinë dhe marrëdhëniet ndërkulturore të literaturës shqipe, një studim ende mungon”, ka thënë ajo.

Për ta argumentuar këtë mendim, para të pranishmëve Shehri dha edhe disa shembuj të cilët tregojnë për faktorët që kanë ndikuar në mungesën e një studimi të tillë.

“Arsyet e kësaj mungese deri më sot janë të shumta, por si tipologji mbizotëruese ato mund të hetohen në tri nivele të përgjithshme të interpretimit, të cilat përkufizonim si: prirja për të hetuar kombëtaren në historinë e letërsisë shqiptare, specifikat e zhvillimit historik të letërsisë shqipe dhe së treti premisat teoriko-kritike e ideologjike të historive të letërsisë shqipe, të shkruara deri më sot”, ka thënë Shehri.

Për shkak të kohës së caktuar, Asllani ishte fjalëpake dhe në fjalimin e saj kryesisht u fokusua në atë çka ky libër paraqet dhe rrugët që ai hap për studiuesit e rinj.

“Duke i pasur parasysh jo vetëm skemat e romantizmit, tiparet e thella të poetikës romantike nxjerrin në pah rolin e këngëve të Milosaos dhe de Radës në përgjithësi si poet në inaugurimin e epokës së arteve të poetikës arbëreshe dhe asaj kombëtare, duke sprovuar gjuhën shqipe në nivelet më të larta të poezisë, duke i shkrirë ndjeshmëritë romantike evropiane me modelet të folklorit arbëresh me një sfond historik kombëtar, por duke i sjellë tiparet e romantizmit evropian më së shumti francez dhe italian”, ka thënë Asllani.

I tërë ky studim i gjatë i këtyre dy studiueseve nuk mbeti pa u komentuar edhe nga profesorët e Universitetit të Prishtinës. Nysret Krasniqi, i cili është edhe autori i librit “Letërsia e Kosovës”, në të cilën bën një sistemim të shkrimtarëve të Kosovës dhe librit “Histori e letërsi”, foli edhe për problemin e krijimit të një historie të krahasuar të letërsisë shqipe.

“Puna e krahasimit të letërsisë sonë me letërsitë e tjera mendoj se do të duhej të shihet më shumë si ndikim. Për shembull në letërsinë shqipe, përveç mundësisë së krahasimit të formave, që është më shumë punë e kompozicioneve apo transformimeve të kompozicioneve në letërsitë e ndryshme, e kemi shumë të theksuar intencën autoriale”, tha Krasniqi, teksa i falënderoi të dy studiueset për prurjen e një libri të tillë, më se të nevojshëm për letërsisë shqiptare.

Artikuj të ngjashëm