Kulturë

“Hipnoza...”, me të vërtetën e shoqërisë nëpërmjet tregimeve

“Hipnoza dhe tregime të tjera” është libri më i ri në sirtarët e veprave letrare të botuara në Prishtinë. Ai vjen si ironi e shoqërisë që zgjedh të besojë thashethemet e trillimet më shumë se të vërtetën. Libri me tregime i autorit Albin Mehmeti vjen si pasqyrim i padrejtësive që ndodhin për shkak të autoritetit. Tematikat që trajtohen janë autentike në shoqërinë tonë. Pikërisht tregimi me titullin që i është vënë librit, flet për padrejtësitë që bëhen kur në organet e drejtësisë mbizotëron autoritarizmi.

Promovimi i librit të tretë të autorit Albin Mehmeti ka qenë arsyeja që ka mbledhur kritikë letrarë e lexues të krijimtarisë së tij në ambientet e Institutit të Albanologjisë në Prishtinë. Të renditur kanë qëndruar librat e sapodalë nga shtypi. Autori Albin Mehmeti është kursyer të flasë për librin e tij, ndërsa ka treguar se shumica e tregimeve, nga 18 sa janë gjithsej, flasin për krime nga më të rëndat. Titulli i librit është vendosur në bashkëpunim me redaktorin. “’Hipnoza’ është prej atyre tregimeve që domenin e krijimit e hedh përtej reales në surreale. I bashkon të dyja këto dhe mendoj se kjo është e veçanta e këtij tregimi. Libri përmban tetëmbëdhjetë tregime, pjesë qendrore e tregimeve është krimi në një vend fiksional që është ‘Dashamiri’. Ka krime të ndryshme nga korrupsione deri në krimet më të rënda dhe ato që synojnë në përfitime personale”, ka thënë Mehmeti.

Autori përmes shprehjes figurative të “Dashamirit” për vendet dhe institucionet ka artikuluar tendencën për t’u bërë krijues i një bote paralele. Mehmeti ngjall interesim për lexuesin aktiv dhe pasiv, derisa koncepton botëkrijimin përmes zërave dhe rrëfimeve, jo prej figurave dhe portreteve. Libri ndërtohet gati krejt mbi dëmin që individi i bën shoqërisë dhe sesi më pas ndikon në shoqëri më shumë sesa në vetë krijuesin e dëmit.

“Autori bëhet zë aktiv në interpretimin e fiksionit që krijon dhe rreth teorive ekzistuese mbi shkrimin letrar. Personazhet që ngjajnë me njerëzit që dëgjojnë çdo ditë, përmbledhin në të njëjtën kohë përmasa mitike, të tejkohshme. Ato gjenden në kriza individuale që më pas kthehen në kriza shoqërore”, ka thënë kritiku letrar Kosovar Berisha, teksa ka theksuar se në një pjesë të madhe të tregimeve zë vend raporti që ndërton autori me tekstin, narratorin dhe lexuesin. Kjo, ngase autori flet në vetën e parë në fund të pothuajse secilit tregim, duke i dhënë shpjegim lexuesit pse ka zgjedhur atë rrëfim dhe se çfarë ka lënë në pikëpyetje e çfarë nuk do të rrëfejë, ndërkohë që parashtron pyetje drejt lexuesit, edhe pse nuk pranon një përgjigje.

Krijimi i anarkisë në shoqëri që vjen si pasojë e autoritarizmit nga skena politike dhe ndëshkimi që marrin në përfundimin që do të duhej të ishte si përfundim i lumtur, del të jetë e kundërta. Autori vlerëson se absurditeti dhe apatia rriten në emër të autoritetit që gëzojnë edhe mbi institucionet. Shkrimtari e kritiku Adil Olluri ka renditur të veçantat e librit “Hipnoza...” të Albin Mehmetit. Të tillë e veçon rrjedhshmërinë rrëfimore dhe tematike në ndërtimin e karaktereve të veçanta dhe krijimin e një bote me atmosferë të ngrysur, ku çdo gjë është e papërsosur. Ia jep epitetin “zëdhënës” për nga komunikimi i tij në vepër me lexuesin, ndërsa rrëfimet i karakterizon me praninë e gjyqtarëve në shumicën e tregimeve. Olluri veçoi tregimet: “Virusi i fytyrës së zezë”, “Shtatorja”, “Gjaku”, “Ndryshimi”, “Shfaqja”, të cilat është shprehur se i vlerëson për nga aspekti gjuhësor dhe atë tematik e ideor.

“Albini është tregimtar i pasionit, është autor i kultivuar, që lexon, e njeh kulturën dhe letërsinë, e që është aset për një krijues të ri. E veçanta e librit është loja me rrëfimin, ku rrëfimtari herë është personazh e herë vetëm narrator, herë i gjithëdijshëm, herë që vetëm sheh e herë që merr pjesë në ngjarjen e tregimeve”, ka thënë shkrimtari Adil Olluri, njëkohësisht edhe organizator i përurimit të librit, nga qendra për kulturë dhe edukim “Sheshi”.

Shkrimtari Adem Gashi ka vlerësuar se personazhet kanë ndërtim psikologjik dhe zbërthim të brendshëm të personazheve. “Personazhet nganjëherë sikur vijnë nga një natyrë bipolare. Sa i kërkon në realitet, atë që mendon se e njihje dhe e dije, të shfaqet në një variant tjetër që nuk është si i pari. Është në ritmin e ndërtimit të veprës me ngul, autentikes dhe origjinales me stil joshës, të këndshëm, i saktë në frazeologji”, ka thënë Gashi teksa e ka përmbyllur fjalimin e tij prej kartoline urimi, siç e ka vlerësuar vetë ai.

Për nga ana përmbajtjesore, “Hipnoza...” është pasqyrim i padrejtësive që ndodhin në shoqëri kur një person me ndikim në organet e drejtësisë zgjedh të shtrijë autoritarizmin për të shfaqur pushtetin. Rrëfimi “Hipnoza” flet për një burrë në burg që ishte dënuar me 20 vjet burgim pasi kishte punuar maskën e një politikani, por që kishte qëlluar të jetë krim indirekt nga ana e tij. Tafili që ishte punues i maskave për teatër, shihte ëndrra çdo natë, teksa psikologu me emrin Sefi e këshillon për një seancë hipnoze, e cila do t’i ndihmonte dhe do ta qetësonte. Papritur Tafilin e thërrasin në dhomën e hetuesisë dhe merret në pyetje të pakuptimta për të derisa dëgjon zërin e tij në magnetofon. Ishte biseda e tij e xhiruar gjatë seancës së hipnozës nga psikologu, që në fakt ishte hetues në rastin e tij, dhe vrasjes së politikanit nga qentë. Kishte qenë një politikan me emrin Blerimi, që kishte porositur një maskë me fytyrën e kundërkandidatit të tij kryesor. Kishte mbledhur një tufë qensh dhe sa herë që i kishte rrahur e keqtrajtuar kishte vendosur maskën me fytyrën e tij. Qentë i kishte afruar deri në podiumin e skenës ku po zhvillonte fushatën, të cilët i ishin vërsulur në kokë, qafë e në gjithë trupin ku edhe e kishin vrarë. Të gjitha këto dëgjohen në audioincizimin ku kishte folur Tafili. Për bashkëpunim në krim, përveç njëzet vjetëve që i ishin dhënë paraprakisht, i shtohen edhe dhjetë të tjera, teksa vetë autori i krimit merr dënimin qesharak prej pesë vjetësh, pasi kishte ende autoritet mbi gjykatësit.