Ka pak gjëra që kallin atmosferën më shumë se prania e JPEGMAFIA në një shou.
Në skenën e edicionit të sivjetmë të festivalit Primavera Sound në Barcelonë, reperi tridhjetëvjeçar del zhveshur në pjesën e epërme të trupit, derisa djersin, derisa lëviz egër sa andej-këndej disi ndërmjet Iggy Popit të pasherr dhe DMX-it nevrik, transmeton Koha Ditore.
Me vokalin që merr butësisht trajta të ndryshme, artisti, emri i vërtetë i të cilit është Barrington Hendricks, bën rap si një mitraloz i vërtetë, me tekstin që me frymën e gjuhës së internetit përmban shumë elemente satirike.
Njëra prej këngëve është “I Might Vote 4 Trump”, përderisa në albumin e tij të ri eksperimental, “All My Heroes Are Cornballs”. Bën rap si një njeri me ngjyrë, por që dëshiron të adoptohet nga Maddona dhe që dëshiron të pijë lotët e “qafëkuqve”.
Por fakti se krejt këtë performancë e bën me njëfarë shëmtie, me vargje që shpesh nuk përputhen e me shpërthime si britma, do të thotë se Hendricks mund të kategorizohet lehtësisht si punk rock po aq sa edhe si hip-hop. “Free the Fall”, një prej këngëve të tij të reja, flet troç për vlerat antikapitaliste, me Hendricksin që pretendon se “nuk lodhet hiç për fuqinë e imazhit”.
Në Barcelonë, derisa shumë tinejxherë kërcejnë me entuziazëm dhe lëvizin kokën me tekstet e tilla, është e lehtë të tërhiqen paralele ndërmjet Hendricksit dhe një mori figurash të njohura legjendare antiestablishment, si puna e “The Sex Pistols” ose “The Clash”, artistë që ishin bërë të njohur në mesin e rinisë për shkak të euforisë dhe energjisë çliruese që rrezatonin në muzikën e tyre. Dhe Hendricksi me kënaqësi flet për këtë krahasim.
“Në fillim të viteve tetëdhjetë, kur raperët nuk mund të performonin në skena të njohura për shkak se frikësoheshin prej policisë së vrazhdë, ishin skenat e punkut ato që i lejonin të performonin”, ka deklaruar ai për BBC-në. “Mendoj se raca ishte pengesë e madhe që ndante rapin dhe punkun nga opinioni i gjerë publik, por të dy ishin zhanre të qëndrueshme që ishin kapur nga elita për shkak të asaj çfarë përfaqësonin në të vërtetë. Ato ishin mundësi për njerëzit që ishin lënë pas dore. Unë gjithnjë kam menduar se ishin po e njëjta punë, por që ishin paketuar në mënyra të ndryshme”.
Teksa po rritej, shpjegon ai, ishte po aq entuziast për reperët që kishin tekste me përmbajtje politike si Cube ose Chuck D, por edhe për bende të fuqishme të punkut, si puna e Bad Brains dhe Fear. “E kam parë Fear duke performuar live kur isha i ri, kështu që mund të them se kam dalë prej asaj energjie të njëjtë”.
Sot, JPEGMAFIA është një prej reperëve të shumtë që kanë nxjerrë mësime dhe që frymëzohen prej asaj fryme punku....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)