Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Himni më i vjetër i Kishës së Anglisë – vepër e kompozitores Jane Savage

Londër, (“The Guardian”) – Një tjetër vepër me copëza në historinë e kompozitoreve është vënë në vend me rastin e zbulimit të himnit më të vjetër të njohur të Kishës së Anglisë. Në koncertin më 21 dhjetor, koristet e katedrales në Ely do të këndojnë “Hymn for Christmas Day” të Jane Savages, një vepër e kompozuar rreth vitit 1785 me fjalët e njohura: “Derisa barinjtë vështronin tufat e tyre menatë”. Duke bërë kështu, ato do të trazojnë hapat e një kori po aq engjëllor të Azilit për Femrat Jetime, një prej spitaleve bamirëse që ofronte strehë për skamnoret në Londrën e shekullit të 18-të.

Himni është zbuluar këtë verë nga Rachel Webber, një studente e pasdiplomuar në Universitetin e Yorkut. Webber po bënte kërkime për jetën muzikore të spitaleve bamirëse dhe kuptoi se ishte nënvlerësuar rëndësia e një atribuimi për “Miss Savage” në motërzimin e digjitalizuar të British Library të një përmbledhjeje për himnet e panjohura të shekullit të 18-të.

Këto institucione japin një panoramë intriguese të shoqërisë së periudhës gjeorgjiane. Më e njohura prej tyre, Foundling Hospital, njihej për lidhjet e tij me George Frideric Handel, që jepte performanca të përvitshme për mbledhje fondesh. Organizata të ndryshme në Londrën e shekullit të 18-të u ngritën për vajza e gra, dhe kapelat e tyre u bënë vende të njohura të adhurimit për Londrën e madhe e të mirë gjeorgjiane, të njohura për cilësinë e muzikëbërjes dhe po aq edhe për prospektet disi ekzotike të dëgjimit të objekteve të këndimit bamirës.

Savage (1752-1824), e bija e njërit prej miqve dhe kolegëve të Handelit, ishte një kompozitore prolifike për vepra dhome, derisa martesa e saj i bëri këto interesime të paqëndrueshme; prej asaj pak muzike që ka shpëtuar pritet të bëhet një botim modern – me përjashtim të kësaj kënge.

Ajo ishte larg prej të qenit e vetme si kompozuese për institucione bamirësie. Fjala vjen, Antonio Vivaldi shkroi një pjesë të madhe të muzikës së tij instrumentale e sakrale për një jetimore venedikase, Ospedale della Pietà. Megjithatë, rëndësia e këtyre spitaleve londineze për historinë e muzikës kishtare, dhe veçmas për atë të grave si muzikante dhe kompozitore, vetëm tash ka filluar të njihet.

“Asokohe, muzika katedrale ishte e ruajtur ekskluzivisht për meshkujt, me vetëm djem në kore, dhe burra që luanin në organo”, ka thënë Webber. “Por gratë dinin dhe shkruanin muzikë për spitalet bamirëse, ashtu që të performoheshin nga gratë dhe vajzat. Dhe është interesante që derisa muzika katedrale e asaj kohe prirej të kthehej prapa në stilin barok të kompozitorëve të tillë si Handel, muzika për spitalet ishte më progresive, duke parë drejt stilit klasik”.

Edhe Netët klasike “nga një pyll te një trio yjesh dhe zjarret e ferrit” Kulturë Netët klasike “nga një pyll te një trio yjesh dhe zjarret e ferrit”

Himni i Savages tashmë është publikuar në botimin e ri të Webberit, nga Church Music Society. Webberi, që është dirigjente kori, ka thënë se me vijën e vetme vokale të saj, të mbështetur nga shoqërimi me organo, himni do të jetë relativisht lehtë për t’u bërë bashkë në ekran nga shtëpitë e veçanta të incizimit. Në çdo rast, ajo shpreson që do të mirëpritet nga koret që duan diçka të re për këto Kërshëndella: përshëndetjet e sezonit nga një prej kompozitoreve të harruara femra të periudhës gjeorgjiane.

Përktheu: Sali Mehmeti