Kulturë

“Heshtimë” e zëshme bashkon kujtimet si sekuenca nga lufta

Mund të kundrohen si sekuenca, por bashkimi i pikturave në ekspozitën “Heshtimë” do të ishte një shirit filmik që e dokumenton të shkuarën. Në zanafillë janë ballafaqim me të kaluarën. Kur ndahen me publikun, e ftojnë edhe atë ta bëjë të njëjtën gjë

“Heshtimë” zëshëm kthen kujtimet. Janë imazhe krejt të thjeshta me të cilat autorët gërmojnë në vitet e fëmijërisë. Është koha e luftës. Vitet 1998/1999 dhe pikturat në shikim të parë nuk gjejnë fije të përbashkët. Në esencë, lidhin histori personale që kur bëhen bashkë krijojnë mozaikun e një kapitulli të trishtë. Mund të kundrohen si sekuenca, por bashkimi i pikturave në ekspozitën e hapur të martën pasdite në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës do të ishte një shirit filmik që e dokumenton të shkuarën. Në zanafillë janë ballafaqim me të kaluarën. Kur ndahen me publikun, e ftojnë edhe atë ta bëjë të njëjtën gjë.

Ekspozita është e shtata që nga viti 2014, në kuadër të projektit “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë”, nga organizata “Aksioni kundër dhunës dhe ndërtimi i paqes”. Në ekspozitë janë edhe rrëfimet për pikturat të cilat në muajin prill janë botuar librin me titullin “Shoh”.

Krejt pikturat e ekspozuara prekin stilin e artit naiv. Ani pse nuk ka të bëjë me një përcaktim të dhënë paraprakisht, i përshtaten mirë krejt natyrës së “Heshtimë”. Autorët s’janë piktorë profesionistë – ky nuk ka qenë as kriter – dhe pikturojnë gati si në kohën prej nga i nxjerrin imazhet e strukura në mendje. Aty përvidhen skena ikjeje, diku stema e UÇK-së, shtëpi në flakë...

Emine Ismajli, pjesë e organizatës, ka thënë se me anë të këtij projekti është gjetur një mënyrë shumë e lehtë për të thënë atë që është shumë e vështirë të thuhet.

“‘Heshtimë’ për mua janë ato tri pikat e shenjave të pikësimit të cilat zënë shumëçka, mund ta fusësh botën me krejt përjetimet e veta brenda tyre, me ato që i themi, ato që nuk i themi e që i heshtim. Janë ato dialogët e fshehura përbrenda përjetimeve edhe përbrenda nesh”, ka thënë Ismajli.

Senad Ramaj, që ka marrë pjesë në trajnim, ka thënë se nga të gjitha përvojat, ky ka qenë më i veçanti për të, edhe pse sa i përket pjesën emocionale ka qenë sfidues.

“Ka qenë një eksperiencë më e veçanta nga të gjitha trajnimeve që i kam mbajtur tash e 12 vjet si aktivist. Ka qenë shume e ndjeshme sa i përket pjesës emocionale, sepse ka qenë i vetmi rast kur na është dhënë mundësia që ta përshkruajmë një pjesë shumë të rëndësishme të përjetimeve tona. Unë si pesëvjeçar atë kohë kam përshkruar krejt çka kam kujtuar dhe atë që e kam dëgjuar nga rrëfimet e familjarëve pas luftës dhe deri më sot”, ka thënë Ramaj.

Ka thënë se pas 24 vjetësh kujtimet i kishte si të mjegulluara, mirëpo takimi me pjesëmarrësit e tjerë në trajnim dhe shkëmbimi i historive e kujtimeve ka ndihmuar në qartësimin e atyre përjetimeve.

“Në ekspozitë kam vendosur ta tregoj një nga historitë që i mbaj në mend. Ka qenë periudha kur dajat e mi janë detyruar të largohen nga fshati, ku kanë jetuar dhe të vijnë të strehohen te ne në qytetin e Klinës, ku jetojmë edhe sot. Kam arritur ta paraqes pjesën se si ata janë detyruar që me një traktor të transportohen te ne”, ka thënë ai. Elementet e pikturës së tij janë secili kujtim e simbol më vete.

“Djepi në rimorkio simbolizon që ata me vete kanë pasur edhe fëmijë shumë të vegjël e edhe gra shtatzëna gjatë rrugës deri në Klinë. Pjesa e sofrës është kur më të moshuarit e familjes hanin vaktet aty e pjesa e tabakasë nga edhe piktura e merr titullin ‘Lulja e tabakasë’ e paraqet vendin ku ne fëmijët jemi ushqyer. Tabakaja kishte një lule dhe ne si fëmijë çdoherë kemi dashur që të na bjerë të ulemi te pjesa e lules”, ka thënë Ramaj.

Për të i rëndësisë së madhe mbetet qëllimi që secili ta dijë për këtë pjesë të historisë.

Image
Aty përvidhen skena ikjeje, diku stema e UÇK-së, shtëpi në flakë...

“Sidomos ne si pjesë e komuniteteve të dihet se si e kemi kaluar luftën, si e kemi përjetuar dhe se si jemi munduar ta paraqesim, ndoshta jo në mënyrë profesionale, por ka rëndësi si kemi arritur ta paraqesin një copë tonën”, ka thënë ai.

Përfaqësuesja e organizatës “Aksioni kundër dhunës dhe ndërtimi i paqes”, Emine Ismajli, ka thënë se nuk është aspak e lehtë të arrihet te bindja për të folur hapur.

Prej vitit 2014 me anë të projektit “Ballafaqimi me të kaluarën” janë dokumentuar qindra rrëfime nga koha e luftës.

“Më sjell shumë emocione sepse nuk është e lehtë të hapet zemra e dikujt, nuk është e lehtë të bëjmë njeriun të ndihet i sigurt të flasë. Te ne dokumentohet ajo për çka biem dakord. Shumëçka thuhet dhe mbetet aty ku thuhet dhe dokumentohet vetëm ajo pjesë për çka ata janë të gatshëm ta ndajnë me publikun e gjerë. Është mirë që një numër i madh i njerëzve po i dokumenton tregimet e veta”, ka thënë Ismajli.

Ky projekt është realizuar në bashkëpunim me KURVE Wustrow nga Gjermania si pjesë e Shërbimit Civil të Paqes.

Moritz Kortüm, përfaqësues i kësaj organizate, ka thënë se mbi të gjitha kjo ekspozitë, pos individëve që kanë ndarë përjetimet e tyre, ka peshë edhe për shoqërinë.

“Kisha dashur të them që personalisht jam shumë i lumtur që pata mundësinë të jem pjesë e këtij procesi që për rezultat e ka këtë ekspozitë. Ka qenë në proces mjaft i vështirë e emocional edhe për mua, por mendoj që është e nevojshme edhe për individët dhe shoqërinë në tërësi. Po flas edhe në pozitën time si gjerman, e dimë që ballafaqimi i Gjermanisë me të kaluarën vazhdon për tash e një kohë shumë të gjatë”, ka thënë Kortüm.

Ekspozita “Heshtimë” do të qëndrojë e hapur prej deri më 24 qershor në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.