Kulturë

Helena Kadare: Të shkruarit është ringjallje, koha është e pamjaftueshme

Helena Kadare

Helena Kadare: Nëse nuk i bëjmë gjërat çdo ditë dhe me përkushtim, koha nuk do të vijë kurrë. Ne duhet të dominojmë kohën dhe jo ajo ne. Nuk vjen kurrë një kohë më e qetë. Libri ‘Kohë e pamjaftueshme’ përfshin gjithë jetën time me Ismailin edhe në kontekstin e kohës së komunizmit”

Në hotelin që i ngjall kujtime të një kohe tjetër, në qytetin prej të cilit mban një medaljon e shumë rrëfime që u shndërruan edhe në tregim, shkrimtarja Helena Kadare u është kthyer kohëve, ka ringjallur një histori gati gjysmëshekullore. E sipas saj, të shkruarit është ringjallje. “Puna e të shkruarit është një terapi e mrekullueshme. Shprehja e asaj që mendon në vetmi është një ringjallje. Nuk jam psikologe, por të gjithë njerëzit që kanë hidhërim në shpirt duhet të hedhin në letër mendime”, ka thënë Helena Kadare të enjten mbrëma, në festivalin “Azem Shkreli”. Ka folur edhe për njohjen me Ismail Kadarenë, një letër të tij që i lidhi përgjithmonë, vendimi për të qëndruar nën hijen e tij, e një vit pa të e ka përshkruar si “kohë pa njeriun e dashur”. “Koha është e pamjaftueshme për të gjithë njerëzit...”, ka thënë ajo

Para 45 vjetësh, në kohën kur “Metohija” e asokohshme ishte hoteli me më nam i Pejës, një delegacion shkrimtarësh të Shqipërisë i kryesuar nga Dritëro Agolli do të vizitonte këtë qytet. Si për t’iu dhënë më vete nga një shenjë të qytetit perëndimor të Kosovës, recepsionisti i hotelit – që edhe tash është me nam në Pejë, por me tjetër emër –  mysafirëve do t’ua jepte nga një medaljon për t’i varur çelësat. Në atë suvenir gjendej i gravuar një valltar, me gjasë rugovas. Këtë dhuratë do ta pranonte edhe shkrimtarja Helena Kadare, e veja e shkrimtarit shqiptar me nam botëror, Ismail Kadare. 

Të enjten mbrëma ajo e ka kujtuar atë moment. E gjendur pikërisht në të njëjtin hotel, Kadare po ashtu ka kujtuar se duke marrë shkas nga ai medaljon ka shkruar edhe tregimin “Medaljoni nga Peja”. Ka ringjallur një histori gati gjysmëshekullore. E sipas saj, të shkruarit është ringjallje. Helena Kadare kësaj radhe në Pejë ishte mysafire e festivalit ndërkombëtar të letërsisë, ”Azem Shkreli”. Ngjarja që mban emrin e shkrimtarit e udhëheqësit të disa institucioneve kulturore deri tash është njohur si takimet letrare, “Azem Shkreli”.

 “Ajo që bënte ai ishte shumë më superiore sesa ajo që bëja unë. Ai ishte krejt i huaj në çështjen e organizimit të familjes. Shtypja në makinë gjithçka që shkruante ai. Këtë e bëja me devocion të madh. E lashë veten nën hije me dëshirë të plotë, duke iu përkushtuar punës që bënte ai”, ka treguar Helena Kadare të enjten, në Pejë

Koha e pamjaftueshme dhe trishtimi në Kosovën e pasluftës

Në një ambient prej rreth 30 vetash, kryesisht gra të pensionuara, Kadare ka folur për jetën e saj, letërsinë, dhe kujtimet me bashkëshortin Ismail Kadare, që vdiq në korrikun e vjetëm. Kohën e çmon shumë dhe duke marrë shembull veten thotë se në rini njeriu s’di ta bëjë këtë. Bashkëbisedimi me gazetarin Elion Kollçaku nis me veprën e saj –  më të njohurën –  “Kohë e pamjaftueshme”. Është një jetëshkrim i saj dhe i familjes. Por krejt në fillim tregon se shkrimtari rugovas Azem Shkreli ishte prej miqve më të çmuar dhe më të dashur të familjes Kadare. 

“Koha është e pamjaftueshme për të gjithë njerëzit. Nëse nuk i bëjmë gjërat çdo ditë dhe me përkushtim, koha nuk do të vijë kurrë. Ne duhet të dominojmë kohën dhe jo ajo ne. Nuk vjen kurrë një kohë më e qetë. Libri ‘Kohë e pamjaftueshme’ përfshin gjithë jetën time me Ismailin edhe në kontekstin e kohës së komunizmit”, ka thënë Kadare, e cila pak para nisjes së bashkëbisedimit i ka larguar syzet. Ka treguar se brengë e vjetër ishte ndarja e panatyrshme e Shqipërisë me Kosovën. Ka gërmuar pak në kujtesë dhe ka ardhur në përfundim se kjo është hera e katërt e saj në Pejë. Siç ngjan rëndom, nostalgjia për vizitat e kaluara është e madhe. Ambientin e hotelit, ku ka zënë vend ngjarja, e ka përshkruar si shumë më të ngrohtë se para disa dekadave. Pasluftës së Kosovës, vizitën e parë në Pejë do ta përjetonte keq. 

“Pas luftës, kur erdhëm në Pejë, ishte një trishtim i madh. Kur shikoja sot fëmijët, ishte mrekulli kur pashë ata fëmijë të bukur e të mençur. Thashë kjo është Kosova e vërtetë. Mos e lini kohën të kalojë bosh, pasi shpesh ditët na kalojnë bosh. Kur je i ri, këtë gjë nuk e kupton”, ka thënë shkrimtarja që në ditën e 21-të të këtij muaji mbush 83 vjeç.  Veprat e saj më të njohura janë: “Një lindje e vështirë”, “Një grua nga Tirana”, “Bashkëshortët”, “Kohë e pamjaftueshme”, “Krimineli nga Kadizi”. Ka treguar se gjithnjë e ka karakterizuar njëfarë guximi për t’i thënë e për t'i shkruar gjërat që në familjet e viteve '50 e '60 nuk dilnin në publik.

“Natën lexoja romanet që m’i kishin ndaluar prindërit”

“Unë shkruaja sinqerisht dhe hapur për sherret në familje qysh në moshë të re, 18-vjeçare, dhe u bëra armike me gjysmën e fisit që nuk më fliste më. Isha një vajzë e mbyllur, pasi prindërit e mi ishin shumë konservatorë. Ekskursionet nuk i bëja fare. Natën lexoja romanet që m’i kishin ndaluar prindërit. Babai më thoshte: ‘Shuaje dritën!’ Të tjerët thoshin se sa keq e kanë edukuar këtë vajzë, pasi i nxori të gjitha të palarat në shesh”, ka kujtuar ajo. 

Më 1963 do të martohej me Ismail Kadarenë, asokohe një prej shkrimtarëve të rinj të Shqipërisë me alamet perspektive. Njohjen me të e ka përshkruar si diçka jo fort të zakonshme për kohën. Si gjimnaziste shkruante nganjëherë te “Zëri i rinisë” dhe ky botim i Shqipërisë moniste shkonte edhe në Moskë, vend ku Kadare po studionte në institutin “Gorki”.  

Letra nga Ismail Kadare, festa dhe telefonata nga gjimnazi

“Ismaili merr në Moskë gazetën 'Zëri i rinisë' dhe më bën një letër demek i kishte pëlqyer shumë ai tregim. I gjithë gjimnazi e bëri si festë, që e mora një letër nga Kadareja", ka treguar  ajo. 

Kur Kadare ishte kthyer nga Moska, do ta takonte bashkëshorten e ardhshme në rrugë. Ismail Kadare do t’i shijonte fort dy vjetët e kaluar në kryeqendrën e Bashkimit Sovjetik. Kishte marrë një honorar të mirë për kohën atje, për shkak të tregimeve që botonte dhe do të blinte një kamerë bashkë me njëfarë studioje të vogël për të montuar xhirimet që i bënte. Disa prej pamjeve të tij si djalosh në Moskë edhe janë publike. Në takimin me bashkëshorten e ardhshme në rrugët e Tiranës do t’i propozonte asaj që të shikonin filmat e tij së bashku. Dhe atë në tavanin e shtëpisë së tezes së tij ku po qëndronte asokohe. Do t’ia shkruante asaj në dorë numrin e telefonit. 

“Unë e kisha hall si ta gjeja një telefon ta thërrisja, pasi ma shkroi në dorë numrin e telefonit. Unë hyra në zyrën e drejtoreshës së gjimnazit dhe e mora në telefon”, ka treguar ajo. 

Duke rrëfyer për familjen konservatore që e kishte, ka shtuar se i ati e kishte fejuar para se ta niste për studime, pasi besonte se ky akt do ta bënte më të sigurt. 

“Nga Tirana i bëra babait një letër të gjatë. I thashë se nuk e dua atë njeri dhe nuk dua të rri me të. Ajo kohë nuk ishte koha që është sot, që të lësh dikë e të braktisësh vendimin e prindërve. Si natyrë kam qenë e qetë. Por herë pas herë kam bërë veprime që nuk pëlqeheshin prej të tjerëve”, ka thënë Kadare. 

“Pas luftës, kur erdhëm në Pejë, ishte një trishtim i madh. Kur shikoja sot fëmijët, ishte mrekulli kur pashë ata fëmijë të bukur e të mençur. Thashë kjo është Kosova e vërtetë. Mos e lini kohën të kalojë bosh, pasi shpesh ditët na kalojnë bosh”

Shkrimtarja ka treguar se është e vështirë kur që të dy bashkëshortët bëjnë të njëjtën punë. Por një gjë e kishte kuptuar herët dhe saktë: Se nuk ishte as afër Ismail Kadaresë në krijimtarinë letrare. 

“Ajo që bënte ai ishte shumë më superiore sesa ajo që bëja unë. Ai ishte krejt i huaj në çështjen e organizimit të familjes. Shtypja në makinë gjithçka që shkruante ai. Këtë e bëja me devocion të madh. E lashë veten nën hije me dëshirë të plotë duke iu përkushtuar punës që bënte ai”, ka treguar Kadare. Në këtë rast ka shtuar se kanë lexuar veprat e njëri-tjetrit dhe se shkrimtari me nam kur s’pëlqente ndonjë pjesë të tregimeve të së shoqes, vetëm rrudhte fytyrën. 

Pengjet e saj i ka përshkruar si naive, por edhe të domosdoshme. Ka peng që s’ka mësuar t’i japë makinës e as gjuhën angleze. Pa qenë e zonja ta drejtojë makinën ka thënë se s’ka pasur mundësi të jetë më praktike e pa anglishte i ka munguar komunikimi direkt në shumë ngjarje ku ishte e pranishme. Bashkëbisedimet, sipas saj, janë shumë domethënëse dhe kanë peshë të madhe, por jo kur ndërmjetësohen nga përkthyesi. E për makinën një pjesë të fajit ia ka ngarkuar bashkëshortit. 
“Ismaili më thoshte se ti do të marrësh timonin, do të ëndërrosh gjëra të tjera e do të bësh aksident”, ka rrëfyer ajo. Rrëfimet e saj letrare janë përkthyer në frëngjisht, greqisht e gjuhën holandeze. 
“Kohë e pamjaftueshme” do t’i merrte 15 vjet për ta shkruar, pasi donte të ishte e sakte në jetëshkrimin e saj.

Një vit pa “njeriun e dashur” dhe terapia që hidhet në letër

Kohën prej më shumë se një vit pa bashkëshortin e ka përshkruar si kohë pa njeriun e dashur. Sipas saj, vdekja është proces i natyrshëm dhe s’ka se si të jetë ndryshe. 

“Kujtimet janë shumë interesante. Nuk kam fuqi ta bëj një libër të ri me këto kujtime. Puna e të shkruarit është një terapi e mrekullueshme. Shprehja e asaj që mendon në vetmi është një ringjallje. Nuk jam psikologe, por të gjithë njerëzit që kanë hidhërim në shpirt duhet të hedhin në letër mendime”, ka thënë Kadare në ngjarjen, ku para gati një dekade ishte bashkëshorti i saj dhe pranoi çmimin “Azem Shkreli”. Më 2016 ai u shpall edhe “Qytetar nderi” i Pejës. 

“Jam vërtet i prekur që jam sot këtu, në këtë sallë, të marr çmimin që mban emrin e mikut tim të shtrenjtë Azem Shkreli. Me të kemi pasur gëzime, brenga dhe zhgënjime të përbashkëta, për më shumë kemi pasur gëzime të përbashkëta”, kishte thënë ai. Do të shprehej se ka ardhur një kohë e pabesueshme. 

“Është vërtet një ndjenjë e pabesueshme që në këtë vend, në këtë kohë arrijmë të mendojmë që vjen një ditë që njerëz të Shqipërisë do të marrin një çmim nga Kosova, ose Shqipëria t’u jepte çmim shqiptarëve të Kosovës. Dhe këtu qëndron edhe mrekullia, që Kosova ka nder sot, ka nder për veten e saj dhe ka nder t’ua japë këtë titull të tjerëve”, kishte thënë ai. E kishte çmuar shumë nderimin që ia kishte bërë Peja. 

Organizimi që mban emrin e shkrimtarit Azem Shkreli synon që të bëhet një festival i madh. Sivjet janë mbajtur disa aktivitete, përderisa me çmimin “Azem Shkreli” të mërkurën është nderuar studiuesi e shkrimtari Sabri Hamiti. 

Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Xhenet Syka-Kelmendi, ka thënë se synimet janë që kjo ngjarje të jetë çdoherë e më e madhe.  

“Takimet ndërkombëtare letrare, 'Azem Shkreli' këtë vit janë formatuar, duke e bërë Festival. Sivjet na ka nderuar shumë zonja e madhe e letrave shqipe, Helena Kadare”, ka thënë ajo pak para se të nisë bashkëbisedimi. 

Lidhja e Helena Kadaresë me Pejën në shkrimet e saj zë vend te “Medaljoni nga Peja”. Kishte varur çelësat e shtëpisë në atë medaljon dhe si fëmijë, e bija Besiana Kadare e kishte pyetur për gravurën. Do t’i shpjegonte se aty ishte një valltar nga Peja e se ky qytet është në Kosovë. E më pas do t’i sqaronte pak edhe për Kosovën. Ky tregim gjendet në librin “Zëri i njeriut të humbur”, i botuar nga shtëpia botuese “Buzuku”. Tash së voni disa tregime të mëvonshme dhe nja 30 për qind të atyre të mëparshme Kadare po i sistemon për një libër të radhës. 

“Dhe, aty bën pjesë edhe 'Medaljoni nga Peja’”, ka thënë ajo në Pejë.