Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Harmonizohen katër ligje nga fusha e kulturës dhe e trashëgimisë kulturore

Qeveria e Kosovës dje ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trashëgiminë kulturore, atë për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, për kinematografinë dhe atë për bibliotekat.

Por ky harmonizim nuk prek në esencë ndryshimet e disa prej këtyre ligjeve sipas kërkesave të atyre që punojnë me to, shkruan sot “Koha Ditore”.

Feim Hoxha, drejtor i Zyrës ligjore në Ministrinë e Kulturës, ka thënë se MKRS-ja është dashur që t’i harmonizojë gjithsejtë shtatë ligje me Ligjin për kundërvajtje, që është miratuar para dy vjetësh.

Sipas tij, ligjet që përmbajnë pozita ndëshkimore është dashur t’i përshtaten Ligjit për kundërvajtje. Në pakon e shtatë projektligjeve të propozuara për ndryshim janë edhe Ligji për sport dhe ai për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës e dukurive negative në ngjarjet sportive.

Harmonizimi me Ligjin për kundërvajtje nuk prek arsyet për të cilat grupet e interesit kërkojnë ndryshimin e ligjeve, siç janë shumat e financimit të projekteve kinematografike e juritë përzgjedhëse te Ligji për kinematografi, apo organizimi i institucioneve, të drejtat për gërmime arkeologjike e definimi më i detajuar për mbrojtjen e trashëgimisë shpirtërore te Ligji për trashëgimi kulturore (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)