Shtojca për Kulturë

Mbi nevojën e një reforme ligjore në kulturë

Ky punim shqyrton çështjet e ndërlidhura me legjislacionin kulturor në Kosovë. Në kuadër të shkrimit trajtohen problematikat e ndryshme që paraqiten në praktikë përgjatë dy dekadave të fundit në Kosovë dhe ndikimin që e ka ky legjislacion në zhvillimin apo mungesën e zhvillimit kulturor

Kosova me hovin që e ka pësuar në institucionalizimin e kulturës nga mesi i parë i shekullit XX, vitet jostabile politikisht duke përfshirë të gjitha zhvillimet prej viteve ‘80 deri te lufta e fundit ‘99, pas viteve ‘99 ka pasur një zhvillim të paprecedentë në të gjitha nivelet në ekosistemin kulturor.

Kosova aktualisht numëron rreth 0.40 për qind të burimeve njerëzore të angazhuar në kulturë, mbi 103 festivale të kulturës, mbi 130 struktura/institucione kulturore të nivelit qendror, komunal, mbi 380 biznese dhe struktura të tjera private të profileve të ndryshme kulturore, 12 shkolla fillore dhe të mesme të artit, 10 prej sosh për muzikë dhe 2 për art figurativ, mbi 10 shkolla private të arteve, 11 fakultete të arteve, mbi 10 formacione kamertale/orkestrale/korale në komuna, 4 prej sosh publike dhe 7 private dhe një prodhim artistik e eksport të talentëve të rinj në vendet e tjera.

Legjislacion i vjetruar

Ekosistemi i ndërlikuar i kulturës, i cili brenda profileve të kulturës dhe të artit është i stërdegëzuar dhe po ashtu, prek shumë industri dhe dikastere të fushave tjera me theks të veçantë arsimin, diplomacinë dhe ekonominë në Kosovë, që 20 vjetët e fundit ka pësuar shumë ndryshime dhe si i tillë ka një fizionomi strukturore dhe funksionale që nuk përkon aspak me situatën e viteve 2000.

Ndërkohë legjislacioni dhe rregullativat përcjellëse respektive në shtetin e Kosovës mbesin të dekadës së parë të shekullit XX.

Vetëm ky fakt kuantitativ është indikator i nevojës për rifreskim, sidomos për faktin që Kosova është shtet i pavarur dhe këto ligje janë ende me emblemë dhe vulë të UNMIK-ut.

Nevoja e përditësimit në këtë nivel nuk mund të jetë ornamentale, ku mund të parashihen amendamentime dhe lëvizje të dispozitave apo përditësim i tyre, sepse siç ka ndërruar sistemi nga UNMIK-u në Republikë të Kosovës, legjislacioni kulturor duhet të “rilindë” dhe t’i përkasë shtetit të ri, respektivisht Republikës së re.

Qasja fragmentuese

Legjislacioni kulturor në Kosovë buron nga ligji bazë “Ligji për institucionet e Kulturës”.

Në këtë ligj përcaktohen kapacitetet, përgjegjësitë dhe strukturat organizative/vepruese të institucioneve kulturore, nga i cili mund të burojnë akte të tjera ligjore.

Rrjedhimisht, nga ky ligj janë kanë lindur 6 ligjet e tjera që i njohim në kulturë: 1. Ligji për teatrot, 2.Ligji për Filharmoninë, Operën dhe Baletin, 3. Ligji për Ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, 4. Ligji për Kinematografinë, 5. Ligji për bibliotekat, 6. Ligji për veprimtarinë botuese.

Rregullimi i tillë i fushave specifike në art fillimisht ka disa problematika që janë të natyrës përsëritëse dhe mbase janë ligje e jo rregullore, si tip i aktit ligjor çdo ndryshim eventual në ligj merr gati 4 muaj për ta adresuar në Kuvend dhe e shndërron mundësinë për amendamentim dhe ndryshim në qëllim në vete dhe ngarkesë për institucionet respektive.

Problematika e përsëritjes paraqitet në atë mënyrë që me hartimin e një ligji për secilën fushë të kulturës, të bazuar në ligjin bazë për institucionet e kulturës, shumica e dispozitave reflektohen me automatizëm kur vjen te hartimi i ligjit specifik për fushën specifike dhe ndryshimet në mes të ligjeve për Teatro, Biblioteka apo ansamble janë më shumë në përbërje, përmbajtje deklarative të fushës, e të tjera se sa në funksionim të brendshëm.

E njëjta ndodh dhe me aktet nënligjore si Statuti i institucioneve respektive, ku 70-80 për qind e materialit është veçse përsëritje e dispozitave brenda ligjit specifik.

Kjo qasje e fragmentimit, me idenë se po i jepet rëndësi institucionit përkatës, ka krijuar më shumë ngarkesë me ndryshimet ornamentale brenda ligjeve specifike, ka mbirregulluar çështjet e funksionimit dhe ka krijuar një mozaik me pengesa funksionale brenda institucioneve, në vend se të lejojë hapësirë më të gjerë veprimi dhe të krijojë bazë të mjaftueshme ligjore për veprim brenda akteve nënligjore, që po ashtu mund të amendamentohen më shpejt brenda një muaji dhe mund të nënshkruhen direkt në Ministri nga ministri.

Mungesë e bazës ligjore për institucionet e tjera

Nëse nuk do ta analizonim shumë më afër legjislacionin tonë aktual, nuk do ta vërenim që de fakto edhe vetë ligji bazë i institucioneve të kulturës, që do të duhej të ishte ligj që ka mjaftueshëm bazë ligjore për themelimin e të gjitha llojeve të institucioneve të kulturës, në fakt nuk i ka këto mundësi.

Është për t’u çuditur që në vetë këtë ligj, nuk ka bazë ligjore për themelimin e asnjë institucioni të arteve pamore, institucioni të dokumentimit kulturor apo çfarëdo institucioni tjetër që nuk ka natyrë skenike, performuese apo si biblioteka.

Asnjë prej dy institucioneve ekzistuese siç janë Galeria Kombëtare dhe Galeria e MKRS-së nuk janë të bazuara në këtë ligj.

Galeria Kombëtare ka aktvendim të themelimit dhe një statut i cili i përcakton përgjegjësitë, strukturën dhe organizimin e brendshëm dhe Galeria e MKRS-së ka një aktvendim dhe një rregullore.

Mungesa e bazës ligjore për institucionet e arteve pamore në këtë nivel e shpie shtetin në improvizime të ndryshme, nuk i lejon themelimin adekuat dhe efektiv të institucioneve të artit pamor dhe po ashtu nuk krijon perspektivë për institucione të tjera siç mund të jetë edhe Muzeu i artit bashkëkohor apo ndonjë galeri tjetër e nivelit regjional e të tjera.

Skena e pavarur e pambuluar ligjërisht

Mbi 80 për qind e akterëve dhe prodhimit në art dhe kulturë bëhet nga skena e pavarur në Kosovë. Në anën tjetër, mjetet e mbulueshmërisë ligjore janë shumë të pakta në nivel shtetëror për të mos thënë që nuk ka aspak mbulueshmëri ligjore.

Financimi, mbështetja, iniciativat zhvillimore për skenën e pavarur nuk përfshihen në legjislacionin kulturor dhe nuk ka elemente të rregullimit apo strukturë të veprimit as për akterët as për strukturat si organizatave joqeveritare apo institucionet e tjera private të kulturës duke përfshirë kinematë, shtëpitë e kulturës, studiot, galeritë e të tjera.

Definimi i statutit të artistit të pavarur

Në Kosovë janë një masë e konsiderueshme e artistëve pa punë me kontratë afatgjate të cilët punojnë në bazë të projekteve dhe ngjarjeve afatshkurta. Skenat e ndryshme të cilat kanë filluar të zhvillohen në vitet ‘80, pas vitit 1999 janë zhvilluar në nivel të paprecedentë gjatë 22 vjetëve të fundit.

Shumica e këtyre akterëve të artit pamor dhe muzikor janë pothuajse inekzistentë në tregun e punës.

Ata nuk kanë asnjë mbulueshmëri përkatëse ligjore nga shteti për profilin e punës që e ushtrojnë.

Veprimtaria e akterëve të pavarur në Kosovë po ashtu nuk regjistrohet, nuk dokumentohet dhe rrjedhimisht në mungesë të mekanizmave ligjorë kanë mungesë të sigurisë në tregun e punës dhe nuk janë të barabartë në punë sa u përket të drejtave që i gëzojnë të gjitha kategoritë e tjera në treg të punës.

Ridefinimi i statusit të institucioneve të kulturës

Institucionet e kulturës në Kosovë aktualisht janë të llogaritura vetëm ato të cilat veprojnë në vartësi me Ministrinë dhe ato që janë në vartësi të nivelit lokal. Legjislacioni aktual, përveç që ka mungesë të një definimi më të qartë dhe bashkëkohor të vetë institucioneve që i ka në vartësi, ka mungesë të rregullimit dhe krijimit të legjislacionit që i përfshin dhe ndihmon formimin dhe strukturimin e institucioneve që janë jashtë Ministrisë apo janë të pavarura.

Institucionet e kulturës në Kosovë kanë po ashtu mangësi në organogramin e vet administrativ gjë që reflektohet edhe në strukturat e tjera të pavarura që janë në fakt institucione por pa bazë ligjore për t’i cilësuar si të tilla.

Aspekti tjetër i definimit të statusit për të gjitha entitetet publike dhe private është të krijohet një strukturë demokratike ku secili entitet publik apo privat të jetë në të njëjtin rrafsh të mundësive dhe të ketë trajtim të barabartë përpara shtetit dhe legjislacionit, në këtë mënyrë duke krijuar mundësi veprimi për të gjithë me qëllim të pasurimit dhe zhvillimit.

Ndryshim paradigmatik në mentalitet për kulturën

Ndryshimet dhe zhvillimet e mëdha në ekosistemin kulturor në Kosovë me ngritjen e të gjitha kapaciteteve të lartpërmendura në skenat e ndryshme të kulturës kanë bërë një hap gjigant drejt ndryshimeve pozitive në perceptimin e kulturës në vend dhe perceptimin e kulturës tonë jashtë Kosovës.

Kultura e Kosovës tanimë nuk është vetëm një subjekt i cili mbetet në rrethanat e brendshme shoqërore apo rajonale, por edhe prezantohet fuqishëm, eksportohet dhe përqafon e përmbush kërkesat kulturore/edukative edhe skena të tjera me profesionistë vendorë.

Pra, kultura në Kosovë veçse ka nisur bazat e ndryshimit të të menduarit të kulturës kosovare si një subjekt që është në mëshirë të ekzistencës, subjekt që ekziston vetëm për të mbajtur gjallë identitetin shoqëror, por tani ajo i tejkalon këto suaza konceptuale. Ajo është fuqi e identitetit shtetëror, është një prej fuqive primare e diplomacisë dhe promovimit shtetëror dhe po ashtu ka kapacitet të kthejë bindshëm në ekonominë e vendit.

Këto themele vetëm se janë shtrirë nga shoqëria dhe nevoja për të reflektuar këtë në legjislacion, ekziston që prej viteve të para të praktikës së shtetformimit prej 2008-s, kështu që një refleksion i tillë dhe një tandem i bashkëveprimit në mes të komunitetit dhe shtetit për të reflektuar këto vlera të reja në mentalitetin kulturor dhe funksionimin kulturor të një vendi, janë më se të domosdoshme që shoqëria plotësisht të kalojë në një stad të ri të perceptimit dhe vlerësimit të kulturës si subjekt në shoqëri.

Legjislacioni vjen nga kërkesa shoqërore, shoqëria praktikon legjislacionin dhe praktika shndërrohet në privilegj dhe mendësi, andaj një reformë ligjore e rëndësishme në kulturë nuk do t’i shërbente vetëm mirëfunksionimit dhe zhvillimit të mëtutjeshëm të vetë ekosistemit kulturor, por edhe të gjithë shoqërisë dhe publikut.

Në fakt, thelbi i kësaj nevoje vjen nga qëllimi kryesor për të cilin duhet të adresohen reformat, ai ku publiku dhe shoqëria përfitojnë dhe zhvillohen më së miri dhe ai ku në qendër e ka zhvillimin e shoqërisë në Kosovë.

Prof. assist. dr. Liburn Jupolli është kompozitor, pianist, profesor i kompozimit dhe inovacionit muzikor në UBT