Kulturë

Hadije Gjinali – pionierja e pianos, pedagogia frymëzuese

Ish-nxënës e kolegë të saj e kanë vlerësuar Hadije Gjinalin si një prej kontribuueseve kryesore që sot Kosova ka pianistë të zotë jo veç në rajon, por edhe më larg. Gjinali viteve të fundit jetoi në Londër. Si edukuese e shumë brezave, Gjinali ka punuar në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë prej vitit 1958 deri në pensionim. Hadije Gjinali do t’ia dilte të bëhej pianistja e parë në Kosovë e mësimdhënëse e një numri të madh gjeneratash në këtë instrument muzikor

Pas Luftës së Dytë Botërore shoqëria shqiptare e Kosovës mungesën më të madhe e kishte atë të kuadrove në secilën fushë. E sidomos në atë të arsimit. Një vajzë e re do të zgjidhte të bëhej pianiste, një përcaktim jo veç pak i njohur, por goxha surreal për rrethanat e atëhershme. Por Hadije Gjinali do t’ia dilte të bëhej pianistja e parë në Kosovë e mësimdhënëse e një numri të madh gjeneratash në këtë instrument muzikor. Gjinali e lindur më 1934, vdiq të dielën në Londër. Ajo ishte 88 vjeç. Lajmin e ka bërë të ditur familja.

Ish-nxënës e kolegë të saj e kanë vlerësuar Gjinalin si një prej kontribuueseve kryesore që sot Kosova ka pianistë të zotë jo veç në rajon, por edhe më larg. Gjinali viteve të fundit jetoi në Londër.

Hadije Gjinali u lind më 1 maj 1934 në Prizren, në një familje me traditë në zejtari. Pavarësisht vështirësive, ajo ka vijuar shkollimin fillor pas Luftës së Dytë Botërore në qytetin e lindjes. Sipas biografisë së saj, shkollimin e mesëm iu dha mundësia ta vijojë në Shkollën e posahapur të Muzikës në Prizren, të cilën e përfundoi me sukses.

Shkolla e Mesme dhe lëndët muzikore e nxitën që ajo të orientohet në profesionin e muzikës. “Lidhja emocionale me instrumentet muzikore ishte motivi kryesor për punën, përkundër paragjykimeve të familjes dhe rrethit konservator të asaj kohe”, shkruhet në biografi. Pas përfundimit me sukses të Shkollës së Mesme të Muzikës, vazhdoi studimet në Shkollën e Lartë të Muzikës në Prishtinë. U profilizua si pedagoge e pianos. Si edukuese e shumë brezave, Gjinali ka punuar në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë prej vitit 1958 deri në pensionim. Gjinali ka vazhduar punën edhe pas pensionimit dhe ka edukuar në vazhdimësi gjeneratat e reja në piano, përfshirë edhe brezat e rinj të komunitetit shqiptar në Londër, ku kaloi 20 vjetët e fundit të jetës.

Një prej nxënëseve të saj ishte edhe pianistja nga Kosova me nam botëror, Ardita Statovci.

Ajo ka treguar se shkollën e muzikës, mësimet e pianos i ka adhuruar gjithmonë, që nga fëmijëria. Ka thënë se profesoresha Hadije Gjinali ishte mësuesja e saj e parë e pianos dhe i është përherë mirënjohëse duke e konsideruar veten fatlume që kishte një mësuese të tillë.

“E di që mezi prisja të vinte ora e ardhshme e pianos kur do të shkoja në mësim. Profesoresha Hadije Gjinali kishte një mënyre të veçantë të mësimdhënies duke i motivuar nxënësit për të ushtruar. Kjo do të thotë shumë, sidomos kur dihet fakti që ka shumë fëmijë të talentuar, por që e kanë vështirë të mbajnë disiplinën duke ushtruar”, ka thënë Statovci.

Ka treguar se Gjinali, duke vënë në pah gjithmonë anën pozitive, duke theksuar atë në të cilën kishte përparuar fëmija, e nxiste edhe më tepër dëshirën për ushtrim.

“Kështu ndodhte edhe me mua. Nëse do më jepte detyrë shtëpie për të ushtruar 2-3 pjesë, unë do ushtroja dyfishin e këtyre, ngase e dija se orën e ardhshme do më lavdëronte për punën e bërë. Pra, me këtë metodë mundi im aprovohej dhe nxitej edhe entuziazmi për të përparuar edhe më shumë në orën e ardhshme”, ka kujtuar Statovci.

Sipas saj, gjithashtu, krahas të qenit pedagoge e dalluar, Gjinali ishte një njeri i jashtëzakonshëm në çdo aspekt. “Ndër ata njerëzit e rralle me fuqi fisnike shpirtërore tejpërçuese që ndikojnë në edukimin e brezit të ri”, ka thënë Statovci.

Ka thënë se krahas shkollimit pianistik, puna me një njeri fisnik siç ishte ajo, ka qenë një shkollë e veçantë e mbi të gjitha kjo ishte një shkollë për fisnikërimin e shpirtit human. Ka kujtuar kohën kur në vitet ’90 për shqiptarët edhe edukimi themel nuk ishte i lehtë në Kosovë.

Në objektin e shkollës se muzikës “Prenk Jakova” kishte një sallë koncertale, ku Statovci ushtronte në piano në klasë të parë.

“Me pastaj, siç e dini, shqiptarët u dëbuan nga institucionet e shkollat dhe mësimin e organizonim nëpër shtëpi private, bodrume, kudo që kishim mundësi. Sallën koncertale e improvizonim te profesoresha Hadije Gjinali në apartamentin e saj modest privat. Mund të ketë qenë hapësirë e vogël me vetëm një pianino modeste, por ja pra që prej këtu u shkolluan breza të tërë pianistësh dhe pedagogë të pianos që sot janë të suksesshëm gjithandej nëpër botë”, ka thënë Statovci.

Të dhënat biografike për Gjinalin mungojnë edhe në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, të përgatitur dhe të botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.

Pianistja e profesoresha e pianos në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, Besa Luzha, ka thënë se komuniteti artistik muzikor i Kosovës mbeti edhe pa një pedagoge të shquar e shumë të dashur.

“Mësuesja e pianos , Hadije Gjinali, paska ndërruar jetë, pas një sëmundjeje, në Londër, ku ka jetuar dhe vepruar së fundi. Do ta kujtojmë me nderim e krenari, për punën e saj të përkushtuar dhe personalitetin shembullor”, ka shkruar ajo në Faceboook.

Pianistja Pranvera Hoxha e ka përshkruar Gjinalin si mësuese të dashur që rrezatonte veç dashuri e dritë.

“Mësuesja ime e parë e pianos e cila mbolli te unë dashurinë për instrumentin e pianos dhe besoi e më frymëzoi që unë të ndjek rrugën e bukur të artit. Faleminderit shumë për mësimet, fjalët frymëzuese dhe gjithë çka keni bërë për mua! Pushoftë në paqe shpirti yt i bardhë!”, ka shkruar ajo në Facebook.

Drejtoresha e shkollës së muzikës “Prenkë Jakova”, Jeta Dida-Bujari, ka thënë se profesoresha Hadije Gjinali ishte dhe do të mbetet një ndër pedagoget më të spikatura në vend, karakteristikë e së cilës ishin butësia dhe fjalët e ëmbla të cilat artistëve të vegjël u dhanë kurajë për të vazhduar tutje. “U prehtë në paqe”!

Ngushëllime gjithë familjes e komunitetit artistik për këtë humbje të madhe”, ka shkruar Dida-Bujari në Facebook.

Në mars të vitit 2017, Komuna e Prishtinës i kishte ndarë mirënjohje Gjinalit, si një prej pedagogeve që ka punuar gjatë gjithë jetës për të edukuar gjenerata në piano.

Image

Pianistja Ardita Statovci dhe profesoresha Hadije Gjinali në shkollën e muzikës “Prenk Jakova”, në vitin 1996, pas koncertit të parë recital të Statovcit