Kulturë

“GRANFest” bashkon imagjinatën, inspirimin dhe fuqinë e romanit grafik

Festivali Ndërkombëtar i Romanit Grafik, rikthehet me fuqinë e romanit grafik pas anulimit të vjetëm. Pos që mposht pandeminë edhe me magjinë e artit të nëntë, vjen si ngjarje që tejkalon përmasat e festivalit, duke shërbyer si inspirim për gjenerata të reja autorësh në këtë lëmi. Të premten mbrëma, ceremonia solemne i ka paraprirë ekspozitës ku emra të shquar botërorë, bashkë me kolegë vendorë, kanë bashkuar në një vend mjeshtërinë e tyre në shpalosje rrëfimesh. Gratë janë në fokus, e arsye për përcaktim të organizatorëve të “GRANFestit”, janë sukseset e triumfet e tyre. “Ambicia kryesore prapa kësaj është që një ditë të kemi autorë kosovarë që t’i inspirojmë dhe të krijojmë mundësi”, ka thënë Gani Jakupi, organizator e themelues i Festivalit. Kryeministri Albin Kurti ka folur për fuqinë e romanit grafik që ec një hap tutje me imagjinatën

Rezistencës së shoqërisë globale ndaj kërcënimit pandemik, “GRANFesti” i është bashkuar këtë vit me imazhe që lidhin histori nga vende të ndryshme. Me këtë, Festivali Ndërkombëtar i Romanit Grafik, në edicionin e dytë zbërthen fuqinë e romanit grafik. Historitë prekin në realitetin shqiptar dhe bëjnë lidhjen me ndodhitë e botës. Sa janë universale, janë edhe personale. Të gjitha këto kanë krijuar një mozaik historish nga dhjetë artistë që vijnë nga shtete të ndryshme e të cilët janë bashkuar në Galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë, në ekspozitën që është hapur pak minuta pas ceremonisë që i ka dhënë “dritën e gjelbër” shpalosjes së rrëfimeve të vizualizuara. Si e tillë, ekspozita është si një shëtitje nëpër histori shumëngjyrëshe. Aty, jo të gjithë personazhet komunikojnë në dialog. Por, imazhi është ai që të fut brenda kornizave të këndvështrimeve të autorëve. Dhe, imagjinata i dorëzohet atij. Ky aktivitet me rreth njëqind imazhe nga romanet grafike është vetëm si prolog për një sërë aktivitetesh ku trajtohet gruaja në novelën grafike – si artiste e autore – por edhe si epiqendër e rrëfimeve të novelave grafike.

Tre prej librave nga tri gra vendesh të ndryshme evropiane janë përkthyer edhe në shqip. Për ta bërë këtë shkëmbim kulturor, “GRANFest” ka zgjedhur javën e dytë të tetorit në mënyrë që t’i shmanget kërcënimit të shëndetit, si të publikut dhe të mysafirëve. Edicioni i këtij viti – që rikthehet pas anulimit vitin e kaluar – ka të ftuar artistë të ndryshëm, emra të përveçëm të romanit grafik si: Judith Vanistendael, Edith, Lilie Sohn, Aude Mermilliaud, Salome Joly, David Prudhomme, Stefano Casini, Sonia Dechamps, Shpend Kada dhe Dardan Luta.

Image
Ceremonia hapëse e “GRANFestit”, në sallën e madhe të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani” të premten mbrëma

Gratë në fokus si sukses e inspirim

Gratë janë në fokus edhe të shumë prej veprave të ekspozuara. Ato me publikun komunikojnë nga perspektiva të ndryshme. Në imazhe realitetin e tyre e përçojnë edhe nga hapësira më intime. E një histori tejet personale, autorja franceze Lili Sohn e ka vendosur në romanin “Anmiku n’gji”, që do të promovohet në Prishtinë përgjatë ditëve të festivalit. Romani grafik shtjellon storjen personale të vetë autores, e cila në moshën 29-vjecare do të diagnostikohej me kancer të gjirit. Ajo vendosi në një bllok të gjitha dyshimet, dilemat dhe pasiguritë e saj. Romani e zbërthen humorin, i cili e mposht ndjenjën e frikës. Pikërisht një mesazh shpresëdhënës, në muajin e ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit, autorja me prezencën e saj dhe të punimeve, ka vendosur ta përcjellë në Prishtinë.

“Imazhet në ekspozitë flasin për të gjitha gjërat që më kanë ndodhur kur isha e sëmurë. Për medikamentet, për mënyrën si ndihesha dhe se si njerëzit më shihnin. Isha 29-vjeçare, isha shumë e re dhe kjo nuk ndodh zakonisht. Mendoj që është një mesazh shpresëdhënës dhe sidomos këtë muaj duhet të flasim shumë për kancerin e gjirit dhe është e rëndësishme të flasim për të, sepse shumë njerëz vdesin prej tij”, ka thënë Sohn për KOHËN.

Jakupi: ...që një ditë të kemi autorë kosovarë që t’i inspirojmë dhe të krijojmë mundësi

Organizatori dhe themeluesi i Festivalit Ndërkombëtar të Romanit Grafik, “GRANFest”, Gani Jakupi, ka thënë se në edicionin e dytë kanë përzgjedhur t’ia dedikojnë grave, motivuar nga triumfi i tyre në skenën kulturore, por edhe bazuar në faktin se dekadën e fundit gratë në Evropë kanë bërë revolucion në fushën e romanit grafik. Sipas tij, ato kanë arritur të krijojnë stilin e tyre krejtësisht të pavarur dhe përmes këtij edicioni, guximin dhe stilin e tyre synojnë ta transmetojnë në tri ditë sa zgjat festivali.

“Drejtësia gjinore është një faktor dhe në anën tjetër në botimin e romanit grafik, botuesit nuk punojnë me kuota, por femrat duhet t’ia hapin rrugën vetes dhe këto po ia hapin, po janë të guximshme dhe është mirë që ky guxim të transmetohet këtu. Femrat nuk i kanë imituar meshkujt në punën e tyre as në vizatim, as në shkrim, por kanë krijuar stil vetanak dhe tani, ne më shumë po i imtojmë ato sesa ato neve. Është interesante për publikun tonë ta shohë se çfarë mund të bëjnë femrat dhe çfarë stili mund ta kenë”, ka treguar Jakupi në një intervistë për KOHËN.

Sipas Jakupit, i njohur ndërkombëtarisht në fushën e romanit grafik, por edhe në muzikë, në thelb qëllim i “GRANfestit” nuk është vetëm të bëhet festival, mirëpo edhe që të ngjallet një gjeneratë e re e krijuesve në këtë lami. Për ta bërë komunikimin më të lehtë të artistëve të huaj me publikun kosovar, Jakupi ka thënë se ka zgjedhur autorë që janë të hapur. Përmes kësaj synojnë të përçojnë edhe një shkëmbim përvojash ndërmjet artistëve dhe lexuesve kosovarë, t’u ofrojnë në shqip romane grafike që kanë shëtitur botën.

“Ambicia kryesore prapa kësaj është që një ditë të kemi autorë kosovarë që t’i inspirojmë dhe të krijojmë mundësi. E dyta është që t’u tregojmë se çfarë krijojnë në botë, që këta jo vetëm t’i shohin në rrjete sociale, por edhe t’i takojnë”, ka thënë ai në ceremoninë hapëse të “GRANFest”, në sallën e madhe të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”.

Agron Bajrami, drejtor artistik i “GRANFestit”, ka shpalosur një historik të shkurtër të festivalit, që nisi rrugëtimin pas planifikimeve e diskutimeve të gjata deri tek edicioni i parë më 2019.

“Me vjet është planifikuar ky festival, me synimin që të kontribuohet jo vetëm në popullarizimin e romanit grafik, por edhe që Kosova të vendoset në hartën artistike kulturore në këtë fushë”, ka thënë Bajrami, njëherësh shef i Redaksisë së integruar të KOHËS. Sipas tij, pas edicionit shumë të suksesshëm të dy vjetëve më parë, edicioni i 2020-ës nuk u organizua për shkak të situatës me COVID-19. “Por, tani dëshmojmë se e kemi mposhtur pandeminë dhe synojmë ngritje të mëtutjeshme”, ka thënë ai.

Se që me edicionin e parë, u bë ngjarje e suksesshme e dëshmon edhe fakti se “GRANFestin” e promovon edhe Franca si ngjarje botërore. Në marsin e vitit të kaluar Ministria e Kulturës e Francës e përfshiu në agjendë, me të cilën promovon ngjarjet që do të mbaheshin në Francë, por edhe në mbarë botën, gjatë atij viti që shteti francez e shpalli vit të romanit grafik. 

Kurti: Me romanin grafik ne shkojmë një hap tutje me imagjinatën

Si një lidhje e përsosur midis fjalëve dhe të vizatuarit është vlerësuar romani grafik nga kryeministri Albin Kurti. Sipas tij, në romanin grafik imagjinata shkon një hap tutje.

“Kurdo që e lexojmë një roman ne bëjmë përpjekje nëse imagjinata jonë përshtatet me atë të autorëve, por në të njëjtën kohë me romanin grafik ne shkojmë një hap tutje me imagjinatën, pa e anashkaluar atë. Ti e merr një imagjinatë tjetër në romanin grafik”, ka thënë ai gjatë ceremonisë hapëse.

Kurti ka theksuar se leximi i romaneve grafike të Gani Jakupit i kishte ndihmuar të kuptojë shumë nga situata e pasluftës në Kosovë, kurse takimi me autorin e kishte çuar diskutimin e tyre një hap më tutje.

“Kur e lexojmë një roman, ndonjëherë autorin edhe nuk mund ta takosh pasi që nuk jeton, në disa raste të tjera e takojmë autorin, por nuk ia lexojmë veprat. Unë e kam një histori personale me Ganiun, njëherë ia kam lexuar veprat e pastaj e kam takuar. Kjo ka qenë më e mira që mund të ndodhë. Gjëja që më ka impresionuar më së shumti përmes romanit grafik është sepse kam mësuar për situatën e vjeshtës dhe verës së vitit 1999, për të mirat dhe të këqijat për situatën e përgjithshme dhe disa elemente ekzotike në të. Kam shikuar për ta takuar atë, por gjithashtu edhe ai ka dashur të më takojë mua dhe që nga atëherë e takojmë vazhdimisht njëri-tjetrin”, ka rrëfyer kryeministri Kurti.

Image
“Kurdo që e lexojmë një roman ne bëjmë përpjekje nëse imagjinata jonë përshtatet me atë të autorëve, por në të njëjtën kohë me romanin grafik ne shkojmë një hap tutje me imagjinatën pa e anashkaluar atë”, ka thënë kryeministri Albin Kurti, në hapjen e “GRANFestit”
Image

Një pasqyrë tjetër e historisë është përcjellë përmes imazheve të autorit Dardan Luta. Në ekspozitë janë paraqitur disa pjesë nga romani i tij grafik “Dimri i gjatë i vitit 1945-Tivar”, të cilën ai e ka punuar së bashku me Anna di Lellio. Përmes imazheve vijnë episode nga Masakra e Tivarit, për të cilën Luta ishte bazuar në historitë e të mbijetuarve. Një festival të tillë, ai e konsideron si mundësi të mirë për të parë se nga po shkon romani grafik dhe të shkëmbejnë përvoja.

“Romani grafik ka marrë një kahe tjetër këto vite, sepse njerëzit janë përballur edhe me vdekje. Është duke u bërë shumë personale dhe po del një vepër shumë reale. Është përvojë shumë e mirë për neve dhe studentët që t’i takojnë të gjithë këta mysafirë që kanë ardhur nga jashtë”, ka thënë Luta për KOHËN.

Njëra prej ngjarjeve që do të mbahet në ditën e dytë, është edhe konferenca “Fuqizimi i romanit grafik” dhe Gani Jakupi i ka ftuar dashamirët e këtij arti në interaktivitet me artistet dhe publikun. Këtë, Festivali Ndërkombëtar i Romanit Grafik do ta bëjë edhe në shumë aktivitete të tjera përgjatë tri ditëve. Krahas kësaj do të promovohen edhe tri novela grafike të autoreve gra.

Image
“Imazhet në ekspozitë flasin për të gjitha gjërat që më kanë ndodhur kur isha e sëmurë...”, ka thënë autorja franceze Lili Sohn, njëra prej artisteve pjesëmarrëse të edicion të sivjetmë të “GRANFestit”

Pos me “Anmiku n’gji”, që “GRANFesti” e sjell në shqip, Lili Sohn në Prishtinë do ta prezantojë edhe dokumentarin e punuar me Fanny Fontant, “Digital Detox”. Do të jepet premierë botërore të shtunën në “Kino Armata”. “GRANFest”, e sjell ekskluzivisht me autorizim nga televizioni “France” pasi që atje nuk do të shfaqet deri në nëntor. Judith Vanistendael nga Belgjika, përpos veprave të ekspozuara në Prishtinë do ta promovojë edhe romanin grafik “Dy jetët e Penelopës”, i cili flet për sakrificën e një nëne në Siri, e cila ka lënë prapa familjen. Aude Mermilloid, autorja nga Franca që u qaset temave të guximshme, në “GRANFest” do ta promovojë romanin e saj “M’u desh me ta thanë”, i cili flet për përvojën e saj me abortin.

Image
Ekspozita me rreth njëqind imazhe nga romanet grafike është vetëm si prolog për një serë aktivitetesh ku trajtohet gruaja në novelën grafike – si artiste e autore – por edhe si epiqendër e rrëfimeve të novelave grafike