Kulturë

Gjini për Muzeun: Nuk u dogjën artefaktet, projekti do të buxhetohet

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, njoftoi se artefaktet nuk janë djegur në Muzeun e Muzikës në Gjakovë, pasi ky objekt u përfshi nga zjarri pasditen e së mërkurës.

I pari i Gjakovës i tha KOHËS se sipas projektit aktual, Muzeu do të buxhetohet së shpejti dhe do të rindërtohet “në bazë të projektit dhe do të përfundohet vitin që vjen”.

“Nuk ka pasur artefakte. Përfshirë pianon që ka shkuar në shkollë. Deri më 2017 ka qenë një person që e ka shfrytëzuar. Atëherë ju ka shkëput kontrata. Prej 2019-s kemi dështuar ta japim me qira. Më 2022 e kemi dhënë në shfrytëzim, por operatori ka dështuar ta hapë dhe i është shkëputur kontrata. Ka shkuar me procedurë përmbarimi. Në pranverë në Asamble e kemi bërë vendimin për ridhënie por MAPL-ja na kanë kthyer vendimin me pretekst se nuk është në regjistrin e provave që jepen në shfrytëzim. Ne kemi thënë se nuk ishte në regjistër pasi veç ka qenë e dhënë njëherë. Prapë na e kanë kthyer negativisht. Sipas atij vlerësimi është dashur të pritet në dhjetor që të futet në shfrytëzim”, ka deklaruar Gjini.

Komuna e Gjakovës ka kërkuar hetim mbi ngjarjen.

Akuzat e zëvendësministrit të Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku, i cili është edhe asamblist në Kuvendin komunal, që e fajësoi Gjinin për zjarrin, kreu i Gjakovës tha se “nuk do të merret me të”.

“Është tepër e ulët dhe fëmijërore dhe nuk dua të merrem me të. Është e pafytyrë të flitet ashtu”.