Kulturë

Gjenerata e re e kineastëve të Kosovës

Në ditën e 7-të të “DokuFestit” është dhënë premiera botërore e dy filmave të parë të mbështetur nëpërmjet programit “Mbështetje për valën e re të kineastëve të Kosovës”. Kjo nismë është financuar nga Ambasada Suedeze në Kosovë dhe synon të kultivojë talente të reja në industrinë e filmit

“DokuFesti” ka prezantuar premierën botërore të dy filmave të parë të mbështetur përmes programit “Mbështetje për valën e re të kineastëve të Kosovës”. Kjo iniciativë prestigjioze, e financuar nga Ambasada Suedeze në Kosovë, synon të kultivojë talente të reja në industrinë e filmit.

Dy projektet e para filmike të mbështetura nga ky grant janë: “Motrat” e Albana Nilës dhe “Transmission” nga Flutura Balaj. Të dy kineastet e reja kanë shprehur mirënjohje të thellë për mundësinë. Balaj ka thënë se “DokuFesti” është vendi ku ka lindur artistikisht dhe se përherë do të jetë falënderuese.

“Unë jam shumë falënderuese fillimisht ndaj ‘Dokufestit’, sepse këtu është vendi ku unë kam lindur artistikisht dhe ku kam mësuar shumë. Falënderimi im ndaj ‘Dokufestit’ nuk mbaron asnjëherë. Po ashtu jam falënderuese për Ambasadën e Suedisë në Kosovë, të cilët bashkë po realizojnë ëndrra të filmbërësve të rinj, të cilët pa ta do të mbeteshin në sirtar”, ka thënë Flutura Balaj

“Transmission” i Balajt shpërfaq pengesat e të jetuarit në një mjedis kufizues dhe ndjenjat e pendimit sapo të largohesh nga ai vend. Ajo për tash e 5 vjet është larguar nga Kosova për ta ndjekur ëndrrën e saj dhe të përfundojë studimet për astronomi. Kjo periudhë ka thënë se e ka pasur një impakt të jashtëzakonshëm në jetën e saj.

“Filmi është një narrativë shumë personale e imja, pasi që unë nuk jetoj në Kosovë qe 5 vjet. Flet për dualitetin mes të rinjve të Kosovës që kanë nevojë me dalë jashtë për me u përmbushë si njerëz në anën e karrierës, si njerëz dhe në aspektin ekonomik edhe ndjenjën e vërtetë që secili e përjeton kur del jashtë dhe njëmend e sheh si është eksperienca mos me jetu më në vendin tënd. Kjo është eksperiencë që unë e jetoj për tash e 5 vjet dhe normalisht më ka sjellë shumë emocione gjatë viteve të cilat kam pasur nevojë dhe dëshirë me i nda me të gjithë ata që mund të bashkëndiejnë me përvojën time”, ka treguar Balaj.

Emocionet qe ajo ka dashur t’i përcjellë nëpërmjet filmit ndërthuren në një rrëfim bashkëbisedues mes dy vajzave që jetojnë në botë të kundërta. Secila prej tyre dëshiron atë që tjetri ka, njëri për lirinë, ambicien dhe përvojën, ndërsa tjetri ndjek ndjenjën e përkatësisë dhe të shtëpisë. Balaj ka thënë se shpreson që Kosova të shkojë drejt një zhvillimi ku të rinjtë të mos e ndiejnë nevojën e braktisjes së vendit.

“Fatkeqësisht realiteti në Kosovë është që shumë të rinj bashkëndiejnë me nevojën për me dalë jashtë vendit me i arritë ambiciet e tyre. Dëshira ime shumë e madhe është që një ditë Kosova me u kthy në një shtet prej të cilit njerëzit dalin për qejf dhe jo nga nevoja”, ka thënë Balaj.

Albana Nila, përfituesja e parë e grantit, të dhënë nga “DokuFesti” dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë ndau emocionin dhe mirënjohjen e saj për mundësinë që i është dhënë.

“Filmi është realizuar gjatë vitit të kaluar. Ka nisur me storien duke mos qenë e sigurt që do të fitojë, por jam shumë e lumtur që fillimisht ka fituar si projekt në ‘Dokufest’ dhe tash që është shfaqur. Sonte jam shumë e emocionuar, sepse e pamë produktin final dhe e patëm një publik shumë të madh dhe po shpresoj se e ka pasur efektin e vet tek audienca”, ka treguar Albana Nila.

Filmi “Motrat” i regjisores së re nga Peja sjell personazhin Mara, një vajzë adoleshente e cila kalon një përvojë traumatike, por me ndihmën e dy motrave të saj ajo kërkon hakmarrje.

Rea Rexhepi me filmin “Motrat” e pati përvojën e parë në aktrim.

“Tema ka qenë e rëndë, por që në të njëjtën kohë e ka pasur një domethënie shumë të mirë dhe ndoshta do të mund t’i orientonte njerëzit që të flasin kur kanë ndonjë rast të tillë. Është një temë me domethënie të madhe dhe i inkurajon njerëzit të kërkojnë ndihmë”, ka thënë Rea Rexhepi.

Filmat janë shfaqur me rastin e Ditës së Suedisë në “DokuFest”, të enjten në “Kino Lumi”, ku prezent ishin edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Fituesit e këtij projekti do të shpallen gjatë ceremonisë së mbylljes së edicionit të 22-të të “DokuFestit”.