Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Gara Kombëtare në “DokuFest” me problemet e ëndrrat që reprizohen

“DokuFesti” ka ndezur ekranin edhe për filmat që sivjet janë në konkurrencë për çmimin si më i miri i Garës Kombëtare. Të mërkurën mbrëma janë shfaqur katër prej tyre e pjesa tjetër do shfaqet netëve në vazhdim. Ishte filmi “We” ai që preu shiritin e maratonës së sivjetme kombëtare. Bashkë me projektet e tjera kinematografike, u bëjnë vend rrëfimeve reale të këtyre anëve. Problemet e përditshme dhe ëndrrat për të ardhmen përplasen në projektor

Reshjet e shiut e kanë zhvendosur këtë vit Garën Kombëtare të “DokuFestit”. Nga “DokuKino Plato”, aty ku për vite janë shfaqur filma që shpërfaqin jetesën në botën shqiptare, projektet kinematografike të kësaj kategorie kanë zënë vend në “Cinemarine” në “Abi Çarshi”. Lokacioni ndërroi ndjesinë që ta jep kinemaja e hapur e “DokuFestit”, mirëpo me t’u ndezur ekrani u vu re se problemet e botës shqiptare nuk kanë ndërruar. Narracionet reale me tema që shpërfaqin problematikat e ëndrrat janë përballë publikut.

Ishte filmi “We” ai që preu shiritin e maratonës së sivjetme kombëtare. Filmi i xhiruar në formatin e quajtur akademik 1:1 sjell jetesën e Visar Jusufit në Gjermani, rutinën e tij të përditshme punë-shtëpi, faturat dhe shkresat elektronike që i ka shkëmbyer me ambasada të ndryshme për të kërkuar bashkimin me familjen e tij, a për të kërkuar vizë. Është një film shumë personal në secilin aspekt.

“Regjisori pyet në një mënyrë shumë personale nëse njeriu duhet të ëndërrojë akoma”, është përshkrimi i shkurtër që i bëhet këtij filmi nën regji të Visar Jusufit, njëherësh protagonist. Te ky projekt filmik 23-minutësh, ai është edhe drejtor i fotografisë, editues e gjithçka tjetër.

“Është një lloj diskriminimi ai që më ndodh mua pasi unë fëmijët e mi i kam këtu (në Kosovë v.j.) dhe kur nuk i kam fëmijët e kur nuk mundem të realizoj filma jam i vdekur”, ka thënë regjisori i cili për herë të dytë vjen në “DokuFest”. Edhe më 2018 ishte pjesë e Garës Kombëtare. Atëkohë me filmin “Shukria”. Sipas tij, stili midis dy filmave nuk ndërron shumë.

“Kjo për arsye se nuk kam mundur të punoj. Është dashur të improvizoj. Nuk punohet filmi në këtë mënyrë. Filmi është diçka ekipore. Pra, nuk bëhet filmi, por kjo është bërë për me mbetë gjallë, nevojë shpirtërore”, ka thënë ai.

Edhe Mbijetesa e ekzistenca në filmat vendorë në “Doku Fest” EXPRESS Mbijetesa e ekzistenca në filmat vendorë në “Doku Fest”

Pas pamjeve të rrugicave të ndryshme që Jusufi i kalon çdo ditë me biçikletë e tramvaj, projekti i dytë filmik në këtë garë është ndalur te rruga “Fan Noli”. Emrin e kësaj rruge e ka marrë edhe filmi që është i bazuar në ngjarje të vërtetë e që bashkë bën një kastë aktorësh të njohur në vend, si Arben Bajraktari, Mensur Safqiu, Melihate Qena, Xhejlane Tërbunja, e të tjerë.

Brenda 15 minutave, Jehona Berisha në filmin e saj të parë të shkurtër sjell jetën e qetë në një lagje. Shfaq jetën brenda një punëtorie mekaniku, brenda një furre, dhe miqësinë e tre shokëve. Fëmijët çdo ditë luajnë me top në rrugën “Fan Noli”, por zhurmat e gjallëria e treshes e pengojnë fqinjin e tyre, Muhën (Arben Bajraktarin), që në kokën e vet ka krijuar një melodi për t’i ndalur zërat që i dëgjon. Kur ata nuk pushojnë, fundi është tragjik në filmin me skenar të Milot Hoxhës. Filmi shpërfaq ndikimin që kanë pasojat e traumës.

“Të gjitha gjërat që ai i ka përjetuar dhe që ende vazhdon t’i mbajë në kokë janë gjatë gjithë kohës me të”, u shpreh regjisorja, duke treguar se skenaristi i cili vetë është rritur në këtë rrugë ka mbledhur nga banorët materialin për t’i dhënë qasje reale filmit. Regjisorja ka shtuar se puna si asistente e regjisë në shumë filma të shkurtër dhe të gjatë, të cilët janë vlerësuar në shumë festivale të ndryshme të botës, si ‘Zgjoi”, “Histori maje kulmi”, “Kiem Holijanda” e të tjerë, i kanë ndihmuar shumë në detyrën e saj të parë si regjisore.

Bazuar në ngjarje të vërtetë, është lidhja e filmit të saj me atë që do të vinte pas, animacioni “Kush mytet kapet për shkume” në regji të Urtina Hoxhës, i cili së fundmi ka fituar edhe çmimin për Garën Ballkanike në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Animuar, “Anibar”.

Për katër minuta e gjysmë, Urtina Hoxha me animacionin “Kush mytet kapet për shkume” shfaq copëza nga përjetimet e një gruaje gjatë luftës. E kapërthen atë nëpërmjet historisë së Ola Sylës (65-vjeçare). Animatorja e re ka dashur që përmes animacionit t’i japë jetë rrëfimit të Sylës, të cilën ajo e kishte shpalosur para pesë vjetësh në platformën “Oral History Kosovo”.

Edhe Temat sociale e të ekzistencës në filmat vendorë në “DokuFest” Kulturë Temat sociale e të ekzistencës në filmat vendorë në “DokuFest”

“Është një grua shumë e fortë, e guximshme”, ka thënë Hoxha për personazhin kryesor. Për herë të parë i kishte hyrë punës si animatore pikërisht për këtë projekt filmik. “Jam mësuar vetë të ilustroj e të animoj dhe kjo ka qenë pak më sfiduese”, theksoi Hoxha.

Animacionin e filmin që erdhi më pas “Kur mbaroi, vdekja as që na mbylli sytë” i lidhnin historitë e pazakonta që shënonin kohëra të jashtëzakonshme. E para luftën, të kaluarën dhe absurditete të saj, tjetra të tashmen dhe absurditetin që vazhdon. Doruntina Kastrati brenda 15 minutave kapi tmerrin që përjetojnë punëtorët e ndërtimtarisë. Shpalosi maltretimin që ata përjetojnë çdo ditë, punën me orar të stërzgjatur, pa kontrata e pa sigurim shëndetësor. Kastrati kishte vendosur që nëpërmjet filmit të saj t’u jepte hapësirë për t’u dëgjuar.

Regjisorja nuk ishte e pranishme në shfaqjen e filmit që u prit me komente pozitive e duartrokitje nga publiku.

Filmi i fundit krijoi në lidhje me filmin e parë, duke u kthyer tek ëndrrat. Sfidat e një të riu, tri herë kampion Ballkani e një herë Evrope për sportin e hedhjes së gjyles, në kushte minimale e pa përkrahje shtetërore. “Përtej ëndrrës”, nën regji të Xhemajl Avdylit, tregon jetën e mitrovicasit Muhamed Ramadani, tash 19-vjeçar. Në moshën 10 deri në 13 vjeç ai peshonte 100 kilogramë. Ai po ashtu kishte bronkit të rëndë. Duke mos pasur opsion tjetër për ta kuruar, prindërit vendosin ta orientojnë atë në sport. Një rrugëtim me sfida shpaloset brenda 10 minutave.

“Ai ka nisur të ushtrojë vetëm për ta larguar sëmundjen dhe të zbresë në peshë, mandej kur ka korrur sukses babai, është licencuar edhe vetë. Sivjet është hera e parë që babai shkon në garë”, ka treguar Avdyli.

Edhe “DokuFest” vë në fokus filmat kombëtarë, triumfon “Si e verdhë e sëmurë” Shtojca për Kulturë “DokuFest” vë në fokus filmat kombëtarë, triumfon “Si e verdhë e sëmurë”

Regjisori ia bëri me dije publikut se, ashtu siç i kishte premtuar Ramadani në film, ai tanimë është duke garuar për kampionat botëror. “Kushtet nuk i ka aq të mira, nuk i është ofruar ndihmë mjaftueshëm nga shteti, ne e pamë që prapa shtëpisë në oborrin e tij ai e ka improvizuar fushën e gjuajtjes së gjyles”, ka thënë regjisori.

Përveç filmit të Urtina Hooxhës e Doruntina Kastratit, të gjithë filmat e tjerë të natës së parë të Garës Kombëtare ishin premierë botërore. Janë 16 filma që i japin formë mozaikut të sivjetmë të kësaj gare që do të vazhdojë në netët e ardhshme të edicionit të sivjetmë të “DokuFestit”, që nisi më 6 gusht e përfundon më 14. Pjesa tjetër e filmave do të shfaqen në “DokuKino Plato”.