Festivali më i njohur i filmit dokumentar dhe të shkurtër në vend dhe përtej ka kohë që përveç bashkimit të kinematografëve dhe rrëfimeve nga e mbarë bota gjatë verave në Prizren, u jep mundësi edhe të rinjve të merren me filmbërje. Dhe në këtë aspekt rezultatet janë jo të vogla. Tash “DokuFest” fton nxënësit e shkollave të mesme në Kosovë të aplikojnë për kampin e ardhshëm dimëror, “Future is here”
“DokuFest” është vënë në kërkim të të rinjve të talentuar të cilët duan të sprovohen në filmbërje. Festivali më i njohur i filmit dokumentar dhe të shkurtër në vend dhe përtej, ka kohë që përtej bashkimit të kinematografëve dhe rrëfimeve nga e mbarë bota gjatë verave në Prizren, u jep mundësi edhe të rinjve të merren me filmbërje. Dhe në këtë aspekt rezultatet janë jo të vogla.
Tash “DokuFest” fton nxënësit e shkollave të mesme në Kosovë të aplikojnë për kampin e ardhshëm dimëror, “Future is here”. Kjo iniciativë është pjesë e gjeneratës së 12-të të shkollës së njohur të filmit dokumentar, e planifikuar të zhvillohet gjatë pushimeve dimërore të shkollave 14-20 janar 2024 në Prizren.
Sipas thirrjes, duke iu bashkuar këtij programi, nxënësit do të fitojnë njohuri gjithëpërfshirëse në procesin e krijimit të filmit. Ata do të eksplorojnë teknikat e filmbërjes, do të mësojnë të përdorin pajisje filmi dhe do të bashkëpunojnë ngushtë me ekspertë nga industria e filmit.
“Për më shumë se një dekadë, ‘Future is Here’ ka fuqizuar zërat e rinj, duke ofruar një platformë për vetë-shprehje, duke dhënë njohuri mbi mënyrat e filmbërjes dhe duke i udhëhequr nxënësit në strukturimin e rrëfimeve bindëse dokumentare”, shkruhet në thirrje.
Aty sqarohet se pjesëmarrësit do të kalojnë një sërë trajnimesh, duke përfshirë ligjërata mbi realizimin e filmave, shfaqje të dokumentarëve të kuruar, të përshtatura për studentët dhe trajnime praktike në përdorimin pajisjeve filmike.
Edhe
IPKO Sponsor Krenar i DokuFest 2025 – Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër
“Misioni ynë me këtë shkollë është i dyfishtë: të sjellim përvojat e rinisë së Kosovës duke i shndërruar ato në tregime vizuale dhe të fuqizojmë themelet e kinematografisë sonë, veçanërisht në fusha si montazhi, dizajni i zërit dhe postproduksioni”, shkruhet në thirrje.
Sqarohet se nxënësit e gjeneratave të kaluara kanë prodhuar filma që thellohen në narrativat personale dhe shoqërore, si dhe eksplorimet e nënkulturës. Këta filma kanë udhëtuar në festivale të shumta ndërkombëtare të filmit, duke lejuar audiencën globale të vlerësojë këto tregime lokale të talentëve të rinj. E filmat e përzgjedhur do të debutojnë në edicionin e 23-të të “DokuFestit”, në gusht 2024.
Drejtuesi i programit “DokuLab” në “DokuFest”, Eroll Bilibani, ka thënë se kur kanë filluar programin “Future is Here”, ishte mbjellja e një fare të vogël me ëndrra për të ushqyer pasionet e talentëve të rinj të filmit në Kosovë.
“Sot ajo farë është rritur në një pemë të lulëzuar, e rrënjosur në 12 vjet angazhim të përzemërt ndaj kinemasë. Ky program nuk ka të bëjë vetëm me realizimin e filmave. Ka të bëjë me dhënien e një hapësire për shprehje të lirë rinisë sonë, duke i lejuar ata të shprehin botëkuptimet e tyre, sfidat e tyre, shpresat dhe ëndrrat e tyre përmes magjisë së filmit”, ka thënë Bilibani. Sipas tij, çdo tregim që kanë ndihmuar të vihet në jetë, nga udhëtimet personale dhe vëzhgimet shoqërore e eksplorimet e nënkulturave të ndryshme, ka qenë një dëshmi e shpirtit të rinisë vendore.
“Filmat e tyre kanë arritur në cepa të botës, duke hedhur dritë mbi përvojat dhe perspektivat e tyre unike. Këtë vit jemi duke e ftuar gjeneratën e 12-të të talentëve që dëshirojnë me eksploru çështjet shoqërore dhe që kanë diçka për të thënë përmes filmit të shkurtër dokumentar. Në këtë rrugëtim do t'i udhëheqin profesionistët e dëshmuar si Dea Gjinovci, Leart Rama, Samir Karahoda dhe Veton Nurkollari, secili i përkushtuar për formimin e gjeneratës së ardhshme të zërave kinematografikë”, ka thënë Bilibani, i cili, po ashtu, është pjesë e ekipit që do të merren me nxënësit.
Edhe
“Future is Here” – rruga e të rinjve drejt botës së filmit
Por, sipas tij, nuk bëhet fjalë vetëm për të bërë filma. Ka treguar se programi shërben gjithashtu si një platformë për këta talent të rinj për të diskutuar, debatuar dhe zhytur thellë në çështje të rëndësishme që prekin zemrat e tyre, qofshin ato identiteti, të drejtat e njeriut, barazia gjinore, ndryshimet klimatike ose moria e kulturave që formojnë botën tonë.
“Në thelb, ‘Future is Here’ nuk është thjesht një shkollë talentësh, është një hapësirë ku zemrat dhe mendjet e reja bashkohen për të krijuar, frymëzuar dhe ndryshuar botën, me thënien e njohur ‘one frame at a time’”, ka thënë Bilibani.