Kulturë

“Future is Here” – shpërfaqje e potencialit të kinematografëve të rinj

“Në jetë më ka ndikuar vdekja e njerëzve të dashur”, kështu thotë gjimnazistja, Vlera Haxhibeqiri, nga Prizreni. Me zërin që i dridhet, ka treguar se ka humbur babanë e saj. Ka shtuar se ky realitet ka lënë goxha shenja tek ajo. E kishte pasur të vështirë që të shprehte ndjenjat e saj.

Me kohë, te filmi gjeti një strehë dhe mundësi për t’i eksploruar emocionet. Dokumentari i shkurtër, “Adet”, të cilin e ka realizuar bashkë me Maxhit Rrukën, ia ka dedikuar pikërisht babait të saj. Dyshja janë në mesin e filmbërësve të rinj, që shpalosin projektet e tyre në kuadër të programit special “Future is Here” (E ardhmja është këtu) të edicionit të sivjetmë të “DokuFestit”.

Tetë projektet e realizuara gjatë këtij viti janë të qasshëm online në platformën e Festivalit dhe janë gratis për dallim nga programet e tjera. Filmat janë prodhim i shkollës së filmave dokumentar “DokuLab”, që është një program që zhvillohet nga “DokuFest” dhe ka për qëllim nxitjen e kreativitetit dhe mendimit kritik te të rinjtë. Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër këtë vit po e mban edicionin e 19-të përmes platformave online për shkak të pandemisë, shkruan KOHA.

Dokumentari pesë minutësh ka në fokus adetet e familjeve në Prizren kur humbin dikë të afërm. E pamja, mevlydi, nata e 52-të, ndalimi i shikimit të televizionit dhe veshja me të zeza janë disa prej dokeve që shpalosin personazhet. Filmi eksploron sesi vdekja e një personi ndikon tek anëtarët e tjerë të familjes, përfshirë edhe fëmijët. Anëtarët e familjes rrëfejnë se si u ka ndryshuar sjellja dhe mënyra e jetës pas lajmit mortor. Tregohet në detaje për veprimet që kanë ndërmarrë.

Vlera Haxhibeqiri ka pasur dy role në këtë projekt. Pos si regjisore, ka thënë se është munduar që edhe ndjenjat e saj t’i vendosë brenda në film.

“Në jetë më ka ndikuar vdekja e njerëzve të dashur dhe kjo më ka bërë që menjëherë kur më ka ardhur një mundësi që me i shpreh ndjenjat e mia ose idetë e mia, unë i kam shprehur në mënyrë të filmit. Pra, vdekja e babit tim ka ndikuar shumë në jetën time dhe kjo më ka shtyrë që të realizoj diçka për të”, ka thënë ajo. Ka shtuar se ka vendosur që të realizojë një film sesi mbahet zi në Prizren. Pos qytetit jugor, tradita e mbajtjes së zisë zë vend gjithandej nëpër Kosovë e në trojet shqiptare, por mënyrat dallojnë nga një rajon në tjetrin.

“Përveç përjetimeve të mia kam dashur me e shpreh pak edhe kulturën e Prizrenit. Kam dashur që njerëzit përveç ndërtesave të vjetra të shohin se ka diçka më thellë dhe unë e kam paraqitur pjesën e zezë të saj”, ka thënë ajo.

“Future is Here” këtë vit ka sjellë punën e gjeneratës së tetë të pjesëmarrësve. Udhëheqësi i “DokuLab”, Eroll Bilibani, ka thënë se janë jashtëzakonisht krenarë me rezultatin e tetë filmave që janë realizuar për këtë edicion. Sipas tij, grupi i sivjetmë është njëri ndër grupet më të mira që programi “Future is Here” ka pasur deri tani. Për këtë ka numëruar disa arsye.

“E veçanta e këtij viti është trajtimi i temave të ndryshme shoqërore. Secili film dallon nga tjetri. Kemi filma nga ndryshimet klimatike deri te ndikimi i teknologjisë te sjelljet e fëmijëve. Kemi nga temat e dhunës në familje, deri te temat e kulturës ‘drag’ në Kosovë”, ka thënë ai.

Vlera Azizi në projektin e saj 7-minutësh është fokusuar në jetën e “drag queens” në Kosovë. Agatha Bones dhe Diva janë dy personazhet në dokumentarin “In Rainbows”. Ato, gjersa shpalosin karakteristikat e personalitetin e tyre dhe bëhen gati për performancën e radhës, prekin çështjet si homofomia dhe prejardhja socio-ekonomike.