Kulturë

Frida Kahlo në dritëhije me rrëfimin nëpërmjet fotografive

Shqiptarja Rudina Morina është pjesë e ekipit që po punon në hapjen e ekspozitës që ofron copëza nga jeta e një prej artisteve më të njohura në botë, Frida Kahlo. 241 fotografi nga koleksioni i saj, që më parë qëndronte i mbyllur në sirtarët brenda banjave të shtëpisë së saj të shndërruar në muze, do të bëhen të qasshme për publikun

Shqiptarja Rudina Morina, e cila jeton dhe punon në Belgjikë, e ka gjetur veten brenda një projekti të veçantë. Është duke punuar bashkë me ekipin e agjencisë “Historische Huizen Gent” që ka nën mbikëqyrje disa hapësira historike për të hapur ekspozitën “Frida Kahlo - Fotografitë e saj” (Frida Kahlo - Her Photos). Ekspozita ofron copëza nga jeta e piktores së famshme meksikane, një prej artisteve më të njohura në botë.

Frida Kahlo ishte e pasionuar edhe pas fotografisë që në moshë të re. Kjo nuk ishte e çuditshme pasi që babai i saj ishte fotografi i njohur Guillermo Kahlo. Frida realizoi qindra fotografi të të tjerëve, por gjithashtu u fotografua edhe vetë nga fotografë të njohur, përfshirë Nickolas Murayn, me të cilin ishte në lidhje për disa vjet. Ekspozita do të hapet në “Saint Peter's Abbey”, një ish-abaci benediktiane në Gent të Belgjikës që tani shërben si muze dhe hapësirë ekspozuese.

Kahlo pati një koleksion prej më shumë se 6 mijë fotografish, disa prej të cilave të realizuara nga fotografë të famshëm si Man Ray, Brassaï dhe Tina Modoti.

“Secili prej këtyre imazheve ndikoi në Fridën dhe në punën e saj artistike. Ajo shpesh manipulonte, pikturonte ose i priste fotografitë. Fotografitë përshkruajnë familjen dhe miqtë e Kahlos, dashurinë e saj të madhe Diego Riviera dhe të dashurit e tjerë. Por ato përqendrohen gjithashtu edhe në aspektin e shoqërisë meksikane që i interesonte asaj”, është shkruar në ueb-faqen e “Historische Huizen Gent”, ku shpalosen detajet e ekspozitës që do të qëndrojë e hapur prej 21 majit deri më 22 gusht.

Tutje tregohet se pas vdekjes së artistes më 1954, shtëpia e saj, “The Blue House”, u shndërrua në muze. Koleksioni i saj personal i fotografive ishte i mbyllur në banjat e shtëpisë për mbi 50 vjet. Morina ka treguar se pikërisht ekspozita “Frida Kahlo – Fotografitë e saj” shfaq 241 fotografi të këtij koleksioni.

“Këto fotografi që do të ekspozohen do t’u mundësojnë shikuesve të vrojtojnë disa nga momentet me të lumtura dhe të errëta të jetës së saj. Ato gjithashtu janë një pasqyrë e kohëve të trazuara në të cilat jetoi artistja, gjysmës së parë të shekullit XX”, ka thënë Morina, e cila është duke punuar në projektet të cilat lidhen me monumentet dhe muzetë historikë në qytetin Gent.

“Për këtë ekspozitë puna ime është gjithashtu shumëdimensionale: për momentin po kërkoj dhe kontaktoj mediat për të promovuar ekspozitën, bëj dizajnin grafik të kartolinave, ftesave, posterëve, që do të përdoren për këtë ekspozitë. Gjithashtu në hapje do të merrem me aranzhimin e ekspozitës dhe pas hapjes do të bëj edhe fotoreportazhe për hapjen që do të publikohen nëpër media”, ka thënë ajo.

“Historische Huizen Gent”, sipas përshkrimit në ueb-faqen, ka për qëllim të shpalosë tregime të reja përmes objekteve e vendeve të vjetra, “rrëfime nga e kaluara dhe e tashmja më shumë sesa objekte dhe koleksione e që na shërbejnë si guidë për të shikuar botën”. Përveç “St Peter’s Abbey”, ajo ka nën mbikëqyrje edhe “Castle of the Counts”, “Belfry”, “St Bavo’s Abbey”, “Hotel d’Hane Steenhuyse”, “Arnold Vander Haeghen House” dhe “Ghent City Hall”.