Kulturë

Francës i duhen ndërtues e jo luftëtarë

Foto: Paris, 27 shkurt 1922

Paris, 18 shkurt, 1922 (Toronto Star Weekly) − Nuk ka asgjë më të vdekur se një tigër i ngordhur, dhe Georges Clemenceau ishte një tigër i jashtëzakonshëm. Prandaj, është pak të thuhet se Georges Clemenceau është i vdekur, shkruan sot “Koha Ditore”.

Meqë po vija nga Kanadaja, ku një intervistë me Clemenceaun ende rrok ballinat e gazetave, ishte e habitshme të gjesh Tigrin e dikurshëm të Francës, të vdekur politikisht, ish-liderin francez të cilit i doli nami i zi pasi doli në pizhame nga makina “Pullman”. Askush nuk e citon Clemenceaun, askush nuk kërkon mendimin e Clemenceaut. Kur ju thoni “Clemenceau”, njerëzit qeshen, dhe në fund të fundit zoti Clemenceau është shtrënguar të hapë një gazetë të vogël që t’i shprehë mendimet para publikut, nëse ka publik që e lexon.

Nëse kërkoni një shpjegim për atrofinë e Clemenceaut si figurë politike, mund të shkoni në dy vende për ta marrë vesh më së miri. Mund të intervistoni politikanë, të cilët flasin për Versajën, çështjen e reparacioneve, diplomacinë e hapur, Gjenovën, basenin Ruhr dhe kemalistët. Ose mund t’i mësyni kafenetë dhe ta merrni vesh të vërtetën. Asnjë politikan nuk do të mundë të mbante një njeri larg syve të publikut nëse do ta donin njerëzit.

Në kafene, francezët nuk kanë çka të humbin e të fitojnë, teksa i thonë gjërat troç, kështu që shlirë i thonë gjërat që i besojnë. Afërmendsh, nëse kanë harruar se kur janë ulur në kafene, flasin edhe për gjëra që s’i besojnë as vetë. Por nëse ju bie puna të rrini me ndonjë francez që ka kaluar mjaftueshëm kohë në kafene sa të flasë pa dorëza, dhe para se të nisë t’i vlojë koka a t’i dalë tymi, padyshim se do ta merrni vesh se çka përnjëmend mendon për Clemenceaun dhe çfarëdo qoftë. Dhe nëse ju bie puna të rrini me disa francezë në pjesë të ndryshme të Francës, mund ta krijoni vetë opinionin kombëtar; opinionin e përnjëmendtë kombëtar, e jo hijen e opinionit kombëtar që reflektohet në zgjedhje e gazeta.

“Gjërat që i thotë Clemenceau janë thartuar në gojën e njerëzve. Nuk kanë shijen e të vërtetave. Të vërteta mund të kenë qenë dikur, por s’e kanë shijen e të vërtetave tani”, më tha një francez.

“Por, a krejt keni harruar çfarë bëri ai në luftë?” – pyeta unë.

“Lufta u krye dhe ai ishte alamet tigri në luftë, por deshi të bëhej tigër edhe pas luftës. Pas luftës, tigrat janë pengesë për një shtet. Ju duhen mushka dhe kuaj punëtorë, mbase, por jo tigra. Njerëzve u ka ardhur në majë të hundës Monsieur Clemenceau, dhe ai duhet të presë derisa të vdesë që të bëhet përsëri njeri i madh”.

Ky është rezultat i muhabetit me shumë francezë. Ky muhabet nuk lëshohet shumë në hollësi e nuk përmend rrethana, por Franca dëshiron një soj të ri burrështetasi dhe ai soj i duhet si kurrë njëherë. Francës i duhet një ndërtues në vend të një luftëtari, dhe meqë nuk do të ketë luftime, Franca me egërsinë e republikave i ka çuar duart prej Clemenceaut. Ai jetoi shumë gjatë pasi kishte kryer detyrën e tij, dhe sikur se tha një francez në kafene: “Ai duhet të presë derisa të vdesë që përsëri të bëhet i madh”.

Rusët e kanë vërshuar krejt Parisin

Paris, 24 shkurt, 1922 (Toronto Daily Star) – Parisi i sotëm është plot me rusë. Ish-aristokracia ruse është shpërndarë në krejt Evropën. Menaxhojnë restorante në Romë, çajtore në Capri, punojnë si portierë hotelesh në Nice e Marsejë, dhe si hamaj në portet e mëdha të Mesdheut. Por rusët që ia kanë dalë të merrnin me vete pak para a ndonjë gjë me vlerë, duket se ia kanë mësyrë Parisit.

Po sillen kot poshtë e lart Parisit me njëfarë shprese fëmijërore se gjërat do ta marrin disi të mbarën, që është inkurajuese kur nuk e mendon thellë dhe sigurisht se të dalin mendtë prej kresë pas disa muajsh. Kurrkush nuk e di si jetojnë, pos nëpërmjet shitjes së xhevahireve të vjetra dhe stolive të praruara, ose plaçkave të familjes që i kanë marrë me vete në Francë kur mbathën para revolucionit.

Sipas menaxherit të një argjendarie të njohur në Rue de la Paix, perlave u ka rënë çmimi përtokë sherri i numrit të madh të perlave të bukura që u janë shitur argjendarëve parisienë prej refugjatëve rusë. Është e vërtetë se shumë rusë po bëjnë jetë qejfi në Paris, tani pas shitjes së xhevahireve që i kanë sjellë me vete në ekzil.

Por kurrkush nuk e di se si do të jetojnë njerëzit e kolonisë ruse në Paris, kur t’u harxhohen xhevahiret dhe krejt gjësendet e çmuara. Është e pamundshme në kushte të zakonshme që një grup i madh njerëzish t’ia bëjë vetes qejfin pafundësisht duke huazuar para, megjithëse një grushti njerëzish u shkon jeta fjollë edhe për njëfarë kohe. Afërmendsh se gjërat mund të ndryshojnë në Rusi, ose mund të ndodhë farë mrekullie sa për t’ia ngjitur dorën kolonisë ruse. Ka një kafene në bulevard “Mntparnasse”, ku një numër i madh rusësh mblidhen përditë, në pritje të kësaj mrekullie dhe për ta kujtuar kohën e vjetër të lavdishme të carit. Por ka goxha shumë mundësi se as mrekullia, e as e papritura nuk do të jetësohen, dhe pastaj, eventualisht si krejt bota mbarë, edhe rusët e Parisit do t’i kthehen punës.

Është për keqardhje, sepse janë soj simpatik.