Ajo kishte qëndruar në Kosovë për gati pesë vjet. Gjatë kësaj periudhe, Valerie Plesch i ka dokumentuar ngjarjet më të rëndësishme të vendit.
Krahas kësaj, ajo e njeh mirë historinë e Kosovës.
Fotoreporterja amerikane kishte udhëtuar drejt çdo fshati të prekur nga lufta.
“Kam ardhur për herë të parë në Kosovë, në verën e vitit 2014, që ishte vetëm një vizitë. I dashuri im, tash burri im, është nga Kosova dhe erdha ta vizitoj atë. Kur erdha këtu, menjëherë e ndjeva se ka storje fascinuese për t'i mbuluar e që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në botë nuk dihet për to. Kështu vendosa të jetoj këtu për pesë vjet”, ka deklaruar Plesch gjatë intervistës ekskluzive për emisionin Express në KTV.
"Kam dashur të fokusohem në rrëfimet e pasluftës, në çfarëdo rrëfimi që tregon se si Kosova është duke u përballur me të kaluarën dhe për rikuperimin nga lufta pothuajse 20 vjet pas”, ka shtuar ajo.
Edhe
“Një amerikane në Kosovë” për jetën jashtë kornizave të paragjykuara
Përvjetorët e Masakrës së Mejës dhe asaj të Reçakut janë vetëm dy nga shumë përvjetorët e tillë, për të cilët Valerie Plesch ka shkruar në “Al Jazeera”.
Kujtimet nga bombardimet e NATO-s janë një temë tjetër që ka trajtuar ajo.
"Është përvojë shumë e ndjeshme t'i takosh njerëzit që e kanë përjetuar luftën. Kur rritesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk takon njerëz të tillë në baza ditore. Familja ime është përballur me luftën në Vietnam, por që ka ndodhur 40 vjet më parë, ndërsa këtu lufta është shumë e freskët. Më duket se këtu të gjithë janë të prekur nga lufta në njëfarë mënyre, qoftë nëse janë të rinj apo më të vjetër. Eksperiencat e mia kanë qenë në fshatra, në qytete të vogla. Të shkosh në shtëpitë e tyre dhe të dëgjosh historitë që kanë përjetuar, për mua ishte përvojë që ma ka ndryshuar jetën.
Njerëzit nuk e kujtojnë se lufta në Kosovë ka qenë e fundit gjatë shekullit 20 në Evropë. Kjo është diçka që kam dashur t'ua kujtoj redaktorëve të mi. Jam falënderuese që ‘Al Jazeera English’ ka qenë shumë e interesuar për storjet e mia të pasluftës. Po ashtu, edhe ‘NPR’, një radio nacionale publike në SHBA. Gjithashtu dhe Open Sociaty Fondation dhe USA Today", është shprehur Plech.
Valerie Plech gjatë këtyre viteve, shumë shpesh e ka përshkuar rrugën drejt Gjakovës, Deçanit e vendeve të tjera për t’i dëgjuar rrëfimet e të mbijetuarave të dhunës seksuale në Kosovë.
Edhe
Jamie Shea: S’dua të vdes pa e parë Kosovën në NATO
Atyre ua ka dedikuar një projekt fotografik.
"Kam dashur që vizuelisht të paraqes jetën e të mbijetuarave dhe me çfarë janë përballur këto dy dekada. Ato kanë mbetur nën hije të shoqërisë dhe unë kam dashur që t'i sjell ato në jetë. Natyrisht, duke mos i fotografuar fytyrat e tyre. Nëse ato nuk duan, ka mënyra të tjera për ta bërë këtë. Unë vetëm kam dashur të krijoj një imazh të fuqishëm të këtyre të mbijetuarave”, ka deklaruar ajo.
Përveç aspektit të luftës, Valerie Plesch ka paraqitur edhe aspektet e shtet-ndërtimit të Kosovës.
Imazhet e festivalit “Sunny Hill”, të shkrepura nga fotografja amerikane kanë zënë vend në prestigjiozen “The New York Times”.
Në këtë të përditshme, janë publikuar edhe fotografitë e monumentit kryesor të shtetësisë së Kosovës.
Edhe
Reineck: E dua Kosovën, më ka prekur në zemër që nga viti 1981
"E kam fotografuar monumentin ‘New Born’ për një storje për ‘New York Times’ se si ka ndryshuar ky monument. Pra, si ka ndryshuar tema e tij që nga pavarësia, bazuar në atë se në çka ka kaluar vendi. Ka qenë një artikull shumë interesant për ‘New York Times’ dhe për njerëzit jashtë Kosovës që ta shohin se kjo është një pikë reference tani për këtë shtet të ri", ka treguar Plesch.
Valerie Plesch është kthyer në Amerikë, ku është e angazhuar si fotoreportere e pavarur.