Tingujt e flautit kanë qenë një udhërrëfim muzikor të martën mbrëma në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë. Përkushtimin që e kërkon ky instrument frymor, Hysnije Latifaj nuk e ka dëshmuar vetëm gjatë studimeve. Me notë maksimale është vlerësuar vitin e kaluar teksa kishte kurorëzuar me diplomim studimet bachelor për flaut në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.
Por, meqë ishte një vit i vështirë, ku gjithçka u zhvillua në përmasa izolimi për shkak të përhapjes së shpejtë të pandemisë COVID-19, Latifaj diplomoi pa bërë shumë “zhurmë” muzikore. Diplomimi nuk e kishte përmbushur pa e bërë publikun tok për një koncert ku nëpërmjet instrumentit të flautit, të përcjellë nga instrumente të tjera, te publiku të sjellin vepra që instrumentistët edhe më me nam maten para se t’i ekzekutojnë para publikut. Megjithatë, Latifaj nuk është zmbrapsur nga synimi i saj. Edhe pse tani është në studimet master, po në Fakultetin e Arteve, ajo ka përmbushur ëndrrën e saj për ta mbledhur publikun e për të “festuar” në tinguj përmbylljen e një kapitulli të studimeve. Për ta vendosur flautin në qendër të mbrëmjes muzikore, ajo ka nisur me interpretimin solistik në flaut të veprës “Syrinx”, të kompozuar në vitin 1913 nga kompozitori francez Claude Debussy. Vepra konsiderohet si e domosdoshme në protofolion e interpretimeve të çdo flautisti.
“Është një ndjenjë që nuk përshkruhet, është ndjenjë e mrekullueshme që punën e studimeve ta kurorëzojmë me një koncert para publikut. Skena është ndjenjë krejtësisht tjetër”, ka thënë Latifaj për KOHËN fill pas koncertit.
Teksa me buzëqeshje mblodhi duartrokitjet e gjithë publikut, flautistja e re u kthye në skenë me pianisten e njohur kosovare Pranvera Hoxha. Bashkë, ato erdhën për ta mbizotëruar me gërshetim tingujsh gjysmën e koncertit.
"Kjo ishte një vepër shumë e gjatë, një prej veprave më të gjata të flautit”, ka thënë flautistja e re pas koncertit. Këtë e ka dëshmuar edhe pianistja Hoxha, e cila e ka mbështetur flautisten e re me një përqendrim maksimal gjatë ekzekutimit të veprës “Flute Concerto in d-minor” të Aram Khachaturian. Tri kohët e kësaj vepre, që përshkojnë gati gjysmë ore lojë, kërkojnë një vrapim të frymëmarrjes së flautistes, të përcjella me lëvizje të vazhdueshme të tasteve të pianos. Vepra e kompozuar nga Khachauturian për violinë kishte qenë vetë kërkesë e kompozitorit për t’u transkriptuar për flaut. Si e tillë, edhe në këtë instrument tenton të jetë një përafrim tingujsh violine. Është konsideruar që bëhet cak vetëm për flautistë të guximshëm. Këtë guxim e ka mbizotëruar flautistja e re, në koncertin e saj të tretë recital.
“Shoqërimi i këtij koncerti është shumë i veçantë dhe me kërkesa të larta, si nga ana e flautistes, ashtu edhe nga ana orkestrale që unë e kisha të adaptuar në piano. Por, është një energji që mua më ka fjetur. Këtë e kam ndier edhe gjatë provave”, ka thënë pianistja kosovare Pranvera Hoxha.

Pesë fytyra të buzëqeshura i janë bashkuar asaj pasi duartrokitjet kanë pushuar. Me veshje të zeza, në skenë ka doli kuinteti i përbërë nga Arsim Gashi dhe Endrit Mala në violinë, Entela Qarkagjija në violë, Aurora Kabashi në violonçel dhe Rona Maloku në kontrabas. Së bashku me nikoqiren e mbrëmjes muzikore, ata kanë zbërthyer në disa minuta temat që përmbledh opera e njohur “Carmen” e kompozitorit Georges Bizet. Një përmbledhje të shkurtër të veprës së njohur franceze, instrumentistët e rinj e sollën në saje të kompozimit të Francois Borne.
“Kam pasur dëshirë që ta ndërroj laramaninë flaut me piano dhe jam interesuar për partiturë që përfshin interpretimin me kuartet”, është shprehur Latifaj, e cila parapëlqen intensitetin muzikor të veprave që përfshijnë edhe tinguj të instrumenteve të tjera.
Për flautisten dhe profesoreshën Erëmira Çitaku, Hysnije Latifaj është nga ato nxënësit që kurdo e gjen duke ushtruar në flaut dhe, sipas saj, puna e madhe e studentes Latifaj veç u dëshmua në koncertin që u mbajt të martën mbrëma në kryeqytet. Çitaku e ka e vlerësuar koncertin e studentes së saj si shumë të suksesshëm e me vepra sfiduese që e nxjerrin në pah potencialin e saj artistik dhe aftësinë për t’iu përshtatur veprave.
“Jam mjaft e lumtur që Hysnija pati një koncert shumë të suksesshëm, me një program mjaft të veçantë, duke pasur parasysh që pati vepra që konsiderohen si kulminante, sidomos vepra e Khachaturianit që ka vështirësi më të mëdha teknike në interpretim dhe jo çdokush mund ta gjejë tingullin e përshtatshëm që ta luajë si duhet koncertin. Ajo arriti me një pjekuri mjaft të madhe ta përcjellë tingullin”, ka thënë profesoresha Erëmira Çitaku.
Flautistja Hysnije Latifaj përvojën e saj tani do ta ndajë edhe me nxënësit e shkollës së muzikës në Kamenicë, ku ka filluar punën si profesoreshë, ndërsa me koncertin e mbrëmshëm Latifaj përmbylli koncertin e tretë recital.