Kulturë

Filmi “Rreze” me regji të Lorena Sopit merr çmim në Barcelonë

Filmi “Rreze (Ray)” i realizuar sipas një flete të ditarit të famshëm të Rreze Abdullahut e me regji të Lorena Sopit, është shpallur njëri ndër fituesit e festivalit “Star Film Festival”, i cili ka përfunduar mbrëmë në Barcelonë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Në këtë ngjarje filmi kosovar “Rreze” ka fituar Çmimin për Dramën më të mirë “Best Drama”, transmeton Koha.net.

“Filmi ‘Rreze’ i cili ka pasur premierën në Cannes Film Festival – Short Corner, në muajin maj të vitit 2018, deri tani ka qenë pjesë e më shumë se dyzet festivaleve ndërkombëtare dhe ka fituar dymbëdhjetë çmime kinematografike: Filmi më i mirë evropian – në Europa Film Festival në Barcelonë, Filmi më i mirë i luftës në Festivalin Movie Pro Screen në Los Angeles të SHBA-së, Award of Merit dhe Humanitarian Award në Festivalin Best Shorts Competition – La Jolla, të SHBA-së, Merit Award në Canada Short Film Festival në Vancouver, Best Drama Short në World Film Festival (Los Angeles), Best War Short Film dhe Best Costume Design në Five Continents Film Festival (Venezuela), Special Jury Prize, në North American Film Awards, Best director dhe Audience Award në My True Story Film Festival (Los Angeles) si dhe Best Drama në Star Film Festival (Barcelona)”, thuhet në komunikatë.

Gjatë vitit të luftës 1999, Rreze Avdullahu kishte shkruar “Ditarin e Frikës”. Në ditëlindjen e nëntë të atij viti të shënjuar, ajo nuk kishte pritur dhurata e as festë. Ajo kishte vetëm një dëshirë: Nuk donte të vdiste.

“Atë ditë, Rrezja shkon tek ushtari serb që bënte roje dhe i thotë: Unë sot e kam ditëlindjen dhe nuk po due me vdekë! Veç po due me mbete gjallë... Ushtari nis e qanë. Rrezja befasohet sepse kishte menduar se ushtarët nuk qajnë kurrë. Tetëmbëdhjetë vjet më vonë, mbi gërmadhat e së kaluarës, Rrezja shfaqet e dëshpëruar me botën që nuk është bërë më e mirë...”, thuhet në komunikatë.

Në rolet kryesore: Agron Shala, Glorioza Shala, Aurita Agushi.

Në rolet tjera paraqiten: Selman Lokaj, Beslidhje Bytyqi, Uran Duli.

Drejtor fotografie: Besnik Hasolli.

Zëri: Gëzim Rama.

Kompozitor: Mendi Mengjiqi.

Regjisore: Lorena Sopi.

Image