Kulturë

Filmat e studentëve të UP-së dalin nga izolimi si ofertë për publikun

Me filmin e shkurtër “Horoskopi, grimi dhe dhëmbi që mungon”, studentja Albana Nila në janar e kishte kaluar provimin e vitit të dytë në lëndën Regji e Filmit, te profesori Ismet Sijarina dhe asistentja More Raça. Nila, me të kaluar provimin, filmin ua kishte treguar vetëm disa miqve të saj. Me kaq kishte pritur që të përfundonte rrugëtimi i këtij projekti.

Mirëpo, iniciativa që ka ndërmarrë Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për shfaqjen online të filmave të realizuar nga studentët e ka rikthyer filmin e 21-vjeçarës nga Peja në vëmendje të publikut. Është shikuar nga 7 mijë e 400 njerëz online dhe është shpërndarë nga 22 të tjerë në faqen zyrtare të UP-së. Gjatë ditëve në vazhdim është planifikuar që të shfaqen edhe filma të tjerë. “Nga një, për çdo ditë”, ka thënë regjisori dhe profesori në Fakultetin e Arteve, Ismet Sijarina. Sipas tij, në këtë mënyrë do të kalohet më lehtë koha e pandemisë dhe publiku do të bjerë në kontakt me yjet e rinj, të cilët së shpejti do të jenë bartës të kinematografisë në Kosovë, shkruan sot Koha Ditore.

Morigo (Shëngyl Ismaili) është personazhi kryesor në “Horoskopi, grimi dhe dhëmbi që mungon”. Vuan nga një çrregullim bipolar, bën një jetë të vetmuar dhe kur dëshiron që të marrë ndonjë vendim kërkon edhe aprovimin e maces së saj që quhet Mono. Në film luan edhe aktori Labinot Lajçi, i cili portretizon një mjeshtër të rrymës që Marigo lë të nënkuptojë që e ka për zemër. Filmi i xhiruar në janar të këtij viti, sipas studentes për regji, Albana Nila, përkon edhe më situatën e pandemisë pasi që ka në fokus vetminë dhe reagimet e personazhit kryesor ndaj saj.

“Është shumë ndjenjë e mirë të shohësh reagimin e publikut ndaj një prej detyrave tua. Për njerëzit të cilët po mërziten këto ditë, shikimi i filmave qofshin studentorë, por edhe të tjerë është një ndër format më të lehta për ta kaluar kohën e tyre dhe po besoj që do vazhdojë interesimi edhe në ditët në vazhdim ndaj filmave të ardhshëm të studentëve të tjerë”, ka thënë ajo. Ka treguar se gjatë realizimit është treguar e kujdesshme që skenari të mos jetë stigmatizues dhe se ka pasur konsulta të herëpashershme me psikiatrin gjatë shkrimit të skenarit në mënyrë që të krijojë një rrëfim sa më korrekt në detajet mbi shëndetin mendor.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.