Re të zeza u shfaqën mbi “Downtown Brooklyn” të New Yorkut të premten e kaluar, gjersa kontratenori Anthony Roth Costanzo duke qëndruar mbi kamionçinë i ka njoftuar njerëzit e mbledhur në parkun “Betty Carter” që të bëhen dëshmitarë të një premiere botërore.
“Askush nuk e ka dëgjuar këtë muzikë më herët”, i ka thënë ai një turme të vogël, sikur të ishte udhëheqës i një karnavali. “Ne jemi shumë të emocionuar që po e realizojmë këtë për ju”.
Më pas e la trion e Filarmonisë së New Yorkut që të performonte. Ata nuk kanë dhënë performancë që kur filloi pandemia në mars. Orkestra bëri një rikthim me disa koncerte të rastësishme nëpër rrugë me atë që njihet si “NY Phil Bandwagon”.
Muzikantët, të veshur me fanella të kuqe e me logo të orkestrës dhe duke mbajtur maska të zeza në fytyrë, filluan veprën e re, “Loop” të Carlos Simonit kur nisi të rigonte. Me stuhinë që pritej të fillonte, ritmi shqetësues i veprës mori një urgjencë kinematike, shkruan “The New York Times”, transmeton KOHA. Nëpunës nga Filarmonia hapen çadrat dhe i bën strehë treshes, që në dorë kishin thesaret me të çmuara – instrumentet.
Publiku nuk ishte i shqetësuar për motin e as instrumentistët. Posa “Loop” përfundoi, Costanzo pyeti nëse koncerti duhet të vazhdojë dhe përgjigjja që erdhi nga treshja në krye me violinisten Cynthia Phelps ishte: Po.
Pas performancës, gjersa kamionçina po bëhej gati që të largohej për te lokacioni i radhës, Phelps ka thënë se ajo nuk ka dashur që të ndalonte pasi që u ndie aq mirë duke luajtur përsëri me kolegët e saj. “Është një reminishencë e asaj që ne bënim”, ka shtuar ajo. “Ky është qëllimi kryesor: të dëgjojmë së bashku. Nuk është e njëjta gjë kur jemi në shtëpi dhe duke i bërë gjërat nëpërmjet internetit”.
Për muaj, interneti ka qenë e vetmja sallë koncertale për Filarmoninë. Aty u shfaqën materiale të arkivuara e video të veprave të incizuara individualisht e të edituara pastaj në një të vetme si “Brady Bunch”. Paraqitja e fundit e orkestrës para publikut ishte mëngjesin e 12 marsit, në mesditë koncerti i mbrëmjes ishte anuluar dhe tani të kthehesh në “David Geffen Hall” është e padëshirueshme së paku derisa të zbulohet një vaksinë kundër koronavirusit.
“The NY Phil Bandwagon” ideuar nga Constanzo e ka nxjerrë orkestrën nga gjendja pasive. Në kamionçinën “Ford F-250” të dekoruar me ngjyrat e Filarmonisë, e kuqja, e bardha dhe e zeza, me mbishkrim “PHIL ’ER UP” – do të shfaqet në tri lokacione që nuk bëhen të ditura paraprakisht çdo të premte, të shtunë dhe të diel gjatë tetë javëve të ardhshme, me një ansambël të vogël kamertal që do të luan premiera.