Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Cosimo and the Hot Coals” në zhvendosje me jazz dhe një episod arbëresh

Koncerti i “Cosimo and the Hot Coals” në Festivalin Ndërkombëtar i Operës “Rame Lahaj”, ka qenë një rrugëtim elegant dhe i magjishëm në ritmet e jazzit e swingut të viteve ’20, në epokën e artë të New Orleansit (Foto: Arben Llapashtica)

Koncerti i “Cosimo and the Hot Coals” në Festivalin Ndërkombëtar i Operës “Rame Lahaj”, ka qenë një rrugëtim elegant dhe i magjishëm në ritmet e jazzit e swingut të viteve ’20, në epokën e artë të New Orleansit (Foto: Arben Llapashtica)

“Përpiqemi t’i bëjmë njerëzit të lumtur, t’u sjellim buzëqeshje. Ky është misioni ynë”, ka thënë Cosimo Pignataro, udhëheqës i “Cosimo and the Hot Coals” dhe ky jazz-ansambël italian ia ka dalë ta bëjë këtë. Publikun e ka zhvendosur nëpër ritmet e New Orleansit të viteve ’20, por është shpalosur edhe një episod në kërkim të rrënjëve arbëreshe dhe ka një arsye për këtë. Koncerti në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj”, ka fuqizuar dialogun midis zhanreve

Kushtet atmosferike e kanë zhvendosur “Ensemble Evening” nga hapësira para Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit, por ajo çfarë ka bërë jazz-ansambli italian “Cosimo and the Hot Coals” ka qenë një zhvendosje e publikut një shekull prapa në kohë. Koncerti i radhës në kuadër të edicionit të gjashtë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj”, të mërkurën mbrëma, ka qenë një rrugëtim elegant dhe i magjishëm në ritmet e jazzit e swingut të viteve ’20, në epokën e artë të New Orleansit.

Skena në qendër e rrethuar nga të tria anët me publik, ka pasur për “rekuizita” instrumentet e mbrëmjes – pianon, bateritë, kontrabasin, klarinetën, kitarën dhe banjon – të cilat bashkë me ndriçimin sikur i kanë ftuar mjeshtërit e tyre. Në mesin e instrumenteve ka munguar trumbeta, por kishte një arsye për këtë. Në skenën me ekranin gjigand në sfond, me rreth 15-minuta vonesë, dolën Giovanni Amodeo, klarinetist dhe kërcimtar, Martin di Pietro, pianist dhe zë përcjellës, Stefano Della Grotta, në kitarë, banjo dhe zë përcjellës, Marko Boles, kontrabasist dhe inxhinier i zërit dhe Michele Capasso, baterist. Të pestë instrumentistët filluan të muzikonin, dhe gjersa në ekran po shfaqej një episod bardhë e zi i Charlie Chaplinit, publiku u vu menjëherë në befasi nga tingulli i trumbetës që erdhi nga mbrapa.

Kjo qe mënyra në të cilën e bëri debutimin e tij, Cosimo Pignataro, trumbetist, vokalist, udhëheqës dhe themelues i grupit. Por nuk qe befasia e tij e vetme për publikun shqiptar.

Pignataro, që u shqua gjatë gjithë mbrëmjes me energjinë e tij, të shfaqur në këndim, trumbetë, vallëzim, udhëheqje të grupit, si dhe për humorin dhe zhdërvjelltësinë e tij në skenë, befasoi në deklaratën e tij para publikut kur ka zbuluar se ka prejardhje arbëreshe.

“Dua të flas shumë më shumë në shqip sepse unë jam arbëresh”, ka thënë Pignataro gjysmë në anglisht dhe gjysmë në shqip.

Edhe “Minatori” me himne ndër breza për një dialog rocku në skenën e operës Kulturë 2 j. më parë “Minatori” me himne ndër breza për një dialog rocku në skenën e operës

Ka thënë se nuk mund ta flasë shumë mirë shqipen, sepse familja e tij kishte migruar nga Kalabria dhe tash e një kohë të gjatë jeton në Milano, por i ka premtuar publikut që do të ketë një tjetër befasi gjatë mbrëmjes. Gjatë performancës së tij, në mes të mbrëmjes, nisi këndimin në formë të një rënkimi të thellë duke u përcjellë nga klarineta që dallohej mes instrumenteve të tjera, e duke kënduar shkurtazi e me ritëm të ngadalshëm këngën “Moj e bukura more”, një nga këngët më të njohura tradicionale arbëreshe, e cila shpreh mallin për atdheun e humbur.

Po këtë këngë ai e ka rikthyer në skenë edhe nga fundi i mbrëmjes, me një version dhe interpretim më të gjatë skenik, tok me refrenin e njohur të “E lul’ e lul’..” me të cilën krijon kulmin emocional të këngës, përmes shpejtimit gradual të ritmit dhe zhvillimit të muzikalitetit.

Gjashtëshja e “Cosimo and the Hot Coals”, konsiderohet ndërkombëtarisht ndër emrat më premtues të swingut dhe jazzit italian, duke marrë vlerësime edhe nga artistë me famë botërore, si Michael Bublé (Foto: Arben Llapashtica)

“Cosimo and the Hot Coals” ka dhënë shumë gjatë mbrëmjes, por edhe mori nga energjia e publikut.

Për Pignataron, emocioni është më i thellë dhe shkon përtej një artisti të zakonshëm.

“Ishte shumë bukur, sepse u ndjeva si në shtëpi. Publiku ishte shumë i sjellshëm me mua, atmosfera ishte shumë e mirë. Gjithashtu, më pëlqen ta ndaj këtë lloj kulture, sepse do të thotë shumë për mua. Është diçka që vjen nga rrënjët e mia, dhe pikërisht për këtë arsye u ndjeva kaq mirë”, ka thënë ai.

Gjashtëshja e “Cosimo and the Hot Coals”, konsiderohet ndërkombëtarisht ndër emrat më premtues të swingut dhe jazzit italian, duke marrë vlerësime edhe nga artistë me famë botërore, si Michael Bublé. Me stilin unik, ansambli ndërthur pasionin për hot-jazzin e viteve 1910–1920 dhe New Orleans Jazz me elegancën dhe sharmin e kantautorisë italiane, duke tërhequr vëmendjen e publikut ndërkombëtar.

Gjatë mbrëmjes grupi solli krijimet e veta, si “Troppa Serietà”, “Chissà”, “Bambina”, “Bella Sirena”, “Urla la campagna”, “Lo Sguardo”, “Ferruccio” dhe “Jack il Pugile”, ku temat lëvizin nga romanca, nostalgjia dhe ëndrrat, tek ironia ndaj jetës së përditshme, miqësia dhe personazhe me karakter të theksuar.

“Repertori i mbrëmjes së sotme përbëhet kryesisht nga këngë të albumit tonë më të ri, albumit tonë të fundit, i cili quhet ‘Troppa Serietà’. Sonte kemi sjellë edhe disa kopje të tij, ndërsa mund ta gjeni gjithashtu edhe në rrjetet tona sociale. Kam përzgjedhur shumë këngë që përcjellin mesazhe me kuptime të dyfishta, ose që flasin për rëndësinë e shijimit të momenteve të bukura me njerëzit që doni. Mendoj se kjo është veçanërisht e rëndësishme në këtë periudhë, sepse ka shumë luftëra nëpër botë dhe kjo nuk është aspak e mirë. Por synimi ynë është të përpiqemi t'i bëjmë njerëzit të lumtur, t’u sjellim buzëqeshje. Ky është misioni ynë”, ka thënë Pignataro.

Albumi më i ri, “Troppa serietà”, prezantohet si një ftesë për të ngadalësuar ritmin e jetës, për të shijuar momentin dhe për ta marrë veten më me humor. Këngë si “Bambina” dhe “Bella Sirena” eksplorojnë dashurinë, joshjen dhe atmosferën e netëve mesdhetare. Në programin e mbrëmjes ishin edhe këngët e njohura si “When You’re Smiling”, “Minnie the Moocher”, “Is You Is or Is You Ain’t My Baby”, “Make Me a Pallet on Your Floor” dhe “It Don’t Mean a Thing (If It Ain’t Got That Sëing)”, të cilat trajtojnë tema universale si dashuria, humori, liria, ritmi i jetës, argëtimi dhe optimizmi karakteristik i epokës së swingut. Të gjitha këto këngë u interpretuan nën shfaqjen në ekran të filmave të njohur të Hollywoodit të viteve ‘20, që kanë pasuruar energjinë dhe atmosferën e mbrëmjes, përmes ritmeve dhe elementeve skenike të bluesit, rockut dhe jazzit.

Edhe “Amadeusi” ia rikonfirmon edhe publikut vendor potencialin e gjeneratës së re Kulturë 2 d. më parë “Amadeusi” ia rikonfirmon edhe publikut vendor potencialin e gjeneratës së re

Ka qenë një repertor i interpretuar me instrumente akustike, improvizime karakteristike të jazzit, melodi që barten nga njëri instrument te tjetri, si një lloj bashkëbisedimi ku është veçuar dialogu midis trumbetës dhe klarinetës.

Sipas Pignataros, ansambli pëlqen të takojë zhanre të ndryshme muzikore.

“Është shumë bukur, sepse para së gjithash, për ne është hera e parë që vijmë këtu dhe ndihemi të nderuar. Sidomos, sepse kemi mundësinë të bashkohemi me lloje të tjera muzikore, si muzika klasike, gjë që është vërtet e mrekullueshme. Do të doja shumë të takohesha me disa nga muzikantët sonte, sepse ne e duam shumë bashkimin e stileve të ndryshme muzikore. Të bisedosh me njëri-tjetrin dhe të shkëmbesh mendime për muzikën është gjithmonë diçka e bukur”, ka thënë ai.

“Cosimo and the Hot Coals” me prani në skenë, energji dhe aftësi krijuese në kompozim është vlerësuar gjatë turneve në Itali dhe jashtë saj. Ansambli ka performuar në klube dhe festivale në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Francë, Austri, Zvicër e vende të tjera. Grupi ka bashkëpunuar gjithashtu me marka të njohura botërore, si “Coca-Cola”, “Barilla”, “Gucci”, “Montblanc”, “Fendi”, e të tjera më vitin 2022, me albumin e tretë, “Mississippi Journal”, nisi një partneritet të ri me shtëpinë diskografike milaneze “Overdrive Records”. Albumi, i udhëhequr nga kënga “Elena”, u vlerësua gjerësisht në mbarë botën, veçanërisht në Amerikën Qendrore dhe Amerikën e Veriut.
Koordinatori artistik i RLIOF-it, Besmir Vokopola, ka folur për rëndësinë e dialogimit të zhanreve muzikore.

“Në fakt ne çdo vit përpiqemi që të bëjmë një gërshetim të zhanreve muzikore. Vërtetë festivali ynë quhet Festivali Ndërkombëtar i Operës ‘Rame Lahaj’, por mendojmë që muzika duhet të dialogojë, format e artit duhet të dialogojnë dhe ‘Cosimo and the Hot Coals’, siç patët edhe ju mundësinë t’i përjetonit sot, përpos energjisë së mirë, muzikës fantastike, treguan dhe dëshmuan që ne mund të jemi edhe në një sallë të mbyllur në këtë rast, një sallë ku zakonisht zhvillohen aktivitete koncertale klasike, por pse jo të dëfrejmë, të kujtojmë ato lëvizjet e muzikës jazz të filmave të Hollywoodit dhe t’ia kalojmë mirë. E rëndësishme gjithmonë është që muzika të bëhet dhe të përcillet në mënyrën sa më kualitative të mundshme”, ka thënë Vokopola.

Cosimo Pignataro: “Ishte shumë bukur, sepse u ndjeva si në shtëpi. Publiku ishte shumë i sjellshëm me mua, atmosfera ishte shumë e mirë. Gjithashtu, më pëlqen ta ndaj këtë lloj kulture, sepse do të thotë shumë për mua. Është diçka që vjen nga rrënjët e mia, dhe pikërisht për këtë arsye u ndjeva kaq mirë” (Foto: Arben Llapashtica)

Misionin për dialog zhanresh, RLIOF-i e nxori në pah që në fillim, kur edicioni i sivjetmë, në ditën e pestë të korrikut u hap me koncertin e rock-grupit të njohur, “Minatori”.

Vokopola ka theksuar rëndësinë e krijimit të publikut të së ardhmes.

“Vizioni i festivalit është që përpos platformave edukative dhe zhvillimit të audiencave besoj se pikërisht një aktivitet i këtillë ndikon dhe kontribuon edhe në krijimin e publikut të së ardhmes. Ne vërtet e dimë, që mbase muzika klasike është pakëz më e vështirë për t’u qasur, por nëpërmjet aktiviteteve të tilla ne përpiqemi që t’i tregojmë publikut që muzika klasike mund të dialogojë dhe me muzikën jazz apo edhe me format e tjera dhe kështu të krijojmë atë publikun tonë që na ndjek gjatë gjithë aktiviteteve të Festivalit, i cili këtë vit ka qenë më i gjatë se kurrë. Ka nisur me datë 4 korrik dhe mbyllet me datë 29 korrik më gala-mbrëmjen”, ka thënë Vokopola.
“Cosimo and the Hot Coals”, pas paraqitjes në Prishtinë më 22 korrik, në kuadër të “Rame Lahaj International Opera Festival”, vijon me koncerte në disa festivale dhe klube muzikore evropiane.  Turneu i planifikuar me një seri aktivitetesh koncertale gjatë 2026-2027, vazhdon në Portugali, Spanjë, Itali, Bullgari, Gjermani dhe Hungari.

Edhe Kënga e kujtimi për Nexhmije Pagarushën edhe me perlat e epokës së saj Kulturë 1 j. më parë Kënga e kujtimi për Nexhmije Pagarushën edhe me perlat e epokës së saj

Me performancën e “Cosimo and the Hot Coals”, “Rame Lahaj International Opera Festival” hyn në natën e shtatë të edicionit të sivjetmë. Pas këtij koncerti, festivali do të vazhdojë me edhe tri mbrëmje artistike deri në përmbyllje: “New Generation” më 24 korrik në Galerinë e Arteve në “Marigona Hill”, “Opera Night” më 26 korrik në Bibliotekën Kombëtare dhe mbrëmjen gala “Rame Lahaj & Friends” më 29 korrik në sheshin “Skënderbeu”, e cila do të shënojë edhe përmbylljen e festivalit.

Vigjilencë Islami