Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Filarmonia e Kosovës, në artikullin e “Classic FM” për dhjetëshen e kompozitorëve më të mirë anglezë

“Classic FM”, radioja prestigjioze e muzikës klasike, në artikullin i cili paraqet dhjetëshen e kompozitorëve më të mirë anglezë, teksa ka renditur kompozitorin John Tavener në mesin e tyre, për referencë ka marrë veprën e tij “Song of Athene” në interpretim të Korit të Filarmonisë së Kosovës me dirigjent Rafet Rudin.

“Song of Athene” përveç se është një prej veprave më të arrira të Tavenerit, qe interpretuar për ta nderuar princeshën Diana në ceremoninë mortore në Londër e që u transmetua në krejt botën. Përkundër kësaj “Classic FM” ka zgjedhur interpretimin nga muzikantët e Kosovës të cilët e kishin interpretuar këtë vepër në koncertin e 15 dhjetorit të vitit 2011 në kishën katolike “Shën Ndou” në Prishtinë.

Ndryshe, përveç John Tavener, në dhjetëshen e kompozitorëve më të mirë anglezë, sipas “Classic FM”, janë edhe: Thomas Talis, William Byrd, Henry Purcel, Hubert Parry, Edward Elgar, Frederick Delius, Ralph Vaughan Williams, Gustav Holst dhe Benjamin Britten.

Linku që ka shpërndarë “Classic FM”, ka mbi 90 mijë shikime.