Mbi 40 projekte muzikore ia kanë mësyrë Festivalit të Këngës në RTK, një ngjarje kaherë e paralajmëruar. Janë 18 prej tyre që janë kualifikuar për Festivalin i cili mbahet më 26, 27 e 28 tetor. Në listë figurojnë kryesisht këngëtarë të rinj. “Ka shumë të rinj dhe, po ashtu, jam i lumtur për këtë. Ndoshta mund të ketë pasur hezitim nga të tjerët, pasi të tjerët kanë dashur të shohin fillimisht se si po organizohet Festivali”, ka thënë kompozitori Florent Boshnjaku, drejtor artistik i Festivalit. Një problem për këtë ngjarje mbetet objekti. Do të mbahet në sallën e djegur të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. “Nëse realizohet synimi ynë veç 50 për qind, do të isha i lumtur”, ka thënë Boshnjaku
Organizimi i Festivalit të Këngës në RTK ka bërë edhe një hap: Janë zgjedhur 18 këngët që do të garojnë në edicionin e parë të kësaj ngjarjeje që do të nisë pas më shumë se 24 vjetëve prej kur Kosova është çliruar. Në listë figurojnë kryesisht këngëtarë të rinj. Kur ka mbetur pak më shumë se një muaj kur do të mbahen tri netët e Festivalit, organizatorët janë në punë intensive.
Në listën e publikuar nga televizioni publik, e cila ka renditje alfabetike, zënë vend këngëtarë si Arbër Salihu me këngën “Oj Kosovë”, Adea Pula me “Nuk me ke meritu”, Mentor Mripa me “Po ju rrëfehem”, Neki Emra me “Heroi im” e Klea Dina me “Trenat”.
Drejtori artistik i Festivalit, kompozitori Florent Boshnjaku, ka treguar se në konkurrencë kanë qenë mbi 40 projekte muzikore.
“Disa janë diskualifikuar pasi ishin zhanre të tjera që nuk përkojnë me Festivalin. Seleksionimi është bërë nga ekipi i RTK-së”, ka thënë ai. Sipas Boshnjakut, këngët që do të garojnë janë stile të ndryshme muzikore dhe për këtë ka thënë të jetë i lumtur.
“Ka shumë të rinj dhe po ashtu jam i lumtur për këtë. Ndoshta mund të ketë pasur hezitim nga të tjerët pasi të tjerët kanë dashur të shohin fillimisht se si po organizohet Festivali”, ka thënë ai. Por, sipas Boshnjakut, ky festival është dashur të nisej me patjetër.
“Kur të vijë momenti që kënga të shkojë në ‘Eurovision’, institucioni duhet të jetë i përgatitur. Kur e ke pak traditë, e di konceptin, pastaj e sheh se si bëhet strukturimi i një orkestre e gjithçkaje tjetër”, ka thënë ai.
Në datat 26, 27 dhe 28 tetor Festivali do të mbahet në sallën e djegur të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Ky është një telash i madh, pasi duhet maskuar e tëra.
“Nëse realizohet synimi ynë veç 50 për qind, do të isha i lumtur. Festivali mbahet në sallën e djegur, por do të kamuflohet me perde e gjëra të tjera. Është koha të investohet në infrastrukturë”, ka thënë Boshnjaku.
Sivjet televizioni publik ka vendosur që sikurse edhe transmetuesit e tjerë shtetërorë ta ketë festivalin e vet. Megjithëse është njëfarë mësymje artistike drejt festivalit evropian të këngës “Eurovision”, ky qëllim sipas organizatorëve del të mos jetë primar.
Për këtë nismë RTK-ja është përkrahur direkt nga Qeveria. Në shkurt të këtij vitit nëpërmjet një memorandumi të bashkëpunimit Ministria e Kulturës kishte zotuar për RTK-në 750 mijë euro për tre vjet. Sivjet do t’i jepen 300 mijë euro. Në Memorandum përmendet Festivali dhe themelimi i një kanali televiziv për artin e kulturën që do të mbulonte aktivitetet e MKRS-së dhe të institucioneve vartëse. Megjithëse në Memorandum nuk ceket qartë se mjetet janë zotuar vetëm për Festivalin, të dyja palët e kanë thënë këtë deklarativisht.
Zëvendësdrejtori i RTK-së, njëherësh drejtor i Festivalit, Adi Krasta, në qershor kur u hap konkursi për këngët, kishte thënë se Kosova duhet të ketë një festival të këngës pa marrë parasysh se ende nuk mund të dërgojë këngë në “Eurovision”.
“Drejtori i ‘Eurosong’ u shpreh në një e-mail se një festival kënge është shumë pozitiv për jetën artistike të çdo vendi. Çdo fundtetor Prishtina dhe RTK-ja do të realizojnë edicionin e radhës të Festivalit të Këngës. Dua të besoj se do të sjellë atmosferë të mirë në qytet”, kishte thënë Krasta. Sipas Krastës, këngëtarët e artistët me eksperiencë do të jetojnë një moment të bukur dhe se nuk duam të harrojnë se është një festë, bëhet për kënaqësi dhe u përket të gjithëve. Në kushte ideale, kënga fituese do ta përfaqësonte Kosovën në “Eurovision”.
Kosova vazhdimisht ka pasur ambicie për të qenë pjesë e Festivalit Evropian. Por meqë RTK-ja nuk është anëtare e “The European Broadcasting Union” (Rrjetit Evropian të Transmetuesve), përfaqësimi i Kosovës në “Eurovision” është i pamundshëm.
Në vitin 2015, Petrit Selimi, asokohe zëvendësministër i Punëve të Jashtme, kishte bërë një cicërimë në rrjetin social Twitter.
“Për të qenë i qartë: unë e di që Kosova do të marrë pjesë vitin e ardhshëm në ‘Eurovision’”, kishte shkruar ai. Por pas tri ditëve kishte zbutur qëndrimin. “Kosova do të punojë në muajt e ardhshëm që të plotësohen të gjitha kushtet që EBU të pranojë RTK-në si pjesëmarrëse në ‘Eurovision’ më 2016 në Suedi. Kemi sinjale që ka gatishmëri që ky proces të finalizohet këtë vit”, kishte thënë ai. Krejt këto ngelën “cicërima”.
Janë gjithsej katër kritere bazë që një shtet duhet t’i plotësojë që të fitojë të drejtën të prezantohet në Festival Evropian të Këngës. Si fillim ai shtet duhet të jetë pjesë e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU) apo të jetë anëtar i Këshillit të Evropës. E Kosova nuk është pjesë e asnjërës prej tyre. Sivjet shteti ka aplikuar për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës.
Drejtori i Festivalit të Këngës në RTK, Adi Krasta, kishte thënë se ka dy qasje për në “Eurosong”.
“Njëra është politiko-diplomatike. Pra, të futemi në EBU e më pas në Festivalin Evropian, ose qasja e dytë, të prodhojmë një produkt të standardeve të tyre dhe më pas të bëhet kërkesa për pranim. Në pritje që të funksionojë varianti i parë ne po punojmë për të dytin. Ne po bëjmë Festivalin pa menduar për ‘Eurosongun’. Ne si RTK duam ta gëzojmë publikun tonë në Kosovë e kudo gjetkë. Të tjerat le të ndodhin sipas ritmeve të tyre”, kishte thënë ai.
Sipas konkursit të hapur nga RTK-ja më 2 qershor e i cili është mbyllur më 30 gusht, aty me këngët e tyre mund të konkurronin krijues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e diaspora.
Lista e këngëve konkurrente në Festivalin e Këngës
“Shumë herë më nervozojnë” nga Agron Hajdari – “Inorga”, “Ajo” nga Albin Nikprelaj, “Dukat” nga Arbana Zahiti, “Oj Kosovë” nga Arbër Salihu, “Emri grua” nga Ariela Krasniqi, “Çmimi i dashnisë” nga Auron Deva, “Nuk më ke meritu” nga Adea Pula, “Një zemër për dy” nga “Agnus Dei”, “Merri” nga Ermal Demiri, “Shqip” nga Franc Koruni, “Po ju rrëfehem” nga Mentor Mripa, “Heroi im” nga Neki Emra, “Marrëzi” nga NIta Latifi, “Mendoj ku je” nga Saranda Alija, “Sekreti i tij” nga Teuta Statovci, “Ëndrrat s’kanë faj” nga “Urban Band”, “Trenat” nga Klea Dina dhe “Pa ty s’më rrihet” nga Hilmi Obërtnica.