Filmi “France” që premierën botërore e kishte vitin e kaluar në Festivalin e Filmit në Cannes, ka hapur Festivalin e Filmit Frankofon në Kosovë, të mërkurën mbrëma. Projektori i “Kino Armatës” është ndezur për të nisur edicioni e 22-të të festivalit që sivjet bashkon botën e filmit me temën “Dashuri gjithmonë”. Edhe filmi nën regji të Bruno Dumont që e ka hapur ngjarjen, gjatë gjithë kohës, dashurinë e ka kryetemë
Është një prej gazetareve e moderatoreve, e shndërruar në yll televiziv. Aso që në konferenca për media midis dhjetëra gazetarëve, edhe presidenti francez, Emmanuel Macron e thërret në emër.
France de Meurs (Léa Seydoux) nuk mund të ecë e qetë rrugëve pasi të gjithë e ndalin për një fotografi. Por një aksident i vogël trafiku kur godet një emigrant që drejton një motoçikletë ia ndryshon jetën asaj. Aty i përpëlitet dëshira për të qenë njeri i famshëm.
Filmi “France” që premierën botërore e kishte vitin e kaluar në Festivalin e Filmit në Cannes, ka hapur Festivalin e Filmit Frankofon në Kosovë, të mërkurën mbrëma.
Projektori i “Kino Armatës” është ndezur për ta nisur edicionin e 22-të të festivalit që sivjet bashkon botën e filmit me temën “Dashuri gjithmonë”. Edhe filmi nën regji të Bruno Dumont, që e ka hapur ngjarjen, gjatë gjithë kohës, dashurinë e ka kryetemë.
Para se të niste filmi, përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ata të Francës, kanë thënë se bashkëpunimi kulturor duhet të vazhdojë me intensitet edhe më të lartë.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku – i cili ka folur në anglisht për dallim prej të tjerëve që kanë folur në gjuhët e tyre amtare, atë franceze – ka thënë se Festivali i Filmit Frankofon ka qenë vazhdimisht i suksesshëm dhe tradicionalisht ka bërë bashkë artistë e profesionistë të kinematografisë dhe të arteve të tjera.
“Ky program i vlefshëm do të ndihmojë edhe më shumë sa u përket bashkëpunimeve kulturore”, ka thënë ai.
Sipas tij, Kosova dhe Franca kanë pasur një vit të shkëlqyeshëm sa u përket bashkëpunimeve. Ka thënë se këtë vit ka pasur intensifikim të bashkëpunimeve në nivele të ndryshme, përfshirë institucionet kulturore dhe ato të trashëgimisë kulturore, në fushën e shoqërisë civile e artistëve të pavarur.
“Këtë vit po ashtu kemi nënshkruar marrëveshjen për bashkëprodhim filmash, duke u hapur rrugë bashkëpunimeve të tjera në filma e kinematografi”, ka thënë ministri Çeku.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, ka thënë se kinemaja është një mjet i shprehjes kulturore që bashkon njerëzit, ofron të qeshura, por kinemaja po ashtu është industri kreative që krijon vende pune.
Sipas tij, industria e filmit i përshkon standardet kulturore, për shkak se është industri krijuese dhe standard kulturor të cilit duhet dhënë hapësirë.
“Ekonomia ka nevojë për konkurrencë dhe kultura ka nevojë për diversitet. Në emër të diversitetit që Franca e ka mbrojtur, mundësohet të ketë përfitime ekonomike dhe hapësirë krijuese”, ka thënë ai. Sipas diplomatit të karrierës, Frankofonia është hapësirë diversiteti. Ka thënë se Frankofonia nuk është vetëm Franca dhe nuk ka të bëjë vetëm me vendet evropiane por shtrihet në pesë kontinente dhe ka 300 milionë folës. Për thellim të bashkëpunimeve kanë folur edhe përfaqësuesit diplomatikë të Belgjikës e të Zvicrës si bashkorganizatorë të Festivalit.
Në filmin që ka hapur këtë edicion, personazhja kryesore tronditet nga një aksident i lehtë dhe kupton se fama nuk është gjithçka. Vendos që për një kohë të largohet nga televizioni dhe ikën në bjeshkë në një lloj instituti që ofron terapi psikologjike. Distancohet nga bashkëshorti. Humb bashkëshortin dhe të birin në një aksident në komunikacion. Pasi i kthehet prapë jetës televizive dhe bën disa reportazhe në Ugandë, vazhdon lidhjen e saj me një partner që e kishte takuar në institucionin rehabilitues. Përtej kësaj filmi nxjerr në pah dashurinë për punën, jetën e qetësinë.
Sipas organizatorëve të Festivalit, sivjet 6 filma do të jepen nëpër disa qytete të vendit. “Tema e vitit 2022 ‘Dashuri gjithmonë’ ilustron për mrekulli këto 22 vjet takimesh romantike me Artin e 7-të. E vetmja gjë që mungon jeni ju, që romanca jonë kinematografike të jetë e plotë”, shkruhet në pllakatet e ngjarjes. Peja, Prizreni e Mitrovica po ashtu, janë nikoqire të një pjesë të programit të sivjetshëm.
Filmat si “Petite leçon d’amour”, “Le petit Nicolas”, “King of the Belgians” e “Illusions perdues” do të jenë po ashtu pjesë e programit të njërës prej ngjarjeve kulturore më të vjetra në Kosovën e pasluftës.