Themelimi i Qendrës Evropiane për Arkitekturë dhe Dizajn Urban të Avancuar, si dhe implementimi i projektit “Urbana Data Kosovo” do të jenë dy veçantitë që do ta karakterizojnë edicionin jubilar, të dhjetin me radhë, të Festivalit të Arkitekturës në Kosovë.
Bekim Ramku, drejtor i Festivalit të Arkitekturës në Kosovë, ka bërë të ditur se në kuadër të edicionit jubilar festivali do të ketë dy veçanti.
E para ka të bëjë me implementimin e “Urbana Data Kosovo”, e cila do të arrihet në bashkëpunim me “Leventhal Center for Advanced Urbanism”, prej ku në Kosovë do të vijnë edhe dy hulumtues për të organizuar një punëtori dhe disa ligjërata.
“E veçantë sivjet është se me mbështetjen e Ambasadës së Amerikës dhe KUSA-s jemi duke e implementuar projektin “Urban Data Kosovo” që ka për qellim prezantimin e lëndës së analizimit të të dhënave urbane në shkollat tona të arkitekturës, projekt ky i zbatuar me qendrën numër një në botën akademike ‘Leventhal Center for Advanced Urbanism’ pranë ‘Massachusetts Institute of Technology’ dhe në kuadër të saj kemi të planifikuar një punëtori dhe ligjëratë nga 2 hulumtues nga kjo qendër”, ka bërë të ditur Ramku.
Po ashtu, në kuadër të festivalit i cili organizohet nga KAF (Kosovo Architecture Foundation) këtë vit, do të themelohet edhe Qendra Evropiane për Arkitekturë dhe Dizajn Urban të Avancuar.
“E veçanta tjetër sivjet është se me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, KAF do të themelojë Qendrën Evropiane për Arkitekturë dhe Dizajn Urban të Avancuar. Ku në kuadër të saj KAF do të organizojë punëtori me MVRDV.next”, ka treguar Ramku.
Këta dhjetë vjet Festivali i Arkitekturës në Kosovë ka pasur për qëllim që të sjellë para studentëve dhe arkitektëve të rinj metodologji e vegla bashkëkohore, si dhe t’i inspirojë ata me prezantime dhe punëtori të udhëhequra nga arkitektë, planerë e disenjatorë të mirënjohur nga mbarë bota.
Këtë vit ngjarja më e madhe e arkitekturës në vend do të ofrojë program të pasur me ligjërata, punëtori e aktivitete të ndryshme. Vetëm gjatë muajit korrik do të zhvillohen tetë ligjërata dhe tri punëtori, ndërsa gjatë muajit shtator përveç dhjetë ligjëratave e pesë punëtorive do të ketë edhe shfaqje të filmave dokumentarë, intervenime urbane, si dhe një ekspozitë.
Festivali njihet për sjelljen e ligjëruesve të njohur në kryeqytet. Këtë vit ai do të vizitohet nga emra të tillë si: Kristina Knauf, Leo Stuckardt nga “MVRDV.next”; Joni Baboci nga “Get.Layer”; kryetari i Prishtinës e njëherësh arkitektit të njohur Përparim Rama; Eric Robsky Huntley nga “Massachusetts Institute of Technology”, por edhe të tjerë.
Festivali i Arkitekturës në Kosovë sivjet nuk do të ketë ndonjë temë specifike. Ai do të nisë nga 4 deri më 10 korrik dhe nga 12 shtatori deri në fund të muajit.
Me temën “Alter-Nation” vitin e kaluar festivali ishte mbajtur në muajt shtator dhe tetor. Gjatë asaj periudhe ishin organizuar ligjërata nga emra të njohur të botës së arkitekturës, punëtori e shfaqje të dokumentarëve.
Përfaqësues të tij kanë bërë të ditur se këtë vit festivali synon të organizojnë numër rekord të ligjëratave publike dhe punëtorive të specializuara.
Sipas njoftimit të tyre, në shtator festivali do të shpallë një numër të rezidencave hulumtuese dhe nënshkrimin e memorandumeve të bashkëpunimit me disa nga institucionet më të rëndësishme në botën e arkitekturës në Evropë e Amerikë.
Të gjitha ligjëratat e Festivalit të Arkitekturës në Kosovë janë të hapura për publikun dhe do të mbahen në hapësirat e “Kino Armatës” më datat 7, 8 dhe 9 korrik. Programi i plotë i ngjarjeve të muajit shtator do shpallet në fund të muajit gusht.