Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Festa letrare në kapërcimin e radhës të kufijve

Një karvan veturash mbrëmjen e së premtes është nisur nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës drejt teatrit “Oda”. Jo si dasmorë me zhurmat e borive e me flamuj, por si lajmëtarë të hapjes së përbashkët të festivaleve “Polip” dhe “HAPU”, që sivjet ka ardhur me emrin “Hapudemia”.

Që të dyja eventet u janë përshtatur rrethanave me virusin. I menduar si solidarizim i përbashkët, organizatorët kanë zgjedhur që të pranishmit në vetura në frekuencë të njëjtë radioje të dëgjonin dhjetëra poetë që lexonin vargjet e tyre, transmeton KOHA.

Vargjet poetike në 106.8 Mhz kanë qenë si intro e “Hapudemisë” drejt hapjes së “Polipit”. Masazhi është përtej një aktiviteti letrar e pushtimi hapësire me art. Vjen edhe si solidarizim dy festivalesh, si shtyrje kufijsh e aktivizëm në kohë të zorshme

Në kundërpërgjigje ndaj pandemisë, “Polipi” organizuar nga qendra “Multimedia”, megjithatë ka bërë tok shkrimtarë, në hapjen e edicionit jubilar, të dhjetit, të këtij festivali ndërkombëtar të letërsisë.

Me anë të një lidhjeje të drejtpërdrejtë nga Münsteri i Gjermanisë, shkrimtarja kroate Alida Bremer ka përshëndetur pjesëmarrësit e edicionit jubilar.

Edhe “Polip” dhe “Hapudemia” në frekuenca të njëjta si shembull solidarizimi Kulturë “Polip” dhe “Hapudemia” në frekuenca të njëjta si shembull solidarizimi

Teksa ka shprehur keqardhje për pamundësinë për të marrë pjesë fizikisht në festival, ajo ka përgëzuar organizatorët që kanë përfillur masat e sigurisë kundrejt pandemisë COVID-19.

“Për mua ky festival është për gjuhën dhe e di që për shumë vjet me radhë ‘Polipi’ ka ndryshuar gjuhën e komunikimit të ndërsjellë në Evropën Juglindore”, ka thënë Bremer, e cila është një nga përkthyeset më të njohura të kulturës kroate në botën gjermanishtfolëse.

Shkrimtarja 61-vjeçare ka vlerësuar se letërsia është vendi më i mirë për empati e mirëkuptim.

“Ndonjëherë bën edhe të kundërtën, por kjo nuk duhet të na dekurajojë”, ka shtuar Bremer.

Edhe “Polip” në kapitullin e ri si fole kreative nëpër rrugën e kujtesës Kulturë “Polip” në kapitullin e ri si fole kreative nëpër rrugën e kujtesës

Dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë se festa e sivjetme letrare bëhet për herë të parë pa praninë e publikut. Por, sipas tij, forma digjitale ka mundësuar që organizatorët të realizojnë të dhjetin edicion me radhë.

“Publiku do ta dojë ashtu siç e ka dashur në nëntë edicionet e kaluara, ku kanë marrë pjesë rreth 300 shkrimtarë, poetë e njerëz të kulturës”, ka thënë Neziraj për “Polipin”, i cili nga sivjet do të organizohet në mjediset e teatrit “Oda”.