Në vetura, përballë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, duke u lidhur në frekuencën e njëjtë të radios dhe duke dëgjuar poezi. Kështu është menduar nisja e festivaleve “Polip” dhe “HAPU”, që sivjet vjen me emrin “Hapudemia”.
Gjersa në radio dëgjohen vargjet e poetëve Sibel Halimi, Lulzim Haziri, Faruk Shehiq, Tomislav Markoviq, Nora Prekazi-Hoti, Loer Kume, Plator Gashi, Katja Grçiq dhe Ana Kove, veturat do të nisen drejt teatrit “Oda”.
Ky udhëtim letrar është konform masave për parandalimin e përhapjes së koroanvirusit. E hapja e përbashkët sonte në orën 19:30 është një solidarizim midis festivaleve, të cilat këtë vit kanë ndryshuar e janë adaptuar me situatën e krijuar duke vënë në pikëpyetje edhe kohën e tashme, transmeton KOHA.
Çështjet gjuhësore dhe realitetet që lidhen me to janë konceptuar si boshti i edicionit të dhjetë të festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip”. Ndërsa edicioni i gjashtë i festivalit të artit në hapësirë publike, “Hapudemia” synon që përmes artit të krijojë një lloj hapjeje me njëri-tjetrin, me hapësirën, me qytetin e me artistët. “Polip”, që këtë vit mbahet online, përfundon më 14 shtator, ndërsa “HAPU” do të shtrihet në pjesën e mbetur të këtij viti duke sjellë aktivitet të shtrira në kohë e hapësira të ndryshme, fizike e digjitale.
Koordinatorja e festivalit “Polip”, Lendita Idrizi, ka thënë se aktiviteti i përbashkët me “HAPU” vjen si solidarizim në mes të festivaleve.
“Në këto ditë pandemie dhe situatë të pazakonshme, artistët nuk kanë pasur asgjë, përveç ndihmës dhe solidarizimit me njëri-tjetrin”, ka thënë ajo. Ka treguar se Festivali njëlloj si vitet e kaluara është ndërtuar duke besuar thellësisht te rëndësia e lidhjeve rajonale dhe ndërkombëtare të shkrimtarëve, të cilët i sjellin gjuhët si autentike, përkundër përmbytjes nga kode publike shpesh problematike. Idrizi ka thënë se ani pse në rrethana të pazakonta, nën moton “Change Your Language!” (Ndrysho gjuhën tënde!) stafi organizativ do të mundohet të sjellë atmosferën që e ka dominuar këtë festival në të kaluarën.