Për gati dy orë, një grup filloristësh nga shkollat e kryeqytetit u mblodhën në oborrin e Katedrales “Nënë Tereza” në një prej aktiviteteve të treditëshit që i paraprinë “Festës së Shën Nënë Terezës në Prishtinë” me të cilën sivjet, të mërkurën e 5 shtatorit, në mënyrë të veçantë Ipeshkvia e Kosovës shënon njëvjetorin e shugurimit të Katedrales dhe 90-vjetorin e nisjes së Gonxhe Bojaxhiut – Shën Nënë Terezës për misione në Kalkutë të Indisë.
Të dielën pasdite, fëmijët të ndarë në grupe, nëpër letra të bardha vizatuan dhe shkruan disa shkronja, për t’i bashkuar ato më pas në krijimin e një thënie të Nënë Terezës: “E djeshmja iku, e nesërmja nuk ka ardhur, e kemi vetëm të sotmen. Le të fillojmë”, shkruan sot “Koha Ditore”. Dita e parë e këtij aktiviteti të organizuar nga Kisha Katolike në Prishtinë, ka nisur me meshën në Katedrale për të vazhduar më pas me një ligjëratë për Nënë Terezën dhe krejt në fund me muzikë nga të rinjtë e Famullisë së Prishtinës.
Doruntina Gjini, e cila ka qenë një prej vullnetareve, e cila ka ndihmuar në punën me fëmijë ka thënë se ky organizim është bërë me qëllim që mesazhet e Nënë Terezës të përcillen edhe tek fëmijët.
Njëjtë sikurse mesazhet dhe veprimtaria e Nënë Terezës që u mundua të përçohet tek fëmijët, edhe në meshë u bë thirrje që shembulli i mirë i saj të ndiqet nga të gjithë. Me këtë rast, është thënë se vepra e Nënë Terezës është dëshmia më e mirë e “dashurisë universale”.

Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës, Shën Nënë Terezën e ka cilësuar si shenjtëreshë, e cila dëshmoi dashurinë në veprim, shërbim, flijim dhe dhurim.
Gjergji, duke numëruar veprat bamirëse të saj ftoi që të imitohet jeta e saj... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)