Me projektin e “MuraFestit”, Ferizaj është futur në mesin e 19 qyteteve evropiane që përfitojnë nga fondacioni botëror “Bloomberg” në programin “Asphalt Art”. Me 25 mijë dollarë nënkalimi i rrugës “Emin Duraku” do të shndërrohet në galeri urbane, por nuk është kjo pesha e vetme e kësaj fitoreje. Qyteti i muraleve me të merr vëmendje ndërkombëtare. “Është krenari jo vetëm për qytetin tonë, por edhe për vendin në përgjithësi”, ka thënë Lebibe Topalli, drejtoreshë e “MuralFestit”
Ferizaj ka kohë që ka marrë epitetin si qytet i muraleve dhe jehona e tij nuk shtrihet tashmë në rajon, por edhe në qarqe evropiane. Meritor për këtë është “MuralFest Kosova”. Falë tij, Ferizaj është në mesin e 19 qyteteve të Evropës që përfitojnë nga fondacioni “Bloomberg” dhe shenja që do të lërë në qytet ky projekt është murali në nënkalimin e rrugës “Emin Duraku”.
Me një pjesë të tij realizuar në maj, në edicionin e sivjetmë, të shtatin me radhë, “MuralFesti” ishte futur në garën e “Bloomberg Philantrophie” të Amsterdamit për programin “Asphalt Art”. Në qershorin e vitit që vjen, me artin e muraleve, nënkalimi do të shndërrohet në një lloj galeria urbane. Puna pritet të nisë disa muaj më herët.
Lebibe Topalli, drejtoreshë e “MuralFestit”, ka thënë se futja e Ferizajt në mesin e fituesve është me peshë jo vetëm për kompletimin e një murali të radhës.
“Konkurrenca ka qenë shumë e madhe dhe janë pranuar vetëm 19 vende. Është krenari jo vetëm për qytetin tonë, por edhe për vendin në përgjithësi. Me fillim të implementimit të projektit ku fillon nga muaji mars, do të bëhet një promovim goxha i madh edhe në rrjetet sociale edhe nga vetë fondacioni ‘Bloomberg Philantrophie’“, ka thënë Topalli për KOHËN.
Qytetet e tjera ku do të shkrihet “Asphalt Art” përfshijnë atë që emërtohet si “hapësirë e re dhe e rigjallëruar këmbësore” në Bruksel, Zagreb, Bërno të Kroacisë, Helsinki, Reykjavik të Islandës, Firence, Prato e Romë të Itali, Cluj-Napoca të Rumanisë dhe në Madrid. Tirana përfshihet në ndërhyrjen për “përmirësim të sigurisë”, e po këtu bëjnë pjesë edhe qyteti Gdynia i Polonisë, Bratislava e Koshice të Sllovakisë dhe Leon në Spanjë. Në kategorinë për “murale në udhëkryqe dhe vendkalime” janë Varna, Athina dhe Stambolli.
Në Rregulloren e fondacionit holandez “Bloomberg Plihantropies”, me seli në Amsterdam, përcaktohet se në garë përfshihen vendet anëtare në Bashkimin Evropian. Aprovimi i aplikimit të “MuralFestit” në këtë organizatë vjen si triumf i artit mbi çështjet politike dhe dëshmi se arti nuk njeh kufij.
I ftuar në ceremoninë e organizuar nga themeluesi i “Bloomberg”, Michael Bloomberg, ka qenë edhe kryetari i Komunës së Ferizaj, Agim Aliu, por në të cilën nuk kishte marrë pjesë.
“Një lajm i mirë ky për artin e kulturën në Ferizaj, që qytetin tonë e përfshin në hartën artistike evropiane”, ka shkruar Aliu në rrjetin Facebook.
Bloomberg ka qenë tri herë kryetar i qytetit të New Yorkut, qeverisja e të cilit e ka bërë lider në ndryshimet klimatike, në shëndetin publik, arsimin e çështje të tjera me të cilat përballet bota.
Lebibe Topalli ka thënë se aprovimi i aplikimit të “MuralFestit” në “Bloomberg Philantrophie” sjell të mira të shumanshme pasi po bëhet donator i tij, dhe një pjesë e rëndësishme e qytetit do të shndërrohet artistikisht. Kësaj here do të mbulohet tamam kostoja reale për projektin.
“Në shumicën e rasteve është dashur të bëhen gjërat në mënyrë vullnetare, por edhe me mbështetjen e bizneseve. Tani e kemi buxhetin tamam sa kërkohen. Shpresojmë se Ministria dhe Komuna të jenë më syhapur dhe të përkrahin ‘MuralFestin’ pa reaguar dhe pa bërë ankesa pasi po detyrohemi shpesh të bëjmë ankesa dhe pastaj të shqyrtohet kërkesa për t’u përkrahur Festivali”, ka thënë ajo derisa është shprehur optimiste se gjatë vitit të ardhshëm do të ketë vëmendje më të madhe dhe do të reduktohen rastet kur për shkak të pjesës financiare cenohen planet e planifikuara për realizim.
Në gusht të këtij viti, kur ishin shpallur rezultatet nga Ministria e Kulturës për përzgjedhjen e mbështetjes për organizatat joqeveritare dhe individëve në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore, projekti me të cilin kishte aplikuar “Mural Fest Kosova” ishte refuzuar. Si rrjedhojë nuk kishte marrë fonde nga Ministria dhe për këtë gjë nuk kishte pasur një arsyetim nga institucioni përkatës. Në reagimin e tre gushtit në Facebook, nga stafi i Festivalit ishte bërë e ditur se ishin plotësuar kërkesat e kritereve që dalin nga kjo thirrje, që e kishin konsideruar si të padrejtë.
“Sipas kërkesave dhe kritereve që dalin nga kjo thirrje, ‘MuralFest Kosova’ i ka plotësuar ato, prandaj jemi shumë të zhgënjyer me njoftimin që as për vitin 2022 organizata jonë nuk po përkrahet financiarisht nga MKRS-ja”, thuhej, ndër të tjera, në reagimin e tyre.
Iniciativa e artit të asfaltit në kuadër të fondacionit “Bloomberg” ofron mbështetje financiare dhe mbështetje teknike për ridizajnimin e rrugëve. Nëpërmjet kësaj, synohet rritja e sigurisë, rigjallërimi i hapësirave publike dhe angazhimi i komuniteteve lokale. Në prezantimin e këtij institucioni, thuhet se “të dhënat e fundit tregojnë ulje dramatike të aksidenteve në trafik dhe të drejtimit të pasigurt në dhjetëra vende të projektit të artit të asfaltit”. Sikurse vendet e tjera përfituese, edhe ai në Ferizaj do të financohet me 25 mijë dollarë.
Projekti që do të organizohet nga “MuralFest Kosova” parashihet të merret përsipër nga 10 deri 15 aktivistë. Mendohet që tema të jetë prapë “On/Off Line”, mirëpo, sipas Topallit, krejt varet nga aplikuesit të cilët së pari do t’i nënshtrohen një punëtorie e më pas do të përzgjidhen pjesëmarrësit. Ajo ka thënë se “muralet duhet t’i përshtaten ambientit të nënkalimit dhe me siguri do të jenë punime më shumë urbane dhe abstrakte”.
Sikur edicionet e tjera, edhe ai i fundit që ishte mbajtur në maj të këtij viti, ka qenë mjaft i pasur në program nën temën “On/Off Line”.
Objekti i Universitetit të Shkencave të Aplikuara, shkolla e mesme e muzikës “Çesk Zadeja”, ajo fillore “Tefik Çanga”, e disa rrugë në qytet kanë qenë shtatë hapësirat e përzgjedhura që ishin prekur nga ndërhyrjet e artistëve me renome ndërkombëtare e vendore. Përveç punimit të muraleve, janë mbajtur edhe punëtori me artistë të huaj e ligjërata me temat të artit e më gjerë. Kishin qenë artistet Retry One dhe En, vajzat e grupit artistik “SpringFlash” nga Britania që kishin përmbushur kërkesën e shtruar nga qytetarët e Ferizajt që nga inaugurimi i nënkalimit “Bashkimi i Qytetit”. Nuanca e gjelbër e muralit ishte thënë se ka për qëllim t’i dhurojë gjallëri një pjese të ngulfatur nga betoni, gjersa imazhet dhe simbolet e tjera të paraqitura kishin qenë të lidhura direkt me konceptin e Festivalit për edicionin e fundit. Kishte qenë një mural krejt më ndryshe nga të tjerët, por jo më pak i mirëpritur nga komuniteti.
Artisti nga Spanja, Theo Magma, kishte paraqitur ndikimin e rrjeteve dhe platformave sociale në personalitetin e njeriut. I titulluar “Creation of the Virtual-Like”, murali pasuron më tutje koleksionin e veprave të edicionit. Artisti britanik, Gabriel Pitcher, po ashtu kishte paraqitur art në mur, si hapësirë e gjerë diskutimi rreth transformimit digjital të shoqërisë. Ndërkohë, italiani Maximiliano Bagnasco kishte paraqitur “Mona Lisa of Kosovo” si koncept i skicuar me kujdes menjëherë pasi bota kishte filluar të zhvishej nga izolimi sherri i pandemisë. Në mesin e shtatë muraleve të punuara gjatë këtij edicioni të festivalit të muraleve, “Leart's Piano” i punuar nga artisti nga Spanja, Dridali, kishte kapur vëmendjen e të gjithë qytetarëve brenda dhe jashtë Ferizajt. Për të shënuar temën e cila promovon integrimin e të gjithë individëve në shoqëri, Dridali kishte vendosur të pikturojë Leart Gashin, muzikantin e ri si dëshmi se një kromozom më tepër nuk e bën tjetrin më ndryshe.
Asociacioni “Bloomberg”, në të cilin përfshihet edhe fondacioni me të njëjtin emër e në kuadër të tij projekti “Asphalt Art”, është themeluar në vitin 2014. Synon të punojë me qytete të ndryshme për të përmirësuar cilësinë e jetës për banorët për t’i bërë qytetet më të fuqishme, më të sigurta, më të barabarta dhe efikase.