Kulturë

“Fëmijët për fëmijët...” bashkohen në koncert për autizmin

Se “KamerFesti” nuk është thjesht festival i muzikës kamertale që promovon këtë lloj muzike duke sjellë emra të njohur e duke hapur skenën edhe për të rinjtë, dëshmi ka qenë mbrëmja e katërt. Me të e ka portretizuar veten si ngjarje mesazhesh e kauzash për gjithëpërfshirje e barazi, pa dallim. “Fëmijët për fëmijët – për njëri-tjetrin” kanë qenë titulli e motoja të koncertit të së shtunës mbrëma, ku në shenjë nderimi fëmijët performuan për shokët e tyre autikë.

Koncertin në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare e ka hapur Uran Hamiti, në piano me interpretimin e saktë të “Kinezit të vogël” të Roulit. Të famshmen e Beethovenit, “Für Elise” me plot emocion e ka interpretuar në piano Era Ademi, e cila solli në sallë melodinë e brishtë e elegante të kësaj vepre. Lindi Pasha po në piano ka kapur ritmin e shpejtë në violinë të “Israel Concertino”, shoqëruar në piano nga Melos Buza. Dyshja ka zbërthyer harmonishëm këtë vepër të Itzhak Perlmanit. I dalluar qe edhe Ajas Vitaku, nxënës i klasës së shtatë, që dëshmoi përgatitjen e tij në kitarë tek luajti në ritme e melodi të flamengos me interpretimin e “Asturias” të kompozitorit spanjoll Isaac Albeniz.

Profesoresha e muzikës Aida Gjikolli, njëherësh edhe menaxhere e festivalit “KamerFest”, ka thënë se nuk është e mjaftueshme që festivalet apo organizimet e tilla kushtuar autizmit të mbahen një herë apo dy herë në vit.

“Mendoj që nuk është një koncert që duhet të mbahet një natë apo një ditë në vit. Edhe pse e dimë që autizmi e ka ditën e tij në prill, ne po mendojmë që ta bëjmë pak më të shpeshtë, sepse vetëm një ditë nuk mjafton që t’i vetëdijesojmë njerëzit”, ka thënë Gjikolli.

Sipas saj, është e rëndësishëm që fëmijët me autizëm të rriten me dashuri dhe të kenë mundësi të marrin pjesë në ngjarje njëjtë sikurse edhe bashkëmoshatarët e tyre.

“Duhet plot 365 ditë që ne me u marrë me secilin prej tyre, sepse të gjithë janë fëmijë, nuk ka lidhje nëse është autik apo jo. Të gjithë duhet të rriten me bashkëmoshatarët e tyre, me dashuri, gjë që është shumë e rëndësishme, sepse dashuria si për instrumentin, si për fëmijën është sukses kyç në rolin e fëmijës”, ka shpjeguar ajo.

Organizimin e kësaj nate e ka vlerësuar edhe mësuesja e muzikës Lumturie Shabani, e cila ka thënë se netët si kjo janë shumë të rëndësishme.

“Ne duhet të kemi sa më shumë koncerte të këtij lloji, që t’i përkrahim edhe më shumë fëmijët me autizëm”, ka thënë ajo.

Shoqëruar nga pianisti Meloz Buza, në këtë mbrëmje, sopranoja Lumturie Shabani këndoi këngën “Vajz’ e vogël” të kompozitorit Simon Gjoni. Duke qenë se ajo punon edhe si mësuese e solo këndimit në shkollën e muzikës, “ArsKosova”, interpretimi i saj nuk mund të ishte më pak se profesional.

Shabani ka thënë se mësimi i solokëndimi nuk është aspak i lehtë duke pasur parasysh moshën dhe pjekurinë e tyre.

“Ushtrimi me rregulla e ashtu si e kërkon solokëndimi, ndoshta është paksa i vështirë te fëmijët, sepse edhe nuk e kuptojnë sa duhet sa të rriturit. Por në përgjithësi është shumë mirë dhe kënaqesh kur punon me fëmijët”, ka shpjeguar ajo.

Violinistja Sihana Badivuku, themeluese e festivalit “Kosova KamerFest”, ka folur për rëndësinë e kësaj mbrëmjeje dhe planet për të organizuar më shpesh të tillë koncerte.

“Koncertet kushtuar fëmijëve me autizëm janë shumë të rëndësishme, sepse ndihmojnë në vetëdijesimin e popullit. Ne planifikojmë që këto koncerte t’i bëjmë edhe më të shpeshta edhe në kuadër të festivalit ‘KamerFest’, por edhe në kuadër të shkollës ‘ArsKosova’, madje planifikojmë që ato t’i organizojmë për çdo muaj”, ka thënë Badivuku, e cila njëherësh është nënë e fëmijës me autizëm.

I pranishëm në sallë ishte edhe terapeuti i fëmijëve me autizëm, Galdim Zaplluzha. Duke folur për problemet e fëmijëve me autizëm, ka theksuar rëndësinë e organizimit të ngjarjeve të tilla muzikore.

“Faktikisht për fëmijët autikë nuk është vështirë të përballen me muzikën, për shkak se muzika është diçka edhe që e prek fushën sensore të tyre, dhe kjo i ndihmon fëmijës që të ndihet më i lirë, më mirë dhe për këtë arsye duhet edhe ta rrisim vetëdijesimin që sa më shumë të mbahen evente të tilla”, ka thënë ai.

“Kosova KamerFest” do ta vazhdojë edicionin e 21-të edhe me shtatë mbrëmje kamertale, deri në ditën e parë të dhjetorit.