FBI-ja zbuloi dy piktura të vjedhura katër dekada më parë nga muzeu i artit “Harwood” në New Mexico. FBI-ja ka gjetur dy piktura të vjedhura në vitin 1985 nga Muzeu që në atë kohë funksiononte kryesisht si bibliotekë publike me një galeri arti në katin e dytë. Pikturat janë: “Aspens” (1932) e Victor Higgins dhe “Oklahoma Cheyenne aka Indian Boy in Full Dress” (1915) e Joseph Henry Sharp
Hetimi u ringjall në fund të vitit 2023, kur gazetari hulumtues nga Los Angeles, Lou Schachter, kontaktoi drejtoreshën e Muzeut, Juniper Leherissey, duke thënë se kishte prova që lidhnin këtë vjedhje me një tjetër të famshme: vjedhjen e veprës së Willem de Kooning “Woman-Ocher” nga Universiteti i Arizonës më 1985. Në një dokumentar të vitit 2022 u shfaq një foto ku në sallonin e një çifti të dyshuar për vjedhjen (Rita dhe Jerry Alter), shiheshin edhe pikturat e Higgins dhe Sharp.
Pikturat ishin shitur në ankand në vitin 2018 nga shtëpia e ankandeve “Scottsdale”, me tituj të ndryshuar: “Aspens” si “Fall Landscape”, për 93 mijë e 600 dollarë dhe “Oklahoma Cheyenne” si “Indian in a War Bonnet” për 52 mijë e 650 dollarë.
Pas mbledhjes së dokumenteve dhe provave nga një Task Forcë për Rikuperimin e Artit, FBI-ja mori zyrtarisht rastin në prill 2024. Pikturat u rikuperuan dhe u kthyen në Muze më 12 maj 2025, ndërsa u prezantuan publikisht më 6 qershor.
Leherissey, e cila ishte nxënëse në shkollë fillore kur ndodhi vjedhja, u shpreh: “Është një gëzim dhe një lehtësim i madh të mirëpresim rikthimin e këtyre veprave... Kjo ka rëndësi jo vetëm për ne, por për gjithë komunitetin kulturor të Taos”.
Rikthimi i pikturave ndodhi para se të ekzistonte ligji federal për vjedhje të artit të rëndësishëm, i cili u miratua në vitin 1994.
Aktualisht, pikturat janë në ekspozitën “The Return of Taos Treasures” së bashku me vepra të tjera të këtyre dy artistëve, të cilët ishin pjesë e rëndësishme e Shoqatës së Artistëve të Taos dhe historisë së vetë Muzeut.
Vepra “Aspens” (1932) e piktorit Victor Higgins është midis dy pikturave të vjedhura që ishin shitur në një ankand me emra të tjerë, e që tashmë janë kthyer në muzeun e artit “Harwood” në New Mexico