“... e, kur të vdisni, të gjithë, televizionet, radiot, teatrot, institucionet kulturore dhe ato shtetërore ju lavdërojnë, por jo më gjatë se një apo dy ditë. Kjo ngjan kur dikush vdes, ndërsa në të gjallë, nuk e di se pse, por nuk ju duan fare, madje as nuk ju inkurajojnë për të qëndruar dhe për të vazhduar më tutje me punën tuaj”, do të deklaronte Begolli. Konstatimi i tij doli të jetë shumë me vend. Vjet nuk është kujtuar fare. Qe një reprizë e moskujtimit sikurse më 2020. Institucionet mjaftoheshin me postime në rrjete sociale. Për sivjet, të paktën sipas paralajmërimit të Ministrisë së Kulturës, duket pak më ndryshe
Për studentët e tij, është profesori i pazëvendësueshëm, ndërsa sa i përket filmit e teatrit një prej yjeve të ish-Jugosllavisë. Me një trashëgimi të bujshme, Faruk Begolli vdiq më 23 gusht të vitit 2007 në Prishtinë. Në përvjetorët e vdekjes rrallë u kujtua me ndonjë ceremoni me peshë e shpesh veç nëpërmjet rrjeteve sociale.
Një ceremoni përkujtuese ku do të shfaqen filmat ku ka luajtur aktori është paralajmëruar për mesditën e sotme (e martë) në parkingun ngjitur me Ministrinë e Kulturës.
“... e, kur të vdisni, të gjithë, televizionet, radiot, teatrot, institucionet kulturore dhe ato shtetërore ju lavdërojnë, por jo më gjatë se një apo dy ditë. Kjo ngjan kur dikush vdes, ndërsa në të gjallë, nuk e di se pse, por nuk ju duan fare, madje as nuk ju inkurajojnë për të qëndruar dhe për të vazhduar më tutje me punën tuaj”, do të deklaronte Begolli. Konstatimi i tij doli të jetë shumë me vend. Vjet nuk është kujtuar fare. Qe një reprizë e moskujtimit sikurse më 2020. Institucionet mjaftoheshin me postime në rrjete sociale. Për sivjet të paktën sipas paralajmërimit duket pak më ndryshe.
Për bashkëpunëtorët e tij, Begolli mbetet një frymëzues i pashoq. Studentët e kujtojnë vazhdimisht si profesorin shembull. Kurse sa i përket lojës së tij si aktor, Begolli kishte arritur majat në ish-Jugosllavi.
I lindur më 14 shkurt të vitit 1944, Begolli i takonte një familjeje të pasur në Pejë. Por asokohe regjimi i pas Luftës së Dytë Botërore nuk i kishte ne qejf familjes si ajo e Begollit. Familjes së tij pushteti i atëhershëm ia kishte konfiskuar pronat, pasi llogariteshin “kulakë”. Fëmijëria për Begollin do të ishte një dramë në vete. Ishte rritur në fshatin Baran të Pejës. E janë pikërisht dramat, ku Begolli do të frymonte si një prej artistëve më me nam në ish-Jugosllavi. Filmi është një histori më vete sa i përket krijimtarisë së artistit që bashkëpunëtorët e afër e thërrisnin “Faki”.
Dramaturgu Jeton Neziraj ka shkruar një monografi për Begollin. Është promovuar në vitin 2007, pak kohë para se artisti të vdiste. Rrëfimin e tij jetësor Neziraj ia ka marrë në kohën kur Begolli po përballej me sëmundjen.
Neziraj ka thënë se krijimtaria e Faruk Begollit si artist duhet parë në disa plane: puna e tij si aktor, puna e tij si regjisor, si drejtor i teatrit “Dodona” dhe puna e tij si profesor teatri.
Sipas Nezirajt, nga ky mozaik puna e Begollit si aktor është në plan të parë. Ka thënë se karriera e tij prej aktori, sidomos si aktor filmi, nis në fillim të viteve ‘60 dhe vazhdon me një ritëm të paparë. “Në vitet ‘70 dhe ‘80 ai ishte një prej aktorëve më të popullarizuar në tërë ish-Jugosllavinë. Ishte vërtet një yll filmi që adhurohej nga dhjetëra miliona njerëz në tërë ish-Jugosllavinë. Është ajo koha kur në qytete të ndryshme krijoheshin klubet e adhuruesve të Faruk Begollit”, ka thënë Neziraj.
Si regjisor dhe si drejtor i teatrit “Dodona”, Begolli, sipas Nezirajt, po ashtu ka merita të jashtëzakonshme. Ka thënë se Begolli e ka drejtuar teatrin “Dodona” në një kohë kritike, kur jeta kulturore në Kosovë praktikisht ka qenë e vdekur tërësisht. “Historia e këtij teatri është mbase një prej historive më të veçanta të teatrit në botë. Pjesën kryesore të kësaj historie e ka krijuar Faruk Begolli, me të cilin shpesh edhe identifikohet ky teatër. Në ato rrethana, okupimi e dhune të viteve ‘90 në Kosovë, një teatër i vogël në margjina të qytetit të Prishtinës ishte krijuar si një oazë kulturore që sfidonte erën e fortë të barutit dhe të tymit lotsjellës”, ka thënë Neziraj.
Sipas kapitullit në vete, e ka ndarë Begollin si pedagog, punë të cilën e kishte nisur në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar. Neziraj ka përmendur se studentë të Begollit në atë kohë kanë qenë, ndër të tjerë, edhe: Enver Petrovci, Kumrije Hoxha, Bajrush Mjaku, Selman Jusufi, Drita Krasniqi, Skënder Tafa, Avdush Hasani, Luan Daka, Fadil Hysaj dhe të tjerë. Krejt këta, sipas Nezirajt, më vonë do të ishin themeli i teatrit dhe i kinematografisë kosovare.
“Ndërkohë që, në vitin 1989 Begolli themelon Degën e Aktrimit në Fakultetin e Arteve, ku edhe vazhdon të jetë profesor kryesor. E veçanta e punës së tij me studentë është pa dyshim mënyra se si ai lidhet emocionalisht me ta. I konsideron si fëmijë të tij dhe i trajton po në atë mënyrë”, ka thënë Neziraj. Sipas tij, nismëtar dhe themelues i Degës së Aktrimit, profesor emblematik i kësaj dege, ai pjesën kryesore të kohës do t’ua kushtonte studentëve aktorë, gjegjësisht trajnimit të tyre.
“Faruk Begolli përfaqëson artistin e jashtëzakonshëm, puna e të cilit është çmuar dhe do të çmohet në historinë e kinematografisë dhe përgjithësisht artit shqiptar dhe atij ndërkombëtar. Artist i rrallë, do të thosha…”, ka thënë Neziraj.
Regjisori Kushtrim Koliqi para dy vjetësh, në përvjetorin e vdekjes së Begollit, kishte thënë se meritat e Begollit si aktor, regjisor, pedagog e udhëheqës teatri janë të padiskutueshme. Sipas tij, një tipar i veçantë i Begollit ishte motivimi e shtytja e artistëve të rinj. “Qysh si student u mundonte që t’i nxirrte të rinjtë sa më shpejt në skenë”, kishte thënë Koliqi. Kishte kujtuar se si student i Regjisë së Teatrit ishte ftuar nga Begolli që t’i përcillte orët e aktrimit.
“Ai ka vlerësuar që regjisori duhet ta dijë mirë punën me aktorë. Më ka thënë: ‘nëse do me qenë regjisor i mirë, eja e shihe se si marrin frymë aktorët’”, kishte kujtuar Koliqi. Ka thënë se kësaj ia ka parë hairin shumë. “Besoj që aftësinë që e kam me u marrë me aktorë e kam nga ai”, kishte thënë Koliqi.
“Mjafton fjala ‘bohem’ për të. Ai ka qenë me të gjitha elementet me të cilat ne do të donim të ishin artistët e mëdhenj”, kishte thënë ai.
Në ditën e enjte të 23 gushtit 2007, vdiq dhe pastaj u varros aktori e profesori Faruk Begolli. Varrimi, me kërkesën e tij sa ishte gjallë, u bë në heshtje nga jo më shumë se 50 veta, kryesisht familjarë, kolegë dhe bashkëpunëtorë të tij të ngushtë. Pas ceremonisë së varrimit, një grup i vogël njerëzish u kthyen në shtëpinë ku kishte jetuar Begolli dhe pinë nga një gotë raki për shpirtin e tij. Edhe kjo ishte pjesë e amanetit të tij. Pas vdekjes së Begollit, Jeton Neziraj kishte shkruar se gjatë atij vitit sa ka qenë i sëmurë Faruk Begolli ka marrë disa shpërblime e mirënjohje. “Edhe këta të ujësjellësit ‘Batllava’ një ditë do të më japin një shpërblim, për pagesën e rregullt të ujit”, kishte thënë një ditë Begolli.
Ai mban rekordin e filmave, në të cilët ka luajtur një aktor shqiptar gjatë karrierës së tij - plot 58. Ai kishte bashkëthemeluar, përsëri me Enver Petrovcin, Shkollën e Teatrit në Prishtinë. U shfaq për herë të parë në filmin "Pogled u zjenicu sunca" ose "Looking Into the Eyes of the Sun" (1966). Dy vjet më vonë interpretoi në filmin "Uka i Bjeshkëve të Nemuna", si dhe në katër filma të tjerë në gjuhën serbokroate, duke ruajtur një ritëm të lartë: dy-tre filma në vit.