Kulla e Avdyl Agës, e cila gjendet në fshatin Dobrashec të Drenasit, bart një histori dyshekullore. Ajo dikur ishte objekt banimi i dhjetëra anëtarëve të familjes Avdyli, e cila tash është zgjeruar në 38 shtëpi të fshatit.
Objektet jashtë kullës tregojnë për mënyrën e jetesës së familjes Avdyli. Kulla posedon elemente dekorative brenda dhe jashtë.
Në harkun rrethor në derën kryesore është i gdhendur ylli i Davidit dhe sipër janë të gdhendura zbukurime të tjera në formën e lulediellit, që vijnë nga arkitektura ilire-dardane.
Dritaret e vogla dhe frëngjitë shërbenin për vëzhgim dhe si mbrojtje nga sulmet e ndryshme. Kulla ka shërbyer edhe si vendtakim i kuvendeve të pleqësive dhe kuvendeve për përgatitjen e kryengritjeve kundër pushtuesve.
Kulla, e cila është shpallur objekt i trashëgimisë kulturore para një dekade, gjatë restaurimit ka pësuar disa ndryshime.
Ramadan Avdyli ka jetuar për katër dekada në këtë kullë. Me nostalgji rrëfen disa kujtime të jetës aty.
Edhe
Kulla e Ahmet Delisë hap kapitullin historik në ditën e flamurit
Këta filxhanë të kafesë i ruan si kujtime të jetës aty që i kishin mbijetuar kohës.
Familjarët e kullës së Avdyl Agës së shpejti synojnë të kthehen në këtë objekt për t’ia kthyer funksionin e banimit.
Ramadan Avdyli vjen shpesh t’i hapë e t’i mbyllë dyert e kësaj kulle ku ruan kujtimet e familjes.