EXPRESS

Rrëfimi i 75-vjeçarit për historinë dyshekullore të kullës në Herticë

Natyra e gjelbër është ajo që e karakterizon fshatin me shumë bukuri. Është ky fshati Herticë i Podujevës që ndodhet në afërsi të vijës kufitare Kosovë-Serbi.

Vizitorët përveçse shkojnë për t’i shijuar bukuritë e tij, një arsye tjetër që i shtyn ata është edhe dëshira për ta parë Kullën e Xhemail Haxhisë, e cila është e vjetër më shumë se dy shekuj. Mjeshtrit nga Dibra kishin bërë plot tre vjet për ta ndërtuar atë. Objekti i cili mbrohet nga shteti si trashëgimi kulturore është ndërtuar me mur prej trashësisë 80 centimetra të lidhur me llaç balte dhe breza druri në lartësi të caktuar.

Në këtë dru, që daton prej vitit 1875, në osmanisht është gdhendur ftesa për vizitorë ku shkruhet: “Ejani me qëllim të mirë”. Duke u mbështetur në këtë mesazh, familjarët ndër vite e kishin mbajtur derën hapur për mysafirë. Aty ishin strehuar edhe shumë refugjatë gjatë viteve të vështira, kur shqiptarët u dëbuan nga Sanxhaku i Nishit.

Në këtë kullë kanë jetuar disa gjenerata të familjes Haxhiu. Bajram Haxhiu, 75- vjeçar, deri pas luftës kishte jetuar në kullë. Ai kujton se gjatë luftës vetëm dy ditë kishte shkuar në Podujevë për t’ua dëshmuar familjarëve se ishte gjallë.

Në katin e dytë në ballë të kullës ndodhet çardaku. Bajram Haxhiu aty ruan disa nga pajisjet shtëpiake, të cilat dëshmojnë për mënyrën e jetesës në atë kohë.

75-vjeçari, edhe pse janë bërë disa vjet që nuk jeton në kullë, sot e ka të vështirë të shkëputet prej saj. Njërës prej dhomave të katit të dytë ia ka dhënë pamjen e një ode. Shpesh gjatë ditës shkon aty dhe i ulur këmbëkryq ai e shuan mallin e ditëve të kaluara.

Në Herticë ishin të njohura edhe disa kulla të tjera, por që u shkatërruan gjatë viteve ’70 dhe ’80 të shekullit XX.