Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Express” sjell rrëfimin e grupit “403”

Hektor Gjurgjiali, vokalisti i bendit të njohur “403”, vjen në një rrëfim të rrallë për emisionin “Express” të Kohavisionit.

Në intervistën që do të transmetohet të hënën, vokalisti i një prej grupeve më të njohura të muzikës rock në vend, zbulon prapaskenat e themelimit të “403”-shit. Ai po ashtu flet për rrugëtimin që ka pasur ky grup muzikor, nga viti 1981 kur u themelua, deri në ditët e sotme që vazhdon të mbetet i kërkuar dhe i pëlqyer.

Gjurgjiali, në intervistën e realizuar me gazetaren Elvira Berisha, po ashtu zbulon detaje për këngët e reja që ka realizuar “403” e që nuk janë publikuar ende. Ai konfirmon se këto këngë do të përmblidhen në një album të radhës, që i bie të jetë i dyti në gjithë veprimtarinë muzikore të bendit.

Gjurgjiali shpjegon se përse “403” asnjëherë nuk ka realizuar videoklip, si dhe flet për mënyrën sesi e sheh aktualisht rock-skenën muzikore, përfshirë edhe mospërkrahjen e duhur institucionale për këtë zhanër muzikor.

Mes tjerash, ai flet edhe për rikthimin në skenë, në koncertin e mbajtur në kuadër të festivalit “Rock United”. Koncerti i grupit “403”, që u mirëprit nga audienca e mbledhur në amfiteatrin e Gërmisë, do të transmetohet i plotë në ekranin e Kohavisionit të shtunën prej orës 20:00.