Fushata për promovimin e rrëfimit që ka në fokus krizën e identitetit, e paranojat që kalon një i huaj në kërkim të kuptimit të jetës, po zhvillohen online. Institucioni më i lartë i kinematografisë në vend, ka ndarë 5 mijë euro më pak se vitin e kaluar. Edhe 15 mijë të tjera i ka ndarë edhe Gjermania, që është bashkëprodhuese e “Exile”. “Normalisht, buxheti i paraparë për të bërë një fushatë të kënaqshme dhe të mirë për këtë fazë ka qenë 90 mijë euro, por ne nuk e kemi atë shumë”, ka thënë producenti Yll Uka
Pandemia ka prekur edhe ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Oscar”. Është bërë e ditur se edicioni i 93-të do të mbahet më 25 prill të vitit të ardhshëm, dy muaj më vonë sesa zakonisht. Se si do të duket ngjarja më e madhe e kinematografisë, s’ka ende ndonjë skenar të qartë, por shpresat për një ngjarje glamuroze janë të pakta. Opsionet mbesin të limituara midis një ngjarjeje online a një edicioni hibrid. Lista e ngushtë e kandidatëve do të bëhet e ditur më 9 shkurt, përderisa nominimet do të shpallen një muaj më vonë.
Ekipet prapa filmave që synojnë këtë garë i janë përveshur punës për të promovuar projektet e tyre filmike. Njësoj ka vepruar edhe ekipi i filmit “Exile”, nën regji të Visar Morinës, propozimi i Kosovës për kategorinë “Best International Feature”. E gjithë fushata për promovimin e rrëfimit që ka në fokus krizën e identitetit, e paranojat që kalon një i huaj në kërkim të kuptimit të jetës, po zhvillohet online. Institucioni më i lartë i kinematografisë në vend ka ndarë dhjetë mijë euro, pesë mijë euro më pak sesa vitin e kaluar, kur propozoi filmin “Zana” të Antoneta Kastratit.
Rruga deri te çmimi “Oscar” është e gjatë. Shpesh, aspak në dorë të regjisorit. Kështu mendon edhe regjisori Visar Morina.
Për KOHËN në tetor të këtij viti kishte thënë se rol fatkeqësisht luan marketingu.
“Është hap shumë i madh për secilin që e fiton. Ka filma që kanë fituar e që kanë qenë shumë bajat dhe marketingu ka rol jashtëzakonisht shumë të madh dhe vitet e fundit janë rritur buxhetet për marketing. Mua kjo më duket tërësisht absurde dhe më duket që është një shenjë që tregon se ky sistem ka mangësi”, kishte thënë ai.
Bazuar në këtë, “Exile” nuk do të mund të mbështet fort në buxhetin e ndarë nga QKK-ja për marketingun e tij. Sidoqoftë, pas këtij viti të paparashikueshëm, gjithçka është e mundur. Një ndihmesë mund të jetë edhe fakti se trupa votuese për çmimet “Oscar” mendohet të jetë më diverse, me 819 anëtarë të rinj të ftuar për t’u anëtarësuar. Gati gjysma e të ftuarve të rinj nuk janë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nëse të gjithë e pranojnë ftesën, pritet të votojnë 9 mijë e 412 anëtarë. Ka të ngjarë që sidomos ata që kanë emigruar, ta gjejnë veten të “Exile”. Te filmi i Morinës – i cili për herë të dytë përfaqëson Kosovën për “Academy Awards” pas filmit “Babai” më 2015 – personazhi kryesor është kosovar, por mund të jetë çdo i huaj në cilindo vend. Xhaferi (Mishel Matiçeviq) është inxhinier i farmaceutikës nga Kosova që jeton në Gjermani me bashkëshorten e tij gjermane, Nora (Sandra Hüller) dhe tri vajzat e tyre. Ka shtëpi dhe vend të mirë pune. Por gjërat nuk ecin aq lehtë për të. Kur kthehet nga shtëpia, në bravë të derës sheh të varur një mi të ngordhur. Dikush nuk e ka në qejf, ani pse vështirë të kuptohet arsyeja. Miu është vetëm fillimi i ngjarjeve që vijnë si lajmëtar ogurzi. Kryeziu shumë shpejt nis të gjejë minj të ngordhur më shpesh në zyrë, por edhe në shtëpi. Paranoja sa vjen e rritet. Pos Matiçeviqit dhe Hüllerit, në film luajnë edhe Astrit Kabashi, Valentina Dubovci, Flonja Kodheli, Getuart Hajrizaj, Ameli Kabashi, e të tjerë.
“Exile” pati premierën botërore në janar të këtij viti, në festivalin e filmit “Sundance” në SHBA dhe atë evropiane në shkurt në “Berlinale”. Në gusht u shpërblye me çmimin “Zemra e Sarajevës” për filmin më të mirë, në Festivalin e Filmit në Sarajevë. Kështu me trofeun kryesor në edicionin e 26-të, Morina u bë i pari kineast nga Kosova të cilit iu akordua një çmim i tillë në këtë eveniment.
U propozua si kandidat i Kosovës për nominim në tetor dhe kishte pasur vetëm një konkurrent: filmin “Drita” nën regji të Daniel Kruglikov, bashkëproduksion midis ShBA-së, Francës dhe Kosovës, që kapërthen një dramë kosovare mbi dashurinë e urrejtjen dhe pasojat e hakmarrjes me Arta Dobroshin, Genc Jakupin e Florist Bajgorën në role kryesore. Komitet përzgjedhës kishte në përbërje Sevdije Kastratin, Alban Ukajn, Kaltrina Krasniqin, Bujar Kabashin, Doruntina Bashën, Ilir Gjocajn dhe Kreshnik Keka Berishën.
Producenti kosovar i filmit, Yll Uka, ka thënë për KOHËN se mënyra e punës ka ndryshuar komplet prej viteve të kaluara. Ani pse me buxhet të zvogëluar, ka thënë se i janë përveshur punës për të promovuar filmin para votuesve të Akademisë dhe anëtarëve të industrisë së filmit.
“Gjithçka është duke u realizuar online dhe po shkohet me promovime nëpër portale, gazeta dhe me e-mail. Gjithë kjo për të arritur të anëtarët e Akademisë”, ka thënë Uka.
Ka bërë të ditur se rreth 15 mijë euro janë ndarë për fushatë edhe prej Gjermanisë.
“Së bashku kemi gjetur edhe një publicist në Los Angeles, me të cilin jemi duke bashkëpunuar. Po ashtu po mundohemi që sa më shumë t’u bien në sy anëtarëve të Akademisë, edhe përmes kritikave e shkrimeve në mediat kryesore në Los Angeles”, ka thënë ai.
“Exile” është bashkëprodhim në mes të “Komplizen Film”, Gjermani, “Ikonë Studio”, Kosovë dhe “Frakas” nga Belgjika. Filmi është financuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës me 150 mijë euro.
Sipas Ukës, një ndihmesë është edhe fakti se Kosova është në mesin e shteteve të para që e ka bërë propozimin e saj. Në këtë formë, siç ka thënë ai, kanë pasur mundësinë që menjëherë të dërgojnë materialin për filmin në ato faqe ku hyjnë anëtarët e Akademisë.
“Normalisht, buxheti i paraparë për të bërë një fushatë të kënaqshme dhe të mirë për këtë fazë ka qenë 90 mijë euro, por ne nuk e kemi atë shumë. Kjo ishte e gjitha që kemi pasur e që nuk është e mjaftueshme por duhet që të punojmë me ato që i kemi”, ka thënë ai.
Kryetarja e Këshillit Drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arbnesha Grabovci Nixha, ka thënë se për shkak të buxhetit nuk kanë pasur mundësi që të ndajnë një shumë me të madhe për fushatën për “Oscar”.
“Unë jam aktore edhe vetë dhe e di sesa i rëndësishëm është marketingu në ngjarje të tilla. Me dëshirë do të kisha ndarë një shumë më të madhe. Po të isha pyetur unë do ishte edhe 50 mijë euro, por fatkeqësisht buxheti nuk na e lejon këtë. Për këtë arsye kemi ndarë vetëm 10 mijë euro”, ka thënë ajo për KOHËN.
QKK-ja ka dy vite që po e shkurton buxhetin për fushatën për “Oscar” me nga pesë mijë euro. Vitin e kaluar filmi “Zana” nën regjit të Antoneta Kastratiti ishte mbështetur me 15 mijë euro. Para, këtij filmi, “Martesa”, nën regji të Blerta Zeqrit, ishte mbështetur me 20 mijë euro për fushatë për ngjarjen me nam që mbahet në “Dolby Theatre”, në Los Angeles.
Gjiganti i marketingut kur vjen fjala për çmimet “Oscar” është pa dyshim “Netflix”, e që ka përfituar këtë vit nga fakti se njerëzit kanë kaluar më shumë kohë në shtëpi. Vitin e kaluar “LA Times” kishte raportuar se “Netflix” kishte shpenzuar për marketing për filmin “Roma”, nën regji të Alfonso Cuaron, rreth 30 milionë dollarë – por nuk arriti të marrë çmimin si filmi më i mirë. Me 12 projekte filmike potenciale – “Da 5 Bloods”, nën regji të Spike Lee, “Mank” nën regji të David Fincher, “The Midnight Sky”, nën regji të David Fincher, dhe “The Trial of the Chicago 7”, nën regji të Aaron Sorkin - “Netflix” ka një shans me të mirë se kurdoherë për të marrë çmimin kryesor në “Oscars” të cilin e synon tash e disa vjet.
Me “Exile” është viti i shtatë që synon çmimin e madh. Më 2019, propozoi filmin “Zana”, nën regji të Antoneta Kastratit, më 2018 qe “Martesa”, nën regji të Blerta Zeqirit, “T’padashtun”, nën regji të Edon Rizvanollit më 2017, “Home Sweet Home” të Faton Bajraktarit 2016, “Babai” i Edon Rizvanollit më 2015, dhe “Tri dritare dhe një varje” i Isa Qosjes më 2014.