Kulturë

“Exil” - i nominuari i katërfishtë për çmimin gjerman të kritikëve të filmit

“Exil”, nën regji të Visar Morinës, ka arritur që të jetë në mesin e filmave me më së shumti nominime për Çmimin gjerman të kritikëve të filmit. Është i nominuar për Çmimin e filmit më të mirë artistik, për skenarin më të mirë, aktorin më të mirë (për aktorin Mishel Matiçeviq) dhe muzikën me të mirë (për kompozitorin gjerman Benedikt Schiefer)

“Exil”, drama e një të huaji që kërkon kuptimin e jetës, po vazhdon të shënojë suksese. Filmi me regji e skenar të Visar Morinës, për paranojën dhe identitetin, është në mesin e favoritëve për Çmimin gjerman të kritikëve të filmit. Propozimi i Kosovës për “Oscar” është i nominuar i katërfishtë për çmimin prestigjioz gjerman.

Çmimi gjerman i kritikëve të filmit ndahet nga Asociacioni gjerman i kritikëve të filmit për më shumë se 60 vjet dhe është i vetmi çmim gjerman që ndahet posaçërisht nga kritikët.

“Çmimi nuk ndikohet nga kriteret ekonomike, regjionale apo politike, por ndahet duke u bazuar posaçërisht në kritere artistike. Çmimi ka 12 kategori në të cilat shpërblehen filmat gjermanë që janë shfaqur në kinema ose në festivale gjatë vitit 2020”, është shkruar në ueb-faqen zyrtare të Çmimit. Aty bëhet e ditur se për shkak të koronavirusit nuk do të ketë ceremoni me prezencë fizike, mirëpo fituesit do të bëhen të ditur përmes një komunikate për media më 22 shkurt të këtij viti.

Me gjashtë nominime “Berlin Alexanderplatz”, nën regji të Burhan Qurbani, kryeson sa u përket nominimeve për këtë vit. “Naked Animals”, nën regji të Melanie Waelde, ka pesë nominime. Menjëherë pas tij është filmi i regjisorit kosovar.

“Jam shumë i lumtur që ‘Exil’ është nominuar katër herë për Çmimin gjerman të kritikëve të filmit”, ka shkruar regjisori Morina në rrjetet sociale.

“Exil”, është i nominuar për Çmimin e filmit më të mirë të gjatë, për skenarin me të mirë, aktorin me të mirë (për aktorin Mišel Matičević) dhe muzikën me të mirë (për kompozitorin gjerman Benedikt Schiefer).

Aktori Mishel Matiçeviq është në rolin e Xhaferit, një inxhinieri kosovar që jeton në Gjermani. Ai e gjen një mi të ngordhur të varur në derën e oborrit të tij, dhe dyshon se kolegu i tij racist fshihet prapa kësaj. Gjithçka që ndodh më pas merret si dëshmi. Shqetësimi i Xhaferit sa vjen e rritet. E gruaja e tij gjermane, Nora, (Sandra Hüller) është e lodhur nga fakti se ai e përdor kartën e racizmit gjatë gjithë kohës.

Regjisori i filmit, Visar Morina, për KOHËN kishte thënë se filmi është krijuar duke u bazuar edhe në përjetimet e regjisorit. Ai është ballafaquar edhe personalisht me situata të ngjashme si në film – ku njeriu nuk është i sigurt se si t’i analizojë sjelljet e të tjerëve.

“Është një moment kur ndjenjat e tua apo sjelljet e njerëzve rreth teje nuk arrin t’i kuptosh dhe gjatë gjithë kohës je duke analizuar njerëzit dhe hyn në njëfarë grope. Kapesh në atë që po e ndien, e që kur po e shfaq nuk po kuptohet. Nuk e di a ka ndonjë njeri që në situatën e Xhaferit s’do të binte në krizë të identitetit”, kishte thënë Morina në intervistën e publikuar në numrin festiv të gazetës për vitin 2020. “Exili” ishte financuar edhe nga Qendra Kinematografike e Kosovës me 150 mijë euro.

“Exil”, premierën botërore e kishte pasur në janar të vitit të kaluar, në festivalin e filmit “Sundance” në SHBA, e atë evropiane në shkurt, në “Berlinale”. Në gusht, Morina u bë i pari kineast nga Kosova që mori “Zemrën e Sarajevës”, më të madhin çmim në Festivalin e Filmit në Sarajevë. E në tetor u bë filmi i dytë i Morinës me të cilin Kosova synon “Oscarin”, pas filmit “Babai” më 2016. Përveç çmimeve e premierave në festivale me nam, “Exil” i Visar Morinës ka bërë histori edhe si filmi i parë me të cilin Kosova ia mësyn çmimit të madh “Golden Globe”. “Exil” në fillim të janarit është konfirmuar si kandidat për nominim në “Golden Globe Awards” në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”. Ceremonia e edicionit të sivjetmë, i 78-të me radhë i “Golden Globe Awards”, pritet të mbahet më 28 shkurt. Nominimet do të bëhen të ditura më 3 shkurt.