Kulturë

“Etno Festi” përgatitet për zbërthimin e kultit të tokës e ujit

Këtë vit organizatorët e “Etno Festit” kanë zgjeruar programin duke përthekuar temën e sivjetme në njëmbëdhjetë shtylla programore. Me shfaqje, ekspozita, muzikë, valle, promovim librash, diskutime, shfaqje filmash, ushqim e punëtori të ndryshme, si ato për zë e poçari, i kanë vënë synim vetes të zbërthejnë nëpërmjet artit e kulturës kultin e tokës e të ujit. Drejtori i Festivalit, Fadil Hysaj, ka thënë se në forma të ndryshme do të shpërfaqin lidhjen me këto dy kulte që nga paraardhësit e deri në ditët e sotme

Ani pse ka kohë deri në verë, “Etno Fest” ka nisur të marrë formë për edicionin e 11-të. Festival i ideuar nga regjisori e dramaturgu Fadil Hysaj, që njihet për vënien në pah të traditës duke e gërshetuar atë me kreativitetin e artistëve, ka bërë të ditur datat dhe temën e sivjetmë. Dhjetë ditë të muajit gusht i janë ndarë “Etno Festit” që çdo vit mbahet në fshatin Kukaj, 28 kilometra në lindje të Prishtinës. Organizatorët kanë bërë të ditur për KOHËN se artit, kulturës dhe trashëgimisë do t’iu qasen nëpërmjet njëmbëdhjetë shtyllave programore. Synim e kanë që prej 20 deri më 30 gusht të zbërthejnë kultin e tokës dhe atë të ujit.

Drejtori i Festivalit, Fadil Hysaj, ka thënë se arti dhe kultura autoktone mund t’u bëjnë konkurrencë kulturave të tjera dhe mund t’i përballojnë ndeshjet me megakulturat e fuqishme që rrezikojnë mbijetesën e kulturave të popujve të vegjël. Ka sqaruar se duke zgjedhur kultin e tokës si temë qendrore të festivalit, si qëllim kanë sensibilizimin për atë sa e rëndësishme është toka.

“Në krijimin dhe vazhdimësinë e jetës, lidhjen tonë të fuqishme e në veçanti të paraardhësve tanë me tokën që e gjejmë në shumë rite, shprehje gojore, krijime letrare…shqiptarët shpesh janë betuar ‘për Qiell e për Tokë’, apo ‘për Qiell e për Dhé”, ka thënë ai. Sipas tij, trashëgimia apo ndarja e tokës historikisht është përcjellë me probleme, konflikte, vrasje dhe paraqet një vijë të pashpjeguar mirë të etnopsikologjisë dhe prandaj ka thënë se do fokusohen edhe te kjo pjesë, si dhe te përjashtimi i vajzave nga “hisja“ në tokë që është prezent edhe në ditën e sotme.

E duke zgjedhur kultin e ujit si temë qendrore, si qëllim kanë sensibilizimin se sa i rëndësishëm është uji për jetën dhe ekosistemin.

“Jemi dëshmitarë të një ndotjeje të tmerrshme të lumenjve, burimeve, përroskave, ku hidhen produkte toksike, mbeturina, plastika të pazbërthyeshme, derdhje kanalizimesh etj. Jemi dëshmitarë të një shfrytëzimi të egër apo devijimit të rrjedhave të lumit për interesa biznesore të disa klaneve, duke rrezikuar seriozisht ekosistemin dhe të ardhmen e planetit”, ka thënë Hysaj duke sqaruar se për këto arsye e të tjera e kanë vënë në fokus ujin. Sipas tij, shqiptarët ashtu sikur të gjithë popujt e tjerë ishin të lidhur ngushtë me ujin dhe para se të ndërtonin shtëpi ata e çelnin pusin dhe nëse dilte uji, atëherë nisej themeli.

“Te paraardhësit tanë dhe popujt e vjetër uji konsiderohej si selia e shpirtit paraardhës, vendi i takimit të demonëve të ndryshëm dhe fuqive të larta, uji trajtohej sikur të ishte një qenie e gjallë, përshëndetej, jepej dhurata, i ofroheshin flijime. Uji konsiderohej si një mjet pastrimi, si qendër e përtëritjes, lindja, pagëzimi, martesa, shërimi, rituali i varrimit...”, ka shtuar ai.

Hysaj ka zbuluar detaje edhe për programin. Ka treguar se në kuadër të shtyllës së ekspozitave do të paraqitet puna e artistëve Adem Kastrati, Jakup Ferri, Zake Prelvukaj, Jeton Gusia, Vehbi Murati e Durim Neziri. E te shtylla e skulpturave janë ekspozitat e Agron Blakçorit dhe Burim Gashit. Po ashtu, do të ketë ekspozita etnografike dhe kostumografike, koncert dhe etnoperformancë, atelie ekspozuese, performuese dhe kreative, të dramaturgjisë e etnografisë, të arkitekturës vernakulare, të poçarisë dhe qeramikës. Gjithashtu do të ketë shfaqje të filmave dokumentarë, lojëra të vjetra tradicionale, dhe etnondeja me këngëtarë dhe bende të njohura.

Mes atyre që do të paraqiten është edhe Baleti Kombëtar i Kosovës me shfaqjen “Osman Taka”, me koreografi të Sinan Kajtazit, do të ketë etno-performancë nga teatri “ArtPolis” në bashkëpunim me “EtnoTeatrin”, shfaqje teatrore nga teatri “Multimedia”, Prishtinë, shfaqje teatrore nga Teatri Kombëtar i Prishtinës, nga Teatri Shqiptar i Shkupit, Teatri Kombëtar i Tiranës, Teatri i Gjilanit, teatri “Dodona”, “Adriana Abdullahu” i Ferizajt dhe “Sythi” (Kukaj), sikurse edhe shfaqje teatrore nga skena të pavarura dhe skena studentore, si dhe shfaqja “Flux Life” zhanër i dance-teatrit me koreografi të Robert Nuhës me trupën “Noa Dance Theatre”.

Në partneritet me shef të njohur të kuzhinës shqiptare si “Mrizi i Zanave”, shoqata e grave “Women 4 Women” dhe mjeshtreve të tjerë të artit kulinarik të rajonit, “Etno Fest” do t’i kushtojë rëndësi edhe kulinarisë.

Festivali i arteve dhe kulturës tradicionale “Etno Fest” ka një vit që trajton efektin e shpërnguljes. Popullimi i fshatit Kukaj, midis Prishtinës dhe Gjilanit, është një nga synimet që kishin organizatorët dhe deri diku ia kanë dalë. Festivali në edicionin e tij të 11-të e gjen fshatin që kishte vetëm dy shtëpi me mbi tridhjetë të tilla. Organizatorët kanë thënë se janë në kontakt me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në mënyrë që organizimi i Festivalit të jetë konform masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19. “Etno Fest” edhe vitin e kaluar mbajti edicionin e tij të dhjetë. Hapjen e pati më 25 shtator, me program të shkurtuar nga pesë ditë në tri.