Kulturë

“Ethno Fusion” dhe “Noname” shkrijnë kultura e zhanre muzikore

Muzika alternative

Ambienti i qendrës së muzikës alternative, “punk”, “rock” dhe “metal”, “Defy Them” ka qenë më ndryshe se zakonisht i organizuar për një koncert që zhvillohet aty. Mirëpret ngjarje të zhanreve të ndryshme, megjithatë, për atë të së shtunës mbrëma, publiku duhet të përqendrohet në ritëm. Ta perceptojë ndryshe, përtej argëtimit

Bashkëkohorja e tradicionalja janë shkrirë brenda veprash në koncertin “Ethno Fusion & Noname” në qendrën e muzikës alternative “Defy Them”. Me vepra të krijuara përgjatë dy dekadave nga trumbetisti Avni Krasniqi e Ertan Iliyaz me grupin e instrumentistëve, së bashku kanë sjellë përzierjen e zhanreve muzikore. Përtej një fryme unike muzikore, koncerti ka qenë edhe mesazh për publikun në kuptim më të gjerë, përtej muzikës – që diversiteti e ngjyrat e shumta krijojnë magji.

Ambienti i qendrës së muzikës alternative “punk”, “rock” dhe “metal”, “Defy Them” ka qenë më ndryshe se zakonisht i organizuar për një koncert që zhvillohet aty. Mirëpret ngjarje të zhanreve të ndryshme, megjithatë, për atë të së shtunës mbrëma, publiku duhet të përqendrohet në ritëm. Ta perceptojë ndryshe, përtej argëtimit.

Është më e thellë sesa aq, dëgjuesi duhet të dallojë ngjyrat, ritmet, kulturat që gërsheton. E ato janë lehtë të dallueshme me lojën mjeshtërore të bendit të përbërë prej mjeshtërve të instrumenteve të tyre përkatëse me të cilat për shumë vjet publiku i njeh në skenën muzikore.

Me Ertan Iliyaz në piano elektronike e perkusione, Avni Krasniqin në trumbetë e me efekte elektronike, Astrit Stafai në kitarë, Gent Hoxha me fyell e me vokalin e mexosopranos Fiona Shabani, rrëfim unik muzikor ka qenë koncerti “Ethno Sound & No Name” i së shtunës mbrëma.

Projekti në përgjithësi ka sjellë melodi emocionuese të ndërthurura me harmoni të pasura e ritme dinamike. Emocionet vijnë në dimensione të ndryshme.

Koncerti ka nisur me veprën “Ifus”, ku njohja e parë e publikut me muzikën janë perkusionet. Vokali melankolik e pason bashkë me fyellin që i jep elemente tradicionale shqiptare, ndërsa kitara e përzien me atë oriental. Efekte të muzikës elektroakustike sjell Avni Krasniqi duke i dhënë efekte të muzikës së ambientit, por kur atë e bën të pushojë, e pasuron me tinguj të herë pas hershëm të trumbetës. Shpesh ky instrument është nismëtar i kumbimit të ansamblit të instrumenteve.

Në secilën vepër muzika elektronike është një lloj baze që është aty nga fillimi në fund, ndërsa instrumentet vijnë si shtresime shtesë mbi ritmet atraktive.

Në “PoezieZ” mexosopranoja Fiona Shabani me zërin e saj të bukur ka sjellë herë frymën e ‘reggae’ e herë atë klasike, veçanërisht në kombinim me trumbetën.

Tek në veprën me titull “Mbas 12-ve” hyn tamam në lojë pianoja ku theksohet më shumë roli i saj. Në veprat paraprake përfshirja e saj ka qenë minimale. Me lojën që duket improvizuese, Iliyaz ka sjellë ritmet e jazzit. Në këtë pjesë është theksuar loja solistike. Improvizuese ka qenë edhe loja e Astrit Stafait me kitarë, ndërsa e palëkundur ka ngjarë të jetë trumbeta e cila ka pasur një temë konstante së cilës i është përmbajtur.

“F (d-mol)” ka qenë atraktive edhe për shkak se roli i vokalistes vjen më në shprehje. Shabani ka kënduar pjesë nga kënga perlë e iso-polifonisë “Janinës ç’i panë sytë”. “Jugu” ka qenë më dinamike, ndërsa e fundit “No name” thekson më shumë ritmet e jazzit. Tema e njëjtë përsëritet vazhdimisht  dhe është e njëtrajtshme. Me të është mbyllur koncerti, por grupi ka interpretuar edhe një herë veprën e parë “Ifus” për publikun.

Ertan Iliyaz, muzikanti me përvojë në muzikën jazz, flamengo e atë tradicionale, ka thënë se veprat kanë qenë gërsheti i shumë kulturave.

“Meqenëse kemi super instrumentistë në projekt dhe janë gjithashtu nga institucione si Filharmonia, ansambli ‘Shota’, kemi prej etnike, në klasike, elektronikë. Jemi munduar ta bëjmë një gërshetim bashkë dhe të dalë diçka e lezetshme për audiencën”, ka thënë ai.

Sipas tij, secili instrumentist sjell një tjetër frymë, stil e kulturë.

“Secili instrument dhe muzikë ka pasur vendin e tij ku në raste të tilla ka qenë etnike, në raste të tjera jazz, me trumbetë në aspektin e klasikes, kështu që këto vepra janë krijuar nga Avniu dhe shpresoj se i kanë pëlqyer edhe audiencës”, ka thënë Iliyaz.

Autori i veprave, trumbetisti Avni Krasniqi, që pos lojës në instrumentin që e zotëron, ka sjellë efekte elektronike, ka thënë se veprat i ka shkruar në një periudhë prej dy dekadash. Ka thënë se veprat ndryshojnë përherë varësisht nga instrumentet që përfshihen në lojë.

“Ky projekt muzikor quhet ‘NoName’ dhe në kuadër të tij për gjithë këto vite kemi bashkëpunuar me muzicientë të ndryshëm dhe krejt ideja e këtij projekti është që sa herë luajmë muzikë, edhe nëse janë veprat e njëjta ato luhen ndryshe sepse bashkëpunojmë më muzicientë të ndryshëm. Herën e kaluar kur kemi luajtur projektin e njëjtë, gjysma e muzikantëve kanë qenë të ndryshëm. Ideja është që ky projekt të zhvillohet gjatë gjithë kohës dhe lihet hapësirë që muzikantët të vijnë dhe të japin ngjyra më ndryshe në këto vepra duke i bërë ato shumëngjyrëshe”, ka thënë Krasniqi.

Ka thënë se ky projekt ka temë, melodi, harmoni e efekte të tjera dhe se zhanri nuk është i përcaktuar.

“Zhanri nuk është i përcaktuar saktë, qëllimshëm është lënë i hapur pasi ka raste si sonte ku e patëm një super instrumentist që i zoton të gjitha instrumentet me frymë të zhanrit folklorit dhe ai sonte i dha shumë ngjyrë popullore, i përdori shumë motive popullore tona. Por ka pasur raste kur në një projekt ka qenë një siberian që ka sjellë frymën dhe melosin e tyre që e ka bashkëngjitur në projekt”, ka thënë Krasniqi.

Poli-instrumentisti Astrit Stafai kësaj here me dy lloje të kitarave ka demonstruar stile të ndryshme muzikore.

“Jam munduar t’ia gjej vendin kitarës flamengo ku kam luajtur pak ‘smooth jazz’, pak muzikë ambientale, spanjolle, flamengo, shqiptare të jugut. Me kitarën tjetër që e ka emrin ‘Perdesiz gitar’ i kam dhënë ngjyrë grupit të stileve të sitarit indian, oud-it turk e atij arab. Jam munduar që me dy instrumente të krijojë shtatë, tetë ngjyra a më tepër”, ka thënë ai.

Atë çfarë është luajtur të shtunën mbrëma në qendrën “Defy Them” e ka konsideruar zhanër më të veçantë e delikat.

“Është një zhanër më i veçantë, më delikat, në fakt do ta quaja gërshetim i zhanreve botërore ku takohen, ta zëmë muzika shqipe me muzikën e orientit apo muzika flamengo takohet me muzikën e një vendi tjetër. Është një gërshetim i zhanreve”, ka thënë ai derisa shtoi se bashkëpunimi i bendit, pos për të zbërthyer vepra, sjell edhe mesazhe.

“Jemi munduar që përmes ngjyrave, instrumenteve të cilat pati rastin të dëgjojë publiku, të përçojë jo vetëm një ngjyrë të një muzike e stilit të një kombësie, por edhe një mesazh – që nëse ka bashkëpunim jo vetëm në art, por në gjithçka në jetë, kudo që ka gërshetim të ngjyrave, etnive, krijohet një magji siç ndodhi sonte me instrumentet tona”, ka thënë Stafai.

Përvojë e re me një formacion e zhanër të tillë muzikor ka qenë për Gent Hoxhën, instrumentist në ansamblin e këngëve e valleve “Shota”.

“Ishte një eksperiencë e pazakontë për mua duke pasur parasysh se në zhanrin e muzikës elektro ka qenë eksperienca ime e parë. E falënderoj shumë Ertanin që më ka ftuar. Unë jam munduar të sjell ornamentet e folklorit tonë burimor. Ka qenë e lehtë pasi përkrah kam pasur muzicientë të shkëlqyer si multiinstrumentistit Astrit Stafai, profesorin Avni, vokalisten Fiona dhe Ertanin. Kur ke të bësh me profesionistë të dëshmuar të fushës së muzikës edhe për mua si instrumentist është më e lehtë që ta kem një paraqitje sa më komode dhe sa më profesionale të mundshme”, ka thënë ai.

Koncerti “Ethno Fusion & No Name” që ka gërshetuar muzikën elektronike, etno, jazz dhe jo vetëm, me frymë improvizuese e shkrirjen e kulturave e ka bërë publikun të përjetojë rrugëtim unik muzikor.