“Ethnically Plugged” e kishin quajtur projektin e tyre para 16 vjetëve disa artistë që ishin bashkuar për të bërë atë që dinë më se miri: muzikë. Që në fillim, kumti ishte i qartë se burim do të kishin meloditë e vjetra shqipe.
Për detyrë kishin marrë që atyre t’u jepnin një ngjyrim krejtësisht tjetër. Muzika e tyre ishte e bazuar në përpunimin e muzikës tradicionale shqipe me instrumente të ndryshme dhe me anim kah Jazz/Fusion. Me të parën kishin goditur. Luan Macula e Ilir Tolaj në kitarë, Edon Ramadani në piano dhe Teoman Ukqa në bateri kishin marrë vëmendjen e publikut dhe kësisoj, “Ethnically Plugged” u bë një ndër koncertet televizive me të shikuara. E gjithë kjo magji muzikore ishte bartur edhe në CD. Me dhjetëra të tilla ishin shitur më pas bashkë me të përditshmen “Koha Ditore”. Kështu, anëtarët e grupit “Ethnically Plugged”, duke dashur ta nderojnë trashëgiminë e suksesin e kaluar, i kanë hyrë punës për të sjellë sërish një koncert. Kanë bashkuar forcat me Kohavisionin dhe Komunën e Prishtinës.
Koncerti do të mbahet të mërkurën e 25 gushtit në Amfiteatrin e Gërmisë në Prishtinë prej orës 20:00 dhe i njëjti më pas do të transmetohet në shtator në “Kohavisioni”. Koncerti do të jetë pa bileta, vetëm me rezervime paraprake. Por, për mysafirët e detaje të tjera, informata me të hollësishme do të publikohen në ditët në vazhdim në “Koha.net”.
Gati tri javë para koncertit, kitaristi Ilir Tolaj, për KOHË-n ka bërë të ditur vetëm anën kryesore të kësaj ngjarjeje. Ai ka thënë se muzikantët të cilët më shumë se para një dekade e gjysmë sollën një prej projekteve më të suksesshme muzikore, janë duke u kthyer për një udhëtim nëpër tingujt që u bënë pjesë e memories së adhuruesve të muzikës shqiptare.
“’Ethnically Plugged’ filloi si projekt në vitin 2004 si dëshirë për t’i ripërtërirë meloditë e bukura shqipe duke i shkrirë në disa zhanre të ndryshme. Projektin e filluam bashkë me shumë muzikantë të mrekullueshëm si Luan Macula, Edon Ramadani, Xhemil Gjini e Agron Penin. Menjëherë pas daljes së projektit të pare që pat bërë bujë të madhe, përfaqësuam Kosovën në Bienalen e Napolit”, ka thënë ai.
Ka treguar se një rikthim për një koncert të tillë e kishin menduar vitin e kaluar për të shënuar 15-vjetorin, mirëpo pandemia bëri që planet të zhvendoseshin për këtë vit.
“Pas një viti që solli shumë të papritura, menduam që të mblidhemi e njëkohësisht t’i luajmë gjatë një nate edhe këngët tona, por edhe të takohemi me njerëz që për një kohë të gjatë nuk i takuam”, ka thënë ai.
Sipas tij, veçantia e ngjarjes do të jetë festimi i 16-vjetorit të një projekti të suksesshëm muzikor.
“E bashkë me këtë do të paralajmërojmë edhe fillimin e projektit të ri të cilit emri do t’i bëhet publik së shpejti”, ka thënë ai.
Po ashtu ai ka bërë të ditur se përveç ekipit të “Ethnically Plugged”, do të kenë edhe shumë mysafirë të tjerë që do të interpretojnë në instrumente burimore dhe këngëtarë që do të këndojnë disa nga këngët e vjetra shqipe me të njohura.
“Pra Ethnically Plugged dhe miqtë”, ka shtuar Tolaj.
Dardan Selimaj, producent ekzekutiv në Kohavision, ka thënë se beson që koncerti do të jetë një përmbyllje e një cikli tejet të rëndësishëm për zhvillimet në skenën muzikore të Kosovës së pasluftës.
“Vitin e kaluar janë bërë 15 vjet qëkur ‘Ethnically Plugged’ qe realizuar si projekt. Ilir Tolaj bashkë me kolegët e tij muzikantë janë ideatorë të projektit. Ata e kanë menduar rikthimin dhe ishte një moment i përshtatshëm ndonëse me një vit vonesë të rikthehet një prej projekteve me të suksesshme që përveç si koncert televiziv, qe realizuar edhe si CD e që në atë kohë qe shitur me të përditshmen ‘Koha Ditore’”, ka thënë Selimaj.
Ndryshe, “Ethnically Plugged”, i formuar në vitin 2004, është një grup i përbërë nga disa prej muzikantëve shumë të njohur të Kosovës. Të gjithë anëtarët e grupit kanë përvojë mbi 20-vjeçare me grupe të ndryshme kosovare si “TNT”, “Marigona” e bende të tjera. Ata publikuan audio CD dhe DVD në vitin 2005. Deri më tani, kanë pasur shumë performanca të suksesshme nëpër Kosovë.